E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilltarët e Zogut: Ndarja për të “monopolizuar” Mbretin

Kushti kryesor për të luajtur rolin tek i cili aspiruam të gjithë, ishte bashkimi i plotë. Ky kusht nuk u ndërgjegjësua. Para se të them sesi u ndamë dhe u përleshëm me njëri-tjetrin, duhet të them se kush e ka fajin. Mbreti nga ana e tij jo vetëm nuk bëri asgjë që të na bashkojë, por përkundrazi me sjelljet dhe veprimet e tij bëri të mundur që të na ndajë. Kur një herë u treguam të bashkuar për punën e ndejtjes në Angli, oficerët dëgjuan Mbretin të thotë se do të na mbante. Ky nuk është një qëndrim prej burri shteti në kohë krize kombëtare. Por ata që, duke paditur mbretin si njeri të keq, presin prej tyre të veprojë ndryshe, janë në kundërshtim me veten e tyre. I mirë ose i keq, mbreti Zog ishte kryetari i shtetit dhe, e mirë ose e keqe, ajo ishte metoda e tij. Këtë e dinim mirë të gjithë. Duke menduar se mund të ndërronte menjëherë ishte të besoje në mrekulli. Oficerët na lajmëruan menjëherë mbi sa dëgjuan dhe na u lutën të mbetemi të bashkuar. Kishim parasysh kohën e qeverisë së z. Mehdi Frashëri në Shqipëri, kur Mbreti ka qenë i zoti të provoje e të rinjtë s’vlenin më shumë se të vjetrit. Për këtë shkak, faji nuk është i mbretit, por ai veproi siç kujtonte se e donte interesi i tij, fajin e kemi ne pse, nën rrethana shumë të favorshme, s’kemi ditur ta ndalojmë të zbatojë në rrugën e tij e cila nuk ishte origjinale.

Që nga koha që mundoheshim që mos na nisnin për në Amerike, filloi grindja midis nesh. Episodi i parë ishte zënia mes Qazim Kastratit dhe Tajar Zavalanit, e cila kujtoj se kishte dy shkaqe. Zavalani nga karakteri i tij nuk mund të rrinte në një anë, duke ia lënë punët Kastratit. Ai, për çdo gjë dilte në mes si kokosh. Ishte më i shpejtë dhe sigurisht më i zoti sesa z. Kastrati, madje shumë herë arrinte t’ia merrte një punë nga dora Kastratit dhe të futej ai në fushën të cilën Kastrati e quante si të tijën. Marrëdhëniet e tyre u bënë shumë keq. Shkaku i dytë doli zonja Zavalani. Duhet të zgjatem pak në këtë pikë, megjithëse logjikisht mund të duket si një punë e vogël dhe plot poshtërsira. Në të vërtetë kjo punë luajti një rol shumë të madh midis shqiptarëve të pakët që ishin atëherë në Londër të bashkuar rreth Mbretit. Zëniet midis zonjës Zavalani dhe zotit Kastrati janë më mizeriet e jetës në mërgim.

