E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi: Ndërtimi i rrugëve, përtej parashikimit

Ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve (MPPTT), Sokol Olldashi, deklaroi dje se investimet në infrastrukturën rrugore, veçanërisht në pjesën e bregdetit, po ecin më shpejt se parashikimi. “Investimet në infrastrukturën e vendit synojnë të realizojnë modernizimin e rrjetit të rrugëve kombëtare në Shqipëri. Ndërsa në rrugën e bregdetit, në të gjitha vendet e tenderuara, ka një avancim të punimeve përtej parashikimeve të projektit fillestar”, - tha Olldashi. Ai u ndal edhe në aksin rrugor Korçë – Qafë-Plloçë, ku u shpreh se “tashmë ka nisur procesi i shtresës së stabilizantit ose fazës së asfaltimit”. Kreu i MPPTT-së theksoi se së shpejti pritet të fillojnë punimet në një sërë rrugësh hyrëse në disa qytete kryesore të vendit, që do të lehtësojnë lëvizjet, kryesisht në qendrat e mëdha urbane. Këtu ministri Olldashi përmendi rrugën hyrëse në qytetin e Fierit, atë në qytetin e Beratit, segmentin lidhës me rrugën nacionale që të çon në varrezat e Durrësit, për të vijuar deri në Porto Romano. Në kuadër të ndërhyrjeve infrastrukturore, ministri Olldashi u ndal edhe tek problemi i shpronësimeve, që, sipas tij, lidhet me problematikën e pronave në përgjithësi. "Çështjet që janë për t'u zgjidhur janë të shumta, por ato që ne vëmë re në përgjithësi janë ato të mbivendosjes, të mospërputhjes së hartave kadastrale me njëra-tjetrën. Kjo gamë e gjerë problemesh duhet zgjidhur në koordinim ndërinstitucional", - u shpreh ministri Olldashi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›