E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e gruas shtatzënë, prokuroria rinis hetimet

BERAT -Gjykata e Apelit në Vlorë rikthen shpresat tek familjarët për zbardhjen e plotë të ngjarjes së vdekjes së Mimoza Mançes, e cila 5 vjet më parë humbi jetën në spital ndërsa priste të sillte në jetë fëmijën e saj të tretë.

Mësohet se Apeli ka vendosur të rikthejë në Prokurorinë e Beratit hetimin e çështjes për vdekjen e 32-vjeçares dhe të foshnjës së saj, që nuk arriti të vinte në jetë. Në këtë vendim është përcaktuar qartë se, bazuar në përfundimin e aktit të ekspertimit, ka rezultuar i gabuar vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë e Beratit, e cila vendosi rrëzimin e kërkesës penale të bashkëshortit të viktimës, Arben Mançe dhe pushimin e çështjes.

Gjykata e Apelit ka argumentuar se nga ekspertët nuk është sqaruar se cilat janë mangësitë e infrastrukturës spitalore dhe cilat janë mangësitë e përgatitjes profesionale të mjekëve që janë marrë me trajtimin e viktimës dhe në çfarë raporti qëndrojnë këto dy lloj mangësish me njëra-tjetrën.

Tashmë, organi i akuzës në Berat duhet sërish të hetojë në lidhje me anën objektive të kësaj çështjeje, të kryejë hetimet duke thirrur mjekët që kanë përpiluar aktin e ekspertimit për të dhënë sqarime. Sipas Apelit, hetimet duhet të vazhdojnë për të sqaruar nëse mungesat procedurale mjekësore shkaktuan vdekjen e viktimës, në kushtet ku vetë ekspertët në konkluzionet e tyre nuk janë shprehur qartë për sa i përket mundësisë së shpë-timit të jetës së pacientes. Menjëherë sapo është njohur me këtë vendim, bashkëshorti i Mimoza Mançes, Arbeni, pohoi se do ta ndjekë këtë çështje deri në zbardhjen e së vërtetës dhe se do të bëjë një ankesë pranë kryeprokurores Ina Rama për zvarritjen e hetimeve. 32-vjeçarja Mimoza Mançe, banore e fshatit Otllak në rrethin e Beratit, humbi jetën në maternitetin e këtij qyteti më 16 gusht të vitit 2004. Pas ngjarjes familjarët e saj akuzuan mjekun obstetër Julian Hebibaj, i cili kishte ndjekur shtatzëninë e gruas.

(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›