Vankuver 2010, Presidenti Topi i dorëzon flamurin Erjon Tolës
Lojërat Dimërore
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka dorëzuar skiatorit Erjon Tola, sportistit të vetëm shqiptar që do të marrë pjesë në Olimpiadën Dimërore “Vankuver 2010”, flamurin Kombëtar. Mes të tjerëve, në ceremoninë zyrtare kanë marrë pjesë zv/ministri i Sporteve, Dashnor Bajaziti, presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Agim Fagu. Lojërat Dimërore në Kanada do të startojnë më 12 shkurt, e do të vazhdojnë për mbi dy javë, deri më datën 28. Kreu i shtetit i dorëzoi skiatorit Tola flamurin pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe në përshëndetjen drejtuar të pranishmëve, ai i uroi suksese delegacionit kuqezi. “Për mua, ky është një moment i veçantë, një nga ato emocione që të dhuron bota e sportit, por natyrisht të jep edhe simbolika e këtij aktiviteti, simbolika që lidhet me dorëzimit të flamurit kombëtar. Besoj që ky është një moment emocionues për të gjithë dhe mbi të gjithë për Erjonin, i cili ndonëse përfaqësues i vetëm në këto gara, do të ketë në dorë flamurin kombëtar me një mesazh shumë të fortë”, deklaroi Presidenti Topi, i cili kërkoi më tepër vëmendje për sportin e skive. “Ne do të dëshironim që pjesëmarrja të ishte më e gjerë, por është shumë e rëndësishme të marrësh pjesë. Në një farë mënyre jeni pikë referimi për këtë lloj sporti, i cili paradoksalisht në një vend me një terren kryesisht malor nuk praktikohet edhe aq. Rreth tre të katërtat e territorit është kodrinor-malor, por edhe të vetmin sportist (skiator) që kemi, ai e ushtron këtë lloj aktiviteti jashtë këtij terreni. Dëshiroj të transmetoj një mesazh për t’iu kthyer traditës, për ta shfrytëzuar këtë mundësi të jashtëzakonshme që na ka dhënë Zoti dhe natyra dhe për ta ushtruar këtë sport, sepse është një disiplinë, e cila sot praktikohet nga miliona njerëz. Unë ju falënderoj sinqerisht në emrin tim dhe në emër të të gjithë shqiptarëve që jeni pjesë e këtij kompeticioni të rëndësishëm në Lojërat e 21-ta Olimpike ku flamuri shqiptar do të ngrihet në Vankuver. është shumë e rëndësishme që do të jeni pikë referimi për të edukuar brezat”.
#