Skandali i dritave, hetim për shpërdorim detyre
Prokuroria
Organi i akuzës do të nxjerrë përgjegjësit pas hetimit të kontratave të mëparshme
Fikja e dritave ishte një skandal i madh për shumë shqiptarë që e kanë përjetuar direkt në shkallët e stadiumit “Qemal Stafa”, por jo më pak për ata që e panë nga televizionet shqiptare, aq më keq ato të huaja. Një “nam” i keq, që Shqipëria la në momentin që duhej të ishte dita e promovimit të potencialit të saj tërheqës. Megjithatë, pesha e saj që ndodhi u ndie pak kohë pas fikjes së dritave, kur një pjesë e televizioneve të huaja (ato spanjolle), po transmetonin direkt skandalin shqiptar. U vu në lëvizje i gjithë ekzekutivi dhe strukturat e mëposhtme, por imazhi tashmë ishte prishur dhe pjesa e dytë e ndeshjes u desh të rifillonte 90 minuta me vonesë. Gjithsesi, shteti shqiptar tentoi ta ndreqë atë skandal duke hapur një hetim të mirëfilltë, që ndoshta nuk do të kishte ndodhur, nëse do të bëhej fjalë për një ndeshje të kampionatit shqiptar. Menjëherë hyri në lojë Prokuroria e Tiranës, e cila pasi mblodhi provat, nisi hetimin e çështjes që na “turpëroi” para botës. Organi i akuzës pas rreth dy javësh hetime të mirëfillta ka vendosur dje që “të regjistrojë procedimin penal lidhur me skandalin e fikjes së dritave në stadiumin “Qemal Stafa” kur po luhej ndeshja Gramozi-Real i Madridit, nënvizon burimi ynë pranë prokurorisë. Procedimi është regjistruar vetëm për veprën “Shpërdorim detyre” dhe jo me emra konkretë. Aktualisht, hetuesit janë duke verifikuar praktikën e ndjekur nga drejtuesit e stadiumit në ndeshjet e kaluara, si dhe në ndeshjen kur u shfaq skandali”. Tashmë çështja duket se do të hyjë në fazën më të nxehtë të saj. Përveç akuzës, tashmë pritet që brenda pak ditësh të dalin edhe emrat konkretë përgjegjës të asaj që ndodhi. Sikurse është bërë e ditur nga Prokuroria e Tiranës, “në skaner po kalojnë disa kontrata, nga të cilat pritet të nxirren emra konkretë që kanë përgjegjësi për marrjen e masave gjatë zhvillimit të ndeshjeve”. Një nga pikat ku mbështetet hetimi i organit të akuzës është ajo e procedurave të ndjekura më parë, për ndeshjet kombëtare dhe ndërkombëtare. “Gjithashtu, po verifikohet rregullorja e stadiumit e të tjera”, nënvizon ky burim, i cili u referohet të rejave më të fundit nga prokuroria. Gjithsesi shpresohet, që nga veprimet e institucionit të akuzës të zbardhen përgjegjësit dhe të vihen para drejtësisë. Një gjë e tillë do të ndihmonte në shmangien e një “amullie” të tillë jo të pashmangshme për rastet e tjera, qoftë në lidhje me ndeshje të kampionatit shqiptar të futbollit, ashtu edhe me impenjimet ndërkombëtare të klubeve apo përfaqësuesit tanë në turnetë përkatës. Gjithsesi, edhe pse prokuroria ka shmangur përmendjen e emrave konkretë, duket se përgjegjësia kryesore bie mbi drejtuesit kryesorë të stadiumit, në momentin e incidentit të hidhur.
#