Së shpejti, Kosova do të hapë 20 ambasadat e para
Ambasadat e para në vendet më të rëndësishme, Uashington e Bruksel. Kosova është njohur gjatë ditës së djeshme edhe nga Polonia dhe Belgjika
Kosova shumë shpejt pritet të hapë 20 ambasadat e para në qendrat më të rëndësishme të vendimmarrjes në botë si në Uashington e Bruksel. Ambasada mendohet të hapen edhe në vende të tjera me të cilat shteti i ri parashikohet të ketë marrëdhënie të ngushta politike e nevojë për koordinim dhe bashkëpunim kulturor dhe ekonomik. Ky lajm është bërë i ditur nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, i cili së bashku me zyrtarë të institucioneve të Republikës së Kosovës kanë vlerësuar se Ministria e Punëve të Jashtme pritet të konsolidohet brenda fazës tranzitore që do të zgjasë 120 ditë. Sipas zëvendëskryeministrit Kuçi, kjo është thjesht një çështje tekniko-organizative. Autoritetet kosovare kanë shprehur dëshirën për hapjen e ambasadave në sa më shumë vende, të cilat njohën pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, kjo nuk është e mundur duke marrë parasysh kapacitetin jo shumë të madh të shtetit të ri. Zëvendëskryeministri Kuçi ka bërë të ditur se ligji për Ministrinë e Punëve të Jashtme pret leximin e dytë në Kuvendin e Kosovës, pas të cilit pritet edhe miratimi i tij. Gjatë intervistës së tij për agjencitë kosovare të lajmeve, ai është shprehur se pas pavarësisë qëllimi dhe sfida e qeverisë kosovare është zhvillimi ekonomik i vendit dhe një nga shanset më të mira shihet konferenca e donatorëve. Vështrimi në këtë konferencë do të hidhet në sektorët e energjetikës, infrastrukturës, bujqësisë, shëndetësisë dhe arsimit për të përmirësuar kushtet e jetesës në vend. Për një përgatitje sa më të mirë me këtë rast Ekzekutivi kosovar prej kohësh ka vënë kontakte me organizatorët dhe donatorët e mundshëm, përfshirë këtu institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare si Komisionin Europian, Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar, USAID-in, etj. Zyrtarë të BE-së kanë paralajmëruar se në këtë konferencë, që do të mbahet në muajin qershor, Kosova do të përfitojë mbi 1 miliard euro. Gjatë ditës së djeshme është shtuar numri i vendeve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Polonia dhe Belgjika janë shtetet e radhës që kanë komunikuar njoftimin zyrtar. Ministri i Jashtëm polak, Radek Sikorski, ka bërë të ditur se qeveria e këtij vendi ka miratuar njohjen e pavarësisë së Kosovës. Sikorski dhe kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, para disa ditësh kishin njoftuar se Polonia do ta njihte pavarësinë zyrtarisht. Por edhe Belgjika renditet në vendet pro shtetit të ri. Mbreti belg, Alberti II, ka nënshkruar dekretin mbretëror mbi njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe lajmi është bërë i ditur nga një zëdhënës i Punëve të Jashtme belge. Ndërkaq pritet që edhe Zvicra së shpejti ta njohë pavarësinë e Kosovës. Sipas disa burimeve, pritet që njohja zyrtare të bëhet ditën e sotme.
27 Shkurt 2008