E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, dëmshpërblimi që do të merret në rastet e aksidenteve

Qeveria vendos sigurimin e detyrueshëm të pasagjerëve për transportin publik. Pronarët e mjeteve, kontratë për sigurimin e aksidenteve të pasagjerëve

Emanuela Sako

Pronarët e mjeteve të transportit publik të pasagjerëve janë të detyruar të lidhin kontratë për sigurimin e aksidenteve të pasagjerëve në transportin publik. Vendimi më i fundit i qeverisë i detyron të gjithë pronarët e mjeteve motorike që kryejnë transportin e udhëtarëve të sigurojnë pasagjerët në raste aksidentesh, të cilët do të përfitojnë dëmshpërblim. Në këtë kategori përfshihen pronarët e autobusëve urbanë, interurbanë dhe për transport publik ndërkombëtar, përfshirë edhe rastet kur merren me qira; pronarët e taksive dhe të makinave me qira, kur jepen së bashku me drejtuesin; pronarët e të gjithë tipave të mjeteve lundruese detare, pronarët e avionëve të përdorur për transportin publik ajror të pasagjerëve etj. Sigurimi i detyrueshëm përfshin sigurimin e pasagjerëve nga aksidentet në transportin publik, sigurimin e përgjegjësisë së pronarit ose të përdoruesit të mjetit motorik. Në këtë vendim përfshihen të gjitha llojet e transporteve që qeveria i detyron të bëjnë sigurimin e pasagjerëve dhe të interesave të tyre për të gjitha rastet. Kur pronari i një mjeti motorik nuk ka lidhur kontratë për sigurimin e pasagjerëve dhe aksidenti ka ndodhur, pasagjeri ose personi, përfitues të kontratës së sigurimit, ka të drejtë të kërkojë pagesën e shumës së siguruar nga fondi i kompensimit.
Sigurimi
Sigurimi i detyrueshëm në sektorin e transportit përfshin: sigurimin e pasagjerëve nga aksidentet në transportin publik, sigurimin e përgjegjësisë së pronarit ose të përdoruesit të mjetit motorik, që do të njihet si sigurimi i pronarit, për dëmet që i ka shkaktuar palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti.
Qeveria kërkon sigurimin e përgjegjësisë së pronarit ose të përdoruesit të avionit, sigurimin e përgjegjësisë së pronarit ose të përdoruesit të mjetit lundrues. Ky ligj përjashton disa kategori të veçanta mjetesh motorike të Forcave të Armatosura, të cilat përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Mbrojtjes dhe të ministrit të Financave.
Detyrimi
Pronari i çdo mjeti transporti, përpara se ta përdorë mjetin e transportit në trafik, është i detyruar të lidhë një kontratë sigurimi, si dhe të sigurojë rinovimin e saj për aq kohë sa mjeti i transportit do të mbetet në qarkullim. Kur mjeti i transportit është subjekt i detyrimit për t’u regjistruar apo licencuar dhe, sipas ligjit, duhet të ketë një certifikatë regjistrimi apo licencimi, autoritetet përgjegjëse mund ta lëshojnë certifikatën e regjistrimit ose ndonjë dokument tjetër, të barasvlershëm me të. Kjo ndodh vetëm pasi pronari i mjetit të transportit provon me dokumente se e ka lidhur kontratën e sigurimit sipas këtij ligji. Kur mjeti i transportit, në përputhje me ligjet për regjistrimin, është i regjistruar në emër të përdoruesit të mjetit të transportit, dispozitat e këtij ligji, të cilat janë të vlefshme për pronarin e mjetit të transportit, janë, përkatësisht, të zbatueshme edhe për përdoruesit e këtij mjeti.
Sigurimi i përgjegjësisë së pronarit mbulon edhe dëmet e shkaktuara nga përdorimi i mjetit prej personave të tjerë, kur këta e përdorin mjetin me miratimin e pronarit.

Kushtet dhe tarifat e sigurimit të detyrueshëm

Shoqëria e sigurimit duhet të depozitojë te autoriteti kërkesën ku përcaktohen kushtet e përgjithshme të sigurimit dhe baza teknike e përdorur për llogaritjen e primit për sigurimet e detyrueshme, të parashikuara në nenin 2 të këtij ligji. Autoriteti verifikon nëse ato janë llogaritur në përputhje me ligjin dhe aktet nënligjore në fuqi. Kur kushtet e sigurimit dhe baza teknike janë në përputhje me ligjin dhe aktet nënligjore, autoriteti miraton këto kushte brenda 30 ditëve nga dorëzimi i kërkesës dhe njofton shoqërinë e sigurimit për zbatimin e tyre.

