E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sondazhet mbeshtesin Obamen

Gjashtë javë përpara zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuaera të Amerikës, një sondazh i ri i votuesve në shtetet e lëkundura të Ohajo-s dhe Florida-s tregon se presidenti Barak Obama ka një epërsi të madhe ndaj kandidatit republikan Mitt Romni. Sondazhi, i kryer nga Kuinipiak Universiti dhe i autorizuar nga Nju Jork Tajms dhe CiBieS Njus, tregon Obamën me një epërsi prej 10-pikësh në Ohaio dhe nëntë pikë në Florida. Nëse Romney humb në këto dy shtete, ekspertët thonë se ai praktikisht e ka të pamundur që të fitojë presidencën. Ohaio konsiderohet si shtet shumë i rëndësishëm, meqë në 12 zgjedhjet e fundit presidenciale, asnjë kandidat nuk ka fituar Shtëpinë e Bardhë pa e fituar këtë shtet. Presidenti Obama ka më shumë se 50 për qind përkrahje në të dy shtetet, pjesë e grupit të të ashtuquajturave shtete të lëkundura që pritet të përcaktojnë dhe zgjedhjet e gjashtë nëntorit. Romney u përball me kritika të gjera, pas një video të fshehtë të shfaqur javën e kaluar, e cila e tregon atë duke u thënë donatorëve se 47 për qind e amerikanëve, të cilët ai tha se do të votojnë për presidentin Obama, besojnë se janë “viktima”, dhe se kanë të drejtë për të patur mbështetjen e qeverisë.
Sondazhet e Universiteti të Kuinipiak, tregojnë gjithashtu se Obama ruan epërsinë edhe në një shtet të tretë të lëkundur, në Pennsilvani, me mbështetjen e 54 për qind të të anketuarve krahasuar me 42 për qind të kandidatit republikan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›