E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilltari i Reds-ave: Pronarët nuk kanë më para

Liverpul në shitje? Benitez, ndoshta drejt Real Madridit

“Djema, nuk ka më para, ose më saktë paund”. Këtë e thotë këshilltari i deleguar i Liverpulit, Kristian Purslou, gjatë një takimi me grupin historik të tifozëve të Liverpulit “Spirit of Shankly”, duke shpjeguar edhe që Tom Hiks dhe Xhorxh Gilet i kanë mbaruar paratë dhe prandaj do të jenë të detyruar të shesin klubin, i cili ka një borxh prej 237 milionë sterlinash (baras me mbi 270 milionë euro). Një lajm që ka lënë të befasuar të gjithë të pranishmit, edhe pse më pas drejtuesi i “Reds është munduar ta përgënjeshtrojë dhe tashmë të dyja palët po zihen se çfarë u tha në atë prononcim. Në fakt, duke besuar versionin e tifozëve, diskutimi i Purslou ishte ky: “Liverpuli është në shitje dhe do të shitet. Pronarët duhet ta bëjnë sepse nuk kanë para. Banka do që të shitet, tifozët po ashtu dhe ka njerëz që duan ta blejnë. Sigurisht që problemet në fushë nuk janë për faj të pronarëve aktualë dhe nuk mund të thuhet se ata që do të vijnë, do të garantojnë rezultate. Unë doja investime sikurse ju dhe e kam thënë, premtimet e Hiks e Gilet kanë qenë të pafalshme”. Deklarata që këshilltari i hodhi poshtë të gjitha, duke nënvizuar se u ka thënë thjesht të mos protestojnë kundër dy amerikanëve, sepse kjo po prishte shumë punë në kërkimin e investitorëve të rinj. Cilado që të jetë e vërteta e asaj mbledhjeje, mbeten faktet e dhëna nga “Times”: amerikanët kanë kohë deri në qershor për të gjetur 100 milionë sterlinat (114 milionë eurot) e nevojshme për të shlyer borxhin e me “Royal Bank of Scotland”. Në të kundërt, shitja e klubit do të jetë zgjidhje e mundshme, të paktën derisa të gjendet një tjetër institut kredie, i gatshëm që të japë një tjetër borxh. Në të njëjtin takim me tifozët, Purslou ka siguruar se Rafa Benitez nuk do të largohet asgjëkund. “Ne kemi një projekt afatgjatë 5-vjeçar me Benitez dhe nuk e mendojmë e nuk do ta mendojmë të ardhmen pa të, sikurse demonstron edhe oferta për të rinovuar kontratën me të dhe me shumë lojtarë të rëndësishëm. është normale që skuadrat e mëdha interesohen për Rafan, por edhe unë dua shumë gjëra në jetën time, por nuk do të thotë që mund t’i kem vërtet”. Nuk do të ikin as Fernando Torres dhe Stiven Xherrard që, që sipas drejtuesit, do të qëndrojnë te Liverpuli, edhe në rast të moskualifikimit për në Champions. E ardhmja e Benitez gjithsesi është në dyshim. Përflitet shumë për një kalim të mundshëm të tij te Juventus. Gjithsesi, “Zonja e Vjetër” ka vendosur eventualisht për Alberto Zakeronin. Kjo nuk do të thotë se spekulimet për Benitezin përfunduan, pasi Reali i Madridit shikohet si destinacioni i tij i ardhshëm. Nga Anglia pohojnë se presidenti i Realit, Florentino Perez, nuk është i kënaqur me rezultatet e Manuel Pelegrinit. Prandaj ai mund të zëvendësohet nga Benitez në fund të sezonit. Megjithatë realizimi i kësaj hipoteze do të jetë i vështirë. Benitez jo vetëm që ka një marrëdhënie jo të mirë me drejtorin teknik Jorge Valdano, por tifozët e Realit nuk e pëlqejnë stilin e tij të lojës. Fansat e Real Madridit duket se janë kundër afrimit të 49-vjeçarit.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›