E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilltarja e Berishës emërohet në krye të KKRT

TIRANE-Endira Bushati, këshilltarja për çështjet ligjore e kryeministrit Berisha dhe anëtare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, u zgjodh mbrëmë kryetare e Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit.

Bushati fillimisht u votua si anëtare e këtij institucioni, ku mori 70 vota pro dhe 3 abstenime, ndërsa për postin e kryetares mori 68 vota pro dhe 4 katër abstenime. Kështu, bëhet zëvendësimi i Mesila Dodës, ish-kryetarja e këtij institucioni, që në zgjedhjet e 28 qershorit 2009 u zgjodh deputete në qarkun e Fierit.

Rikompozimi i KKRT-së u bë në mënyrë të njëanshme nga maxhoranca, pavarësisht se opozita ka kërkuar që kjo të bëhet në mënyrë konsensuale dhe profesionale. PD-ja largoi përfaqësuesin e opozitës Detar Hysi por nuk shkarkoi Altin Ndroqin i cili ka qenë ish-kandidat për deputet për PD-në.
Parlamenti zgjodhi dje dhe Suela Mustën, anëtare tjetër zëvendësuese në KKRT, për shkak të largimit të Mark Markut, që gjithashtu u zgjodh deputet i kësaj legjislature në qarkun e Lezhës. Musta ka një eksperiencë pune si gazetare dhe së fundmi ka punuar pranë zyrës së shtypit të Kuvendit të Shqipërisë, drejtuar nga Jozefina Topalli. Nga kjo zyrë garonte për postet e mësipërme edhe Elida Dapa, ndërsa jashtë këtyre garonte dhe Margarita Veliaj. Që të dy këto kandidatura nuk e fituan të drejtën për të qenë anëtare të KKRT-së.

Me shumicë votash, deputetët shkarkuan dje anëtarin tjetër të këtij institucioni, Detar Hysin, për të cilin u shënua një votë kundër. Të gjithë këto kandidatura kanë kaluar më parë në Komisionin e Medias, i cili ka përgatitur një raport për secilin prej propozimeve, qoftë edhe të shkarkimit të Hysit. Relacioni për këtë shkarkim nuk u lexua mbrëmë nga drejtuesit e seancës së djeshme.

Hysi ka një padi nga ana e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive në Prokurori, për shkak se ai ka fshehur një pasuri shumëmilionëshe dhe nuk e ka justifikuar në mënyrë bindëse këtë pasuri. Sipas ILDKP-së, kjo pasuri rezulton të jetë bërë në kohën kur ai ka punuar si kryetar i Zyrës së Përmbarimit në Tiranë. Shuma për të cilin akuzohet ai është 7 milionë lekë të reja. Gjithsesi, maxhoranca e ka vazhduar sulmin ndaj Hysit me një kallëzim në Prokurorinë e Tiranës që në janar të këtij viti, ndërkohë që shkarkimi i tij u arrit të bëhej vetëm në nëntor nga Parlamenti shqiptar. Votimi për anëtarët e rinj të KKRT-së vjen në një kohë kur opozita e ka shtruar këtë çështje për diskutim, në listën e gjatë të kërkesave që ajo ka ndaj maxhorancës dhe si kusht për të hyrë në Parlament. Opozita ka kërkuar që ky institucion të jetë jopolitik me ekspertë të fushës. Edhe pse kryeministri Berisha është shprehur i gatshëm që të ulet në tryezë me opozitën për të zgjidhur të gjitha çështjet, përveç hapjes së kutive, duket se nuk është i gatshëm ta respektojë edhe këtë kusht të së majtës.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›