Nikolas Bërns: “Serbia nuk do ta marrë kurrë Kosovën”
Nënsekretari amerikan i Shtetit, Nikolas Bërns, ka deklaruar se Serbia nuk do ta marrë kurrë Kosovën ndërsa Shtetet e Bashkuara nuk do ta pranojnë ndarjen e shtetit të ri. Sipas Bërns, Serbia e ka humbur përgjithmonë Kosovën në periudhën mars-qershor të vitit 1999, kur ajo u përpoq të dëbojë 1 milion njerëz nga ai vend. “Kur u miratua Rezoluta 1244 në qershor të vitit 1999, ajo në fakt bëri që Kombet e Bashkuara t’ia merrnin Kosovën Serbisë. Serbia nuk do ta marrë kurrë Kosovën. Që nga qershori 1999 e deri kohët e fundit, pyetja e vetme që është shtruar ka qenë: Cili do të ishte statusi përfundimtar i Kosovës, do të ishte ajo e pavarur apo autonome dhe kur do të ndodhte kjo. U deshën 9 vjet që kjo pyetje të merrte përgjigje dhe rreth një vit më parë Shtetet e Bashkuara erdhën në përfundimin thelbësor se nëse e vononim ende pavarësinë e Kosovës, atëhere mundësia më e madhe do të ishte që kjo të provokonte dhunë dhe mungesë qëndrueshmërie në Ballkan”. Nënsekretari Bërns e konsideroi pavarësinë si alternativën e qartë dhe përfundimtare që në kohën kur presidenti Ahtisari bëri propozimin e tij. Vlerësim i lartë është shprehur edhe për udhëheqjen në Prishtinë dhe vetëpërmbajtjen e saj ndërsa nuk kanë munguar kritikat e ashpra ndaj Beogradit që, sipas tij, të kujton një epokë tjetër në Serbi. “Serbët duhet të kuptojnë se ata duhet të shikojnë nga e ardhmja, duhet të kuptojnë se Europa dhe Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që të kenë marrëdhënie tregtare dhe politike me ta, duan që ata të jenë pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Europian”, - tha nënsekretari i Shtetit, Bërns, duke shtuar se e kanë gabim ata serbë që sulmuan tetë ambasada javën e kaluar apo njerëz si ministri i qeverisë serbe për Kosovën, Samarxhiç, i cili gjatë fundjavës tha se ishin Shtetet e Bashkuara që e krijuan këtë problem.
27 Shkurt 2008