E Diel, 1 Nëntor 2026

Riberi mund të rinovojë kontratën me Bajern Mynih

Mesfushori
Menaxheri i yllit francez ka dhënë sinjale pozitive, firma pritet në mars

Sipas menaxherit të Frenk Riberisë, telenovela rreth mesfushorit francez të Bajernit të Mynihut pritet të përfundojë shumë shpejt. Përfaqësuesi i lojtarit ka lënë të nënkuptohet se rinovimi i kontratës me gjigantët bavarezë është fare pranë. Për shërbimet e 26-vjeçarit janë interesuar Reali i Madridit dhe Mançester Siti, megjithatë ai mund të zgjedhë që të qëndrojë në “Alianz Arena”. “Vendimi i Frenk për të qëndruar te Bajerni është edhe në dorë të klubit dhe sa të gatshëm do të jenë drejtuesit që të ndërtojnë një skuadër, e cila do të ruajë pozita të forta në Europë”, tha menaxheri Alen Miljaço për gjermanen “Bild”. “Nuk duhet të harrojmë se Riberi ka kontratë me skuadrën deri në vitin 2011 dhe kjo bën që Bajerni të ketë në dorë nëse dëshiron të hapë negociata me klubet e interesuara. Deri në momentin kur do të takohemi me Karl Hainc Rumenigen, Uli Hënesin dhe Kristian Nerlinger, nuk do të ndodhë asgjë”. Sipas spekulimeve më të fundit që kanë qarkulluar rreth situatës së Riberisë, i cili vazhdon të mungojë për shkak dëmtimi, drejtuesit e klubit i kanë parashtruar një ultimatum lojtarit, në mënyrë që ta bindin të qëndrojë në Bundesligë. Miljaço i ka përgënjeshtruar këta zëra, duke konfirmuar se përgjigjja përfundimtare e klientit të tij do të jepet “në fillim të marsit”. Në fillim të dhjetorit 2009, përfaqësuesit e lojtarit kishin thënë se “Riberi nuk do të rinovojë me Bajrernin”, por gradualisht ata kanë ndryshuar qëndrim.
Në çështjen e mesfushorit me tipare sulmuese ka ndërhyrë edhe trajneri i bavarezëve, Lus van Gal. Tekniku holandez, i cili në fillim të sezonit nuk ka pasur marrëdhënie të mira me lojtarin, e ka paralajmëruar Riberinë se te Reali i Madridit rrezikon të mos luajë në formacionin titullar dhe se zgjedhja më e drejtë do të ishte rinovimi me Bajernin. “Do të dëshiroja që Frenk të qëndronte me ne edhe gjatë sezonit të ardhshëm”, tha Van Gal. “Ai e ka të qartë se në Madrid yjet nuk luajnë gjithmonë dhe qëndrojnë edhe në stolin e rezervave, si Van der Vart, Van Nistelroi apo Raul”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›