E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Energjia, ka rezerva për dimrin, ndalohen ndërprerjet”

Autori i Lajmit: Silvana Balliu
Ministria e Energjetikës ka dhënë urdhër të prerë që të mos ketë asnjë ndërprerje të paparalajmëruar të energjisë elektrike për popullatën.
Një fakt të tillë e ka bërë publik vetë ministri Dritan Priti në analizën e tij javore,gjatë së cilës ka bërë me dijeni se dikasteri që drejton jep garanci për furnizim me energji të garantuar dhe pa ndërprerje gjatë gjithë periudhës së dimrit.

Deklarata e Ministrit të Ekonomisë

“Është urdhër i prerë: Asnjë ndërprerje e paparalajmëruar energjie për qytetarët. Edhe nëse ato ndodhin, kjo nuk është për shkak të mungesës së energjisë, por riparimeve apo ngarkesave të ndryshme në rrjet”, ka pohuar ai. Më pas, Prifti tha se aktualisht ka më shumë se 1 miliardë kilovat/orë energjie rezervë në vend dhe do të ketë furnizim me energji pa ndërprerje gjatë gjithë periudhës së dimrit. “Tani që kanë nisur edhe dëborat, ajo përbën një rezervë të mirë”, tha ai më pas. Ndërsa lidhur me ndërprerjet e fundit në zonën e Komanit, ai ka bërë me dijeni se kjo ka ndodhur pasi atje po kryhen disa punime për linjat e Malit të Zi dhe prandaj kjo gjë ka ndodhur. “Është duke u ndërtuar një linjë e re transmetimi me Malin e Zi, një investim i madh nga ne dhe ndaj po stakohet energjia elektrike dhe këto nuk janë për shkak të mungesës së saj, por për shkak të sigurisë që duhet krijuar gjatë punimeve ndërkohë që punojnë punëtorët”, tha ai.

Propozimi për rritjen e çmimit

Por, lajmit të mirë se furnizimi është i garantuar i kundërvihet fakti i hidhur i shtrenjtimit të çmimeve që nga fillimi i vitit 2010. Vendimi për këtë pritet të merret së shpejti nga Enti Rregullator i Energjisë. Qytetarët shqiptarë rrezikohet shumë që të përballen vitin e ardhshëm me rritjen më të madhe të çmimit të energjisë. Tri kompanitë në vend, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, ai i Transmetimit dhe i Prodhimit kanë publikuar kërkesën për rritje të tarifave. Kërkesa që ka ndikimin më të madh te konsumatorët është ajo e kompanisë çeke “CEZ”, e cila propozon një rritje prej 44.2 përqindësh, që parashikohet të shtrihet në dy vite. Gjatë 2010-ës propozohet që rritja të jetë 23.1 për qind, ndërsa pjesa tjetër të aplikohet një vit më pas. Por, çekët i propozojnë Entit Rregullator që të shmangë tarifimin me dy nivele. Bazuar në këto shifra, një familje i duhet të paguajë 10 lekë për kilovat orë çmimin e energjisë, pa llogaritur edhe 20 për qind TVSH. Ne kemi aplikuar për një rritje prej 44.2 përqindësh, nga e cila 23.1 të vendoset në vitin e ardhshëm. Në argumentet tona vlerësojmë se faturimi me blloqe nuk është eficient dhe me këtë propozim ne duam të japim sinjalin e qartë që të gjithë duhet të paguajnë për kostot. Viti 2009 po mbyllet me një bilanc negativ, humbjet në rrjet janë më të larta se ato që janë deklaruar, pra situata aktuale financiare është larg situatës optimale”, u shpreh pak kohë më parë, Josef Hejsek, drejtor i përgjithshëm i OSSH-së. Aktualisht, çmimi është 7 lekë për ata që konsumojnë 300 KV dhe 12 lekë për ata që e kalojnë këtë kufi. Por megjithëse detyrimi ligjor është që kompania të pajisë me matës të gjithë abonentët deri në fund të këtij viti, sërish ky afat nuk është respektuar nga çekët, edhe pse e kanë marrë drejtimin e shoqërisë në qershor të këtij viti.

Ky lajm është publikuar: 13/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›