E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxhetorët, paga e dhjetorit në janar

 ADI SHKEMBIPagat e dhjetorit për punonjësit e institucioneve do të jepen vetëm në janar. Ndryshe nga praktika e viteve të kaluara kur rreth 90 mijë buxhetorë merrnin pagën e muajit të fundit të vitit në datat 28-29, këtë vit, ajo do të merret gjatë muajit të parë të vitit të ardhshëm. Një letër e Ministrisë së Financave është shpërndarë dje për të gjitha institucionet shtetërore, ku bëhet e ditur ndryshimi i traditës për pagën e fundvitit. “Me urdhër të ministrit të Financës dhe me porosi të zv.ministrit, urdhërohen të gjitha degët e Thesarit, të bllokojnë plotësisht përdorimin e fondit të veccantë për të gjitha institucionet”. Më pas letra vijon “Me porosi të drejtorit të Therasit ju sqaroj dhe njëherë se: pagat e muajit dhjetor 2009 do të ekzekutohen vetëm në janar 2010”. ShpërblimetPunonjësit e shërbimit civil rrezikojnë të marrin shpërblim për vitin 2009. Për të përcaktuar fondin që do të shpërndahet në fund të vitit, kryeministri Sali Berisha ka thirrur dje në një takim ministrin e Financave, Ridvan Bode dhe drejtues të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Sipas ligjit të administratës, zyrtarët që kanë statusin e nëpunësit civilë mund të përfitojnë nga gjysmë page deri në një pagë në varësi të vlerësimit për punën e kryer, ndërkohë që këtë vit do tu jepet vetëm shpërblimi prej 10 mijë lekësh. Në legjislacion thuhet se nëse ata vlerësohen maksimalisht përfitojnë një pagë shpërblim, nëse vlerësohen mesatarisht përfitojnë gjysmë page dhe nëse vlerësohen me dobët nuk përfitojnë të ardhura shtesë, madje rrezikojnë uljen në detyrë. Shkak i heqjes së këtij shpërblimi janë shpenzimet e shumta të bëra gjatë këtij viti elektoral. Gjithashtu rrezikohet edhe marrja e shpërblimit për kategoritë që e kanë përfituar atë me firmë të titullarit të institucionit. Qeveria ka vendosur ti japë vetëm 10 mijë lekë shpërblim punonjësve të administratës. Ndërkohë ende nuk është përcaktuar shpërblimi që do të marrin pensionistët. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Kryeministrisë bëhet e ditur se Berisha u ka kërkuar vartësve të tij të përgatisin një shpërblim me rastin e fund vitit, pavarësisht se ai mund të jetë modest. “Në këtë takim, Kryeministri Berisha kërkoi që, pavarësisht nga ndikimet e krizës globale, të merren masat që punonjësve të Administratës Publike dhe 540 mijë pensionistëve të vendit të mund t’u jepet një shpërblim fund viti, sado modest të jetë”, thuhet në njoftimin zyrtar. Por burime pranë këtij takimi bëjnë të ditur për gazetën se është përcaktuar vetëm masa e shpërblimit për rreth 89 mijë punonjësit buxhetorë, ndërkohë që nuk mund të thuhet e njëjta gjë për rreth 540 mijë pensionistë. Mësohet se në tryezë, përfaqësuesit e Financave kanë propozuar që për shkak të krizës ekonomike, pensionistët të marrin një shpërblim prej 2500 lekë të reja, ndërkohë që katër vitet e fundit ata kanë marrë 5 mijë lekë shpërblim, të etiketuar si “kartolina Bode”. Kreu i qeverisë i ka kërkuar Financave që të marrin të gjitha masat për të siguruar një fond të kënaqshëm. Sipas njoftimit të qeverisë “Përfaqësuesit e ministrisë së Financave dhe të Institutit të Sigurimeve Shoqërore e njohën Kryeministrin Berisha me vështirësitë e diktuara nga kriza për realizimin e shpërblimit të këtij viti, por, nga ana tjetër, u mor përsipër të shqyrtohen të gjitha mundësitë për realizimin e porosisë së Kryeministrit”.Berisha: Rritje pagash dhe pensionesh për 2010Kryeministri Sali Berisha paralajmëroi në Kuvendin e nëntë Kombëtar të Partisë Demokratike rritjen më të madhe të pagave dhe pensioneve të bërë ndonjëherë. “Ne jemi të vetmit në Evropë, që në kohën e cunamit që përfshiu Evropën dhe botën, guxuam dhe rritëm rrogat dhe pensionet më shumë se kurrë në histori. Ne jemi të vetmit në Evropë që sërish parashikojmë në qershor të vitit që vjen të bëjmë rritjen më të madhe të rrogave dhe pensioneve në tërë historinë e vendit”, tha Berisha. Sipas tij “Ne po reformojmë tërësisht sistemin e ndihmës shoqërore dhe unë jam këtu për t’ju dhënë ju fjalën se brenda këtij mandate nuk do të ketë shqiptarë që të marrë më pak se 2 dollarë në ditë. Shqipëria duhet të ketë fytyrë njerëzore, Shqipëria duhet të ndahet nga polarizimet, Shqipëria duhet të arkivojë njëherë e përgjithmonë mjerimin”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›