Box
Sigurimi i pasagjerëve nga aksidentet në transportin publik

Detyrimi për lidhjen e kontratës së sigurimit

Pronarët e mjeteve të transportit publik të pasagjerëve janë të detyruar të lidhin kontratë për sigurimin e aksidenteve të pasagjerëve në transportin publik.
Kontrata lidhet nga pronarët e:
autobusëve urbanë, interurbanë dhe për transport publik ndërkombëtar, përfshirë edhe rastet kur merren me qira;
autobusëve të transportit të punëtorëve dhe autobusëve të shoqërive turistike;
taksive dhe makinave me qira, kur jepen së bashku me drejtuesin;
të gjithë tipave të mjeteve lundruese detare, lumore dhe liqenore, përfshirë tragetet, për transportin e pasagjerëve në linja të rregullta dhe transportin e turistëve, si dhe të mjeteve lundruese pa motor;
të gjithë tipave të mjeteve, të parashikuara në shkronjën “ç” të kësaj pike, të dhëna me qira së bashku me të paktën një anëtar ekuipazhi;
avionëve të përdorur për transportin publik ajror të pasagjerëve;
teleferikëve dhe mjeteve të transportit mbi shina, përfshirë trenat, tramvajin, metronë, si dhe të mjeteve të tjera, të cilat lëvizin mbi shina;
të gjitha mjeteve të tjera të transportit, pavarësisht nga fuqia, të përdorura për transportin publik me pagesë të pasagjerëve.

Përgjegjësia e shoqërisë së sigurimit dhe shuma e siguruar

Detyrimi i një shoqërie sigurimi në kontratën e sigurimit, e parashikuar në pikën 1 të nenit 17 të këtij ligji, përfaqësohet nga shuma e siguruar, e vlefshme në ditën e ngjarjes së sigurimit, kur nuk është rënë dakord për një shumë më të madhe në kontratën e sigurimit.

Minimumi i shumës së siguruar për çdo pasagjer të mbuluar nga kontrata e sigurimit, sipas nenit 17 të këtij ligji përcaktohet si më poshtë vijon:
- në rast vdekjeje 2 000 000 lekë
- në rast të paaftësisë së përhershme 4 000 000 lekë.

Përgjegjësia e shoqërisë së sigurimit dhe shuma e siguruar
(Kufiri i mbulimit)

Kufiri minimal i përgjegjësisë, që mbulohet nga kontrata e sigurimit, sipas pikës 1 të këtij neni, për dëme të shkaktuara në territorin e Republikës së Shqipërisë, është si më poshtë vijon:
Për dëme biologjike, me pasojë vdekjen, dëmtime shëndetësore dhe përkeqësime të shëndetit, të shkaktuara nga një aksident ose seri aksidentesh të ardhura nga një ngjarje sigurimi:

- për autobusë dhe kamionë, përfshirë rimorkiot, 150 000 000 lekë

- për mjete, që transportojnë lëndë të rrezikshme, 200 000 000 lekë

- për mjete të tjera, përfshirë mjetet e paidentifikuara, 50 000 000 lekë
Për dëme morale dhe ekzistenciale, të shkaktuara nga një aksident ose seri aksidentesh, të ardhura nga një ngjarje sigurimi, si më poshtë vijon:
dëmi moral dhe ekzistencial, nga vdekja apo paaftësia, e pjesshme a e përhershme, 1 000 000 lekë

dëmi moral dhe ekzistencial, nga dëmtime të tjera, 500 000 lekë

dëmi moral, nga paaftësia totale, e përhershme, 2 000 000 lekë

dëmi ekzistencial, nga vdekja apo paaftësia totale, e përhershme, 1 500 000 lekë

Për dëme të lidhura me dëmtimin apo shkatërrimin e pronës nga një ngjarje:

për autobusë dhe kamionë, përfshirë rimorkiot, 15 000 000 lekë

për mjete, që transportojnë lëndë të rrezikshme, 20 000 000 lekë

për mjete të tjera, përfshirë mjetet e paidentifikuara, 10 000 000 lekë

Kontrata e sigurimit, pwr fluturimet me avion

Dëme jopasurore, shkaktuar palëve të treta me pasojë vdekje, dëme trupore, përkeqësim të gjendjes shëndetësore dhe dëmtim ose shkatërrim të pasurisë, gjatë fluturimit të avionit

Dëme jopasurore, shkaktuar pasagjerëve, me pasojë vdekje, dëme trupore, përkeqësim të gjendjes shëndetësore, gjatë fluturimit të avionit

Dëmtime ose humbje të sendeve personale të pasagjerëve, që janë të vendosura në kabinën e avionit

Dëmtime ose humbje të mallrave në transport (cargo) dhe të bagazheve, që kanë kaluar procesin e regjistrimit

Palë e tretë quhet çdo person i ndryshëm nga pasagjeri apo anëtari i ekuipazhit të fluturimit ose i kabinës së avionit, gjatë fluturimit të avionit.

27 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›