Intrigat e “komunistit” Tajar Zavalani: Si detyrohej të jepte prova besnikërie ndaj mbretit Zog
Gushti i vitit 1939 ishte një muaj kritik. Pikërisht në këtë muaj mbërriti në Paris z. Tajar Zavalani me gruan e tij Selma. Vinte nga Zvicra, ku kishte kaluar disa ditë pushimesh, pasi kishte shpëtuar me lehtësi të çuditshme prej Italisë së veriut ku kishte qenë i internuar. Të gjithë u çuditën si kishte mundur t’i shpëtonte policisë italiane, vetë i dyti me gjithë plaçkat e veta dhe me një pasaportë që edhe një fëmijë mund ta dallonte se ishte e falsifikuar. Nga kjo çudi lindën dyshimet. A kishte shpëtuar me të vërtetë apo ishte dërguar apostafat me ndonjë qëllim të fshehtë. Në këtë pikë na doli kundërshtimi i parë me Milto Noçkën. Unë e simpatizoja Tajar Zavalanin për arsye të qëndrimit të tij në Shqipëri, që i kishte kushtuar mjaft mundime. Dëshiroja ta afroja te Mbreti, dhe isha i bindur që na kishte ardhur prej qielli një “kryetar” me zotësi, kurajë dhe i njohur në Shqipëri. Në këtë pikë Mbreti më dëgjoi, e pranoi dhe i lidhi një rrogë prej 2.000 franga në muaj. Për mua afrimi i z. Zavalani te Mbreti ishte prova më e madhe se intelektualë të rinj në Shqipëri mendonin që duhej të mblidheshim të gjithë rreth Mbretit. Madje, z. Zavalani e paraqiti veten si një përfaqësues të mendimeve të shqiptarëve brenda në Shqipëri. Na tha se para se të nisej për internim kishte patur një mbledhje me disa nga të rinjtë. Këtë argument e përdori shumë gjatë qëndrimit të tij në Paris. Këtu, vetëm sa për hir të së vërtetës, më duhet të shënoj një ngjarje, së cilës atëherë nuk i dhashë rëndësinë më të vogël. Në takimin e parë që pati me Mbretin, z. Zavalani i paska folur kundër meje dhe Milto Noçkës, duke thënë se nuk ishim të zotë për vendet që kishim në Legatë. I propozoi të na zëvendësonte me z. Skënder Villa dhe Aziz Vrioni. Në shtëpinë e këtij të fundit z. Zavalani jetoi për disa kohë, por Sotir Martini e këshilloi të bashkëpunonte me ne, pasi ishim “djem të mirë”. Tajar Zavalani ishte relativisht i ri nga mosha dhe krejt i ri nga idetë që predikonte. Me një arsim të mesëm mjaft të plotë, por pa specializim - përveç si propagandistik komunist - kishte një aftësi për punë të vazhdueshme, e cila në sytë e disave ia justifikonte mungesën e një arsimi shkencor. Veprimtaria e tij në lëmin politik filloi që nga koha e qeverisë së Imzot Fan Nolit dhe të shoqërisë “Bashkimi”. I arratisur në Rusi, ndërroi idetë e tij të mëparshme në komunizëm, por si çdo nga komunistët shqiptarë që kam takuar, mbajti disa shenja të së kaluarës nacionaliste. Individualiteti i tij së bashku me një dëshirë të pamasë për kryesi, e bënte të paaftë për veprim të disiplinuar të një komunisti të vërtetë. Kështu që, në të vërtetë, Tajar Zavalani nuk mund të vepronte as si nacionalist as si komunist Mos pajtimi i tij me disiplinën mendore dhe vepruese të Partisë Komuniste, dhe sidomos shëndeti i tij i keq e detyruan pas disa vitesh mërgimi të nënshtrohet dhe të kthehet në Shqipërinë zoriste, ku kishte lidhje familjare. Në kohën e invazionit emri i Tajar Zalavanit u dëgjua përsëri si një nga frymëzuesit e lëvizjes që tentoi rezistencën kundër pushtuesit. Vetëm me vonë u mor vesh se zotëria e tij, ditën e pushtimit, ishte i sëmure dhe nuk mori asnjë pjesë aktive. Më pas u konformua me regjimin e ri dhe u betua edhe një herë të jetë besnik i një gjendjeje që nuk e donte dhe vazhdoi punën e tij si nëpunës. Por natyrisht nuk mund të rrinte i qetë duke mos qenë vetë ministër dhe italianët u detyruan ta internojnë në Italinë e veriut, prej nga shpëtoi çuditërisht dhe erdhi në Paris. Një çmim i karakterit dhe veprimeve të z. Tajar Zavalani, në këtë fazë të jetës së tij politike, nuk mund të jetë i plotë pa marrë parasysh influencën e madhe që bashkëshortja e tij kishte mbi të. Duke pasur një zgjuarsi më të mprehtë, ambicie dhe dinamizëm më të madh sesa i shoqi, zonja Selma Zavalani influenconte, pa u dukur hapur, çdo veprim të të shoqit, i cili nuk ishte në gjendje t’i bënte balle “inercisë” së saj, siç ma pohoi shpesh vetë.
