Pse Mbreti e donte sherrin mes nesh
Me zgjuarsinë dhe paskrupulozitetin e tij të zakonshëm, Mbreti na lajmëroi po në këtë kohë se do të na priste rrogat dhe këshilloi Noçkën dhe mua që të dërgojmë gratë tona në Francë. Mbreti përfitonte prej ndarjes sonë dhe ndarja jonë bëhej çdo ditë e më e thellë. Në fillim u ndamë të gjithë prej z. Kastrati. Ky, i trembur nga izolimi, dhe duke patur besim mbi veten, u bë krejtësisht organ i Mbretit dhe shkaktoi kështu një antipati të madhe nga ana jonë. Për një kohë ne të tjerët treguam një farë solidariteti kur biseduam me Mbretin çështjen e rrogave. Por përsëri Mbreti ka qenë i zoti të krijoje një ndarje midis nesh. Tajar Zavalanit, i cili që nga Franca kishte një rrogë më të vogël sesa ne, tani Mbreti ia bëri të njëjtë, por jo vetëm për të, po për “çiftin” Zavalani. Kështu Zavalanët u lidhën dyfish me Mbretin dhe kishin rastin për të kundërshtuar z. Kastrati. Mbreti gjithashtu na propozoi në këtë kohë të banonim bashkë me të. Kujtova se po të bëhej një gjë e tillë do të humbisnim jo vetëm lirinë, por edhe dinjitetin tonë, sepse e dija mirë jetën e Pallatit. Propozova të refuzojmë ftesën e Mbretit, por z. Zavalani na tha: “Kam Selmën dhe duhet të shkoj ku do të shkojë ajo me punën e saj”. E pamë se z. Zavalani do të ndahej. Ne kishim disa para, kurse ai s’kishte as këmishë. I shpjegova se ku e shpinte kjo rrugë dhe pranoi se kisha të drejtë dhe shtoi se s’i mbetej rrugë tjetër përveçse të ndahej prej gruas së vet. Këtë e mendoi seriozisht. Në këtë mes filluan bombardimet, të cilat na shtrënguan të kërkojmë ndihmë prej Mbretit për të gjetur shtëpi me mbrojtje antiajrore. Ky natyrisht na kujtoi, mua dhe Noçkës, se para disa ditëve nuk kishim pranuar propozimin e tij për bashkëbanim, por na dha gjithsesi një ndihmë provizore. Përpjekja për t’u mbrojtur nga bombat solli një zënie midis Noçkës dhe meje, më 8 tetor 1940. Ndarja midis nesh mori një pamje të ashpër. Tani çdo njeri ishte i veçuar siç e donte Mbreti.