E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Sharr kultivuesit e mjedrave të kënaqur me prodhimet e këtij viti

Sharr, 18 gusht -  Ka ditë që në disa vendbanime të Sharrit, vazhdon mbledhja e mjedrave, e cila ndër kultivuesit e këtushëm konsiderohet si një veprimtari mjaft  fitimprurëse. Siç shprehen disa prej tyre, këtë vit, mjedrat kanë qenë mjaft cilësore, çmimi ka qenë i leverdishëm, njëherësh nuk kanë pasur edhe probleme me shitjen e tyre. Bekim Vehapi, nga Shanja, i cili gjatë vitit të shkuar ka mbjellë rreth 40 ari, si një sipërfaqe eksperimentale, thekson se gjatë muajit korrik e gusht ka grumbulluar një sasi të konsiderueshme të mjedrave, nga përfitimi i të cilave janë të kënaqur të gjithë anëtarët e familjes. “Meqenëse është viti i dytë i mbjelljes së këtyre mjedrave, të cilat ende janë në fazën  e zhvillimit, jemi të
kënaqur me prodhimet e këtij viti. Marrë parasysh këtë leverdi, gjatë kësaj vjeshte do të shtojmë sipërfaqet”, është shprehur Vehapi. Edhe Misin Domuzeti, banor i fshatit Pllajnik, ka nënvizuar se ka rreth dyzet vite që merret me pemëtari e bujqësi, dhe se asnjë produkt tjetër  nuk ka qenë më me leverdi se sa ky i mjedrave. “Këtë vit kam mbjellë me tepër se 30 ari, sa për të provuar se a ka leverdi apo jo, por me përfitimet e deritanishme mund të them se ia vlen të merresh aktivisht me to”, ka thënë Domuzeti.
Vitin e shkuar, në saje të ndihmës nga firma vendore “Hitflores” dhe simotrës së saj “Interkorpereichen” nga Zvicra, pati filluar kjo veprimtari, ndërkaq në identifikimin e terrenit më të përshtatshëm u kanë ndihmuar ekspertët zviceranë. Në këtë mënyrë, gjatë vjeshtës së vjetme, për herë të parë në këto anë, janë mbjellë rreth 30 hektarë dhe po aq sipërfaqe janë mbjellë edhe këtë pranverë.
Nuridin Bajrami, pronar i firmës “Hitflores”, firmë kjo e cila është duke bërë grumbullimin e mjedrave, është shprehur se gjatë këtyre ditëve është intensifikuar dorëzimi nga ana e kultivuesve individual dhe deri më tani janë paketuar disa mijëra kilogram. Siç shprehet ai, nga ekspertë të ndryshëm, të cilët i kanë vizituar disa lokacione, si në trevën e Opojës, ashtu edhe në atë të Gorës, është preferuar që të vazhdohet me këtë veprimtari, marrë parasysh veçoritë klimatike të Komunës së Sharrit, të cilat janë tejet të përshtatshme për kultivimin e këtyre frutave shumëvjeçare me rendimente mjaft dobiprurëse.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›