E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta te dhunshme ne Spanje perplasje mes te indinjuareve dhe policise

Sikur të mos mjaftonin protestat e dhunshme që kanë përfshirë Spanjën, në atë që është quajtur marshimi i të indinjuarëve, vendi është përfshirë dhe nga polemikat. Manifestuesit kanë denoncuar faktin se kanë qenë pikërisht policët e infiltruar që kanë nisur incidentet e dhunshme. Fakt ky që duket se është vërtetuar dhe nga një video e publikuar në Youtube ku disa policë rrahin një kolegun e tyre të infiltruar deri në momentin që e njohin. Nga incidentet janë plagosur 64 persona ndër të cilt 16 kanë marrë plagë të rënda si dhe ka pasur 35 arrestime. Nga ana tjetër qeveria spanjolle pritet të miratojë të enjten buxhetin për vitin 2013, në të cilin pritet të përfshihen 39 miliardë euro nga shkurtimet në shpenzime dhe nga rritja e taksave. Masat vijnë në mesin e protestave në rritje dhe pritjeve se Spanja do të kërkojë ndihmë financiare nga patnerët e saj në eurozonën 17 anëtarëshe. Spanja, borxhet e së cilës janë parë si kërcënim për stabilitetin e eurozonës, është vënë nën presion të madh për të kërkuar pako shpëtimi nga Banka Qendrore Evropiane. Por, një pako e tillë do të nënkuptonte masa të tjera shtrënguese për vendin e goditur tashmë nga recesioni dhe nga papunësia prej 25 për qind. Mijëra protestues janë tubuar afër parlamentit në Madrid për natën e dytë me radhë për të protestuar kundër masave shtrënguese. Iniciativa e protestave që ishte nisur kundër planit të shkurtimeve po transformohet në një kritikë radikale kundër të gjithë klasës politike. Protestuesit tashmë kërkojnë dorëheqjen e qeverisë së Rajoi, e cila po bëhet gati të bllokojë pagat e nëpunësve publikë për të tretin vit radhazi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›