E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli i Sindikatave serbe kërkon vazhdimin e shtesave për punëtorët serbë

Mitrovicë, 18 gusht - I ashtuquajturi kryetar i Këshillit të Sindikatave të Kosovës, Bllazho Milosavleviq, në një takim të kryesisë së kësaj sindikate që është mbajtur të mërkurën në veri të Mitrovicës, ka thënë se punëtorët serbë në Kosovë janë dukekërkuar nga Qeveria e Serbisë të vazhdojnë me dhënien e shtesave sipas vendimit të vitit 2003 dhe mos t’i ndërpresin ato. “Kërkojmë të vazhdohet pagesa e shtesave duke mos komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, deri në një urdhëresë të re që do të jetë në pëlqim me rregullat pozitive ligjore”, ka thënë ai. Milosavleviq po ashtu ka propozuar që pagat e punëtorëve serbë në Kosovë të jenë identike me kolegët e tyre në Serbinë qendrore. Ai ka kërkuar që urgjentisht të ndërpritet me ‘linçim medial’, si dhe premtimi për një ndarje të re nga mjetet buxhetore për punëtorët të cilët kanë mbetur pa këto shtesa, të mos mbetet “vetëm shkronjë e vdekur në letër”.
Ndërkaq, i ashtuquajturi kryetar i Këshillit të sindikatës së qarkut të veriut të Mitrovicës për arsim, Ivan Zaporozhac, theksoi se nëse këto kërkesa nuk plotësohen, atëherë do të vihet në pikëpyetje fillimi i vitit shkollor. “Qëndrimet që janë marrë në këtë takim, do t’i përcillen sot kryeshefit të qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq, ndërsa më pas edhe kryetarit të Serbisë, Boris Tadiq”, kanë thënë në fund të pranishmit në këtë takim.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›