Këshilli i Sigurimit diskuton raportin e Ban Ki Moon për Kosovën
Në Nju Jork zhvillohet sot seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku do të shqyrtohet raporti tremujor i Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Moon për gjendjen në Kosovë. Në raport i bëhet thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të mos merren me çështjen e statusit, por t'i përkushtohen bashkëpunimit rajonal. Gjendja në Kosovë vlerësohet si "relativisht e qëndrueshme, por ende e brishtë". KS do të shqyrtojë edhe raportin e shefit të misionit të OKB-së në Kosovë, Lamberto Zannieri. Nga Beogradi në këtë seancë marrin pjesë Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç dhe ministri i Jashtëm Vuk Jeremiç, ndërsa Kosova përfaqësohet nga ministri i Jashtëm Skender Hyseni. Pala serbe i kushton rëndësi të veçantë kësaj seance, pasi zhvillohet në kohën kur po bëhen konsultimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.