Që nga koha që ishim në Francë, zonja në fjalë u bë një anëtare e Mbretit me mish dhe me shpirt. Nuk linte njeri të fliste një fjalë kundër tij dhe shpesh herë kundërshtonte burrin e saj kur ky kritikonte të shkuarën. Kur u nisëm prej Francës, me vapor për në Angli, zonja Zavalani mori përsipër vendin e një “zonje nderi” të Mbretëreshës. Shumë herë shërbimet që bënte ajo nuk pajtoheshin aspak me detyrat e zonjës së nderit të zakonshme, dhe hynin më shumë në kategorinë e detyrave të një shërbëtoreje personale të Mbretëreshës. Por nën rrethanat tona dhe me etiketën e Oborrit Shqiptar, kjo nuk mund të gjykohet rëndë. Sidoqoftë, zonja ngulte këmbë të njihej prej të gjithëve si zonjë nderi. Kishte shërbime të vazhdueshme pranë Mbretëreshës, duke i dhënë dhe mësime shqip; dhe pranë trashëgimtarit, duke e ndihmuar dadon e tij për çdo send. Me këto shërbime merrte dhe një rrogë shumë të vogël, sa për të plotësuar rrogën e burrit. Zonja e nderit e Mbretëreshës dhe sekretari i mbretit z. Kastrati u zunë shpejt për punë kompetencash. Njëri ankohej se tjetri i ndërhynte në punët e tij. Kësaj zënieje iu shtua edhe ajo mes zotit Kastrati dhe zotit Zavalani, gjë që shpjegon qartë se përse nga të 4 “këshilltarë” që kishte Mbreti, dy prej tyre nuk mund të bashkëpunonin në këtë periudhe. Duke qenë se z. Noçka dhe unë s’kishim ndonjë punë në atë kohë, zënia u kufizua në fillim midis z. Kastrati dhe z. Zavalani, të cilët ishin dhe aktiv në veprimtari të ndryshme. Zënia mori pamjen e një lufte për të fituar influencë mbi Mbretin. Që të dy u bënë “besnikë” të tërbuar. Z. Zavalani zbatoi përsëri politikën e tij të Parisit, për një kohë asnjëri s’mund të thoshte asnjë fjalë në prani të çiftit për të kritikuar Mbretin. Këtë qëndrim të z. Zavalani e shpjegoj me zor, sepse e di që në zemër ai e urrente Mbretin. Vetëm frika e Mbretit ose frika e zonjës së tij mund të jenë shpjegime. Ajo që duhet kuptuar mirë këtu është kjo: se ndarja midis nesh në atë kohë s’kishte aspak karakter politik. Ne, nuk është se nuk binim dakord mbi çështjen e nevojës së bashkëpunimit me Mbretin, të gjithë asokohe ishim në një mendje se mbreti duhej për luftën e çlirimit të vendit tonë, megjithëse të gjithë shikonim të metat e tij dhe nevojën e një ndreqjeje definitive. Parimisht dhe në zemër të gjithë ishim kundër sjelljeve të Mbretit, por për arsye taktike mendonim se duhej punuar rreth tij, duke u munduar ta influenconim që ai të merrte rrugën që ne kujtonim se ishte më e mirë. Ky kontradiksion midis zemrës dhe kokës shpjegon shumë prej veprimeve tona si dhe qëndrimin e Mbretit, i cili natyrisht e kuptonte mirë situatën. Madje, duhet shënuar se ndarja u bë e dukshme midis nesh, kur çdo njeri u mundua sesi t’i afrohet Mbretit më shumë dhe jo si të ndahej prej tij. Kështu që ndarja midis nesh përfundonte në të vërtetë në bashkimin e çdo njërit prej nesh, veçanërisht me Mbretin. Në qarkun tonë të vogël në Londër u përsërit historia që u pa kaq herë në Shqipëri, në kohën e qeverisë së Mehdi Frashërit, kur pleqtë dhe të rinjtë ziheshin midis tyre kush të fitonte Mbretin për vete. Disa prej protagonistëve të kohës së “Mehdiut”, z. Zavalani dhe Logoreci gjendeshin tani në Londër. Kjo mund të shpjegojë politikën e tyre, por tregon gjithashtu se s’kishin mësuar asgjë prej së kaluarës. Mbreti ishte përsëri i zoti të luante lojën e tij të vjetër, gjë që provon jo vetëm se nuk ndërronte rrugë, por që kishte një farë zotësie intriguese. Për të qenë komplet objektiv, duhet pohuar se në këtë lojë për të “monopolizuar” Mbretin, Milto Noçka mori pjesën më të vogël që mund të merrte. Të gjithë e dinim ku do të përfundonte loja e Mbretit, por nuk ishim të zot ta ndalonim. Çdo njëri prej nesh shikonte afrimin e tjetrit te Mbreti si një rrezik për veten, do me thënë rrezik të humbasë mjetet e jetesës. Kështu që ndarja që filloi si një zënie mes zotit Kastrati dhe çiftit Zavalani për çështje kompetencash mbaroi me një konkurrencë midis të gjithëve për të siguruar çdo njeri mjetet e jetesës së tij. Zavalani kishte frikë se Kastrati do ta mënjanonte nga Mbreti dhe kështu do të humbiste bukën e gojës. Dhe po këtë frikë kishte Kastrati nga Zavalani. Ky i fundit këtë ma tha haptazi shumë herë kur u mundova t’i tregoj se ku na çonte kjo gjendje.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›