Dyshimet mbi komunistin-zogist Zavalani
...Kështu komunistët shqiptarë vunë që nga dita e parë një veto absolute kundër Bedri Pejanit dhe Tajar Zavalanit. Kundërshtimi i tyre kundër të parit nuk kishte nevojë të ishte aq i fortë, sepse ai ishte mjaft i diskretituar politikisht dhe lidhjet e tij me partinë nuk kishin qenë kurrë të forta. Por kundër Tajar Zavalanit vunë gjithë fuqinë e tyre, sepse ky ishte një shok qe “tradhtoi” partinë, por i cili vazhdonte të quhej si anëtar i teorisë komunistë. Dëshira e tij për një post në drejtimin e lëvizjes shqiptare nuk kishte si të realizohej sa kohë që fuqia më e fortë e bashkimit të emigratës ishin komunistët. Kundër Tajar Zavalanit komunistët përdorën çdo argument. Për komunistët shqiptarë kjo ishte një çështje parimi, ndërsa nga ana e Zavalanit çështja ishte krejt personale. Tajar Zavalani, i mënjanuar prej shokëve të tij të mendimit (komunistët), kërkoi menjëherë një mbështetje tjetër. E gjeti tek Bedri Pejani, por natyrisht nuk ishte e mjaftueshme. Iu afrua anës tjetër, domethënë rrethit të Mbretit. Por edhe në këtë rreth kishte dyshime për këtë. E kaluara e tij në Shqipëri dhe mënyra e ikjes së tij nga Italia ishin veprime që zgjonin dyshimin që mbretëronte zakonisht dhe për çdo gjë në rrethin e Mbretit, kundër çdo njeriu që nuk ishte 100% i regjimit. Pranimi i z. Zavalani nga ky rreth nuk mund të ishte as i lehtë dhe as i menjëhershëm. Ishte vetë zoti Zavalani që iu afrua Mbretit. Por përsëri dëshira i tij për post shkaktoi edhe në rrethin e mbretit një reaksion. Atëherë z. T. Zavalani filloi të punojë kundër njerëzve që e drejtonin këtë pjesë të emigratës (bëhet fjalë për emigratën e Parisit), dhe sidomos kundër Legatës Shqiptare. Veprimet e tij nuk kishin ku bëheshin përveç afër Mbretit, nga i cili vareshin ekonomikisht dhe politikisht këta njerëz. Këto intriga të z. Zavalani e shtonin kundërshtimin kundër tij dhe përdorimi i argumentit nga antizogizma e tij e vjetër ishte një armë e natyrshme. Kjo e detyroi zotin Zavalani të jepte prova besnikërie për Mbretin dhe të bëhej pothuajse apologjisti i regjimit. Por Tajar Zavalani, që të mos akuzohej si anëtar i bindur i Mbretit, u detyrua të marrë një qëndrim që mund të paraqitet si vijim i politikës që kishte patur në Shqipëri. Ai bashkë me shokët e tij të së njëjtës ideologji thoshte: “vazhdojmë të jemi kundërshtarë të regjimit, por nevoja e do që të bashkohemi rreth Mbretit. Si provë që vazhdojmë të mbrojmë idetë tona të vjetra (idetë komuniste), po kërkojmë përjashtimin nga bashkimi (sh. red. bëhet fjalë për idenë e bashkimit të shqiptarëve pavarësisht bindjeve kundër pushtuesit) të njerëzve që rrethojnë Mbretin në Shqipëri”. Fakti që z. T. Zavalani kishte zakon të mbronte shpesh idetë e tij dhe fakti që ai merrte para nga Mbreti dhe bazohej mbi influencën e tij për të hyrë në Këshillin e Federatës, e bënte gjë të lehtë të akuzohej si njeriu i regjimit, si tradhtar i shokëve të tij. Që të mbrohej kundër kësaj akuze, Zavalani sulmonte një qark politik kundër të cilit ishte në Shqipëri shumica e shqiptarëve. Tajar Zavalani nuk kishte tjetër armë mbrojtjeje përveç asaj të sulmit. Sa me shumë e sulmonin shokët e tij të vjetër, aq më tepër sulmonte armiqtë e tij të vjetër