Këshilli i Sigurisë së Serbisë, mbledhje për dhunën e javës së kaluar
Dhuna e shkaktuar gjatë ditëve të fundit në Beograd ka çuar në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Sigurisë serbe me qëllim hetimin e dështimit të forcave të policisë, të cilat vonuan të ndalonin protestuesit që sulmuan dhe dogjën Ambasadën Amerikane. Ky akt çoi në largimin e personelit dhe mbylljen e ambasadës për çështje sigurie. Gjatë ditës së sotme ambasada amerikane pritet të hapë dyert dhe lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i selisë diplomatike, sipas të cilit stafi i ambasadës do të rikthehet në detyrë. Megjithatë, sektori i dhënies së vizave në ambasadë do të mbetet i mbyllur. Veprimin e mbylljes së ambasadave në Beograd e kanë ndërmarrë edhe ambasada gjermane, ajo angleze dhe greke. Zyrtarët amerikanë dhe ata të Bashkimit Europian kritikuan ashpër përgjigjen e Serbisë dhe po kërkojnë mbrojtje më të mirë të misioneve diplomatike. Takimi i Këshillit Kombëtar të Sigurisë është thirrur nga presidenti reformist i Serbisë, Boris Tadiç. Por nga ana e përfaqësuesve të qeverisë serbe vazhdojnë deklaratat kundër pavarësisë së Kosovës.
Kështu, ministri i Punëve të Jashtme, Vuk Jeremiç, ka deklaruar se diplomacia serbe i ka parashtuar vetes një synim që të pengojë legjitimitetin ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës. Ai po ashtu është shprehur se diplomacia serbe do të bëjë çdo gjë që pa pajtimin e Serbisë të mos vijë deri te “legjitimiteti i Kosovës, ndërsa kur të kuptohet kjo gjë të mbisundojë mendimi se palët duhet të kthehen në tavolinën e bisedimeve. Sipas Jeremiç, nëse Kosova njihet nga më shumë se gjysma e shteteve anëtare të OKB-së, atëherë do të ishte një barrierë e konsiderueshme politike e psikologjike.
27 Shkurt 2008