E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Jo bojkot” Blushi, Ramës: Vetëm burracakët lënë vendin pa opozitë



Nga salla e Akademisë së Arteve, nisi dje “Lëvizja për mendim ndryshe” në PS. Ndryshe nga herët e tjera, kjo lëvizje politike në PS ka një mbështetje në bazë e cila kishte mbledhur dje qindra anëtarë në sallë. Mes tyre ishin edhe figura historike në PS, si ish-Presidenti Rexhep Meidani, Miokom Zeqo, Ylli Bufi etj., por edhe mjaft figura aktive dhe qendrore në PS, si Ben Blushi, Arben Malaj, Kastriot Islami, Andis Harasani, deputetë dhe anëtarë të tjerë të kryesisë. Blushi dhe Malaj thanë se “ky është fillimi i një opozite ndryshe”, që, sipas tyre, fillimisht duhet të kthehet në Kuvend. “Jo bojkot! Për një PS të bashkuar dhe ndryshe!” është slogani i fraksionit të ri në Partinë Socialiste.

“E vërteta e kutive të votimit mund të gjendet vetëm duke marrë pjesë në Parlament dhe për të bërë një opozitë që Shqipëria ka më shumë nevojë se kurrë. Vetëm burracakët largohen dhe lënë vendin pa opozitë, që do ta bënte komode në punën e saj çdo qeveri dhe çdo kryeministër”. Me këto fjalë iu drejtua dje Ben Blushi qindra anëtarëve të PS-së, të cilët u mblodhën në sallën e Akademisë së Arteve. “Lëvizja për mendim ndryshe” nisi dje nga puna, që sipas deputetit Arben Malaj, “ky është vetëm fillimi i saj”. Në takimin e djeshëm morën pjesë shumë prej figurave historikë të PS-së, të cilët përkrahin kthimin e PS-së në Kuvend si dhe reformimin e partisë pa Edi Ramën në krye. Në sallë u evidentuan, krahas drejtuesve aktualë me peshë, figura historike në PS-së, si ish-Presidenti Rexhep Meidani, ish-Kryeministri Ylli Bufi, Moikom Zeqo e shumë të tjerë, të cilët mbështetën këtë lëvizje. Ben Blushi tha më tej se do të vijojnë takimet në bazë për reformimin e partisë dhe mbajtjes “larg strategjisë së bojkotit së Parlamentit dhe për maksimalizimin e përgjegjësive brenda të majtës për të gjetur arsyet pse i humbën zgjedhjet”. Sipas tij: “PS i humbi zgjedhjet jo vetëm për shkak të cilësisë së zgjedhjeve, pasi për to, mendoj që ishte një shans i humbur për të bërë zgjedhje demokratike, por përgjegjësitë mbeten brenda PS-së, e cila nuk u paraqiti shqiptarëve një program të qartë për ta votuar. PS nuk po përtyp disfatën e 28 qershorit, nuk po gjen dot kurajën të ndryshojë, si në 2005-n. PS po bojkoton, po nuk po lufton. PS po hidhet në një betejë, me një ushtri që po braktis frontin”. Ai tha më tej se situata aktuale i shërben vetëm Berishës, pasi sipas tij, çdo kryeministër do të preferonte që të mos kishte kundërshtar përballë. “Po ku është opozita sot? Ajo nuk është në Parlament. Po mblidhet në salla qytetesh për të kuptuar se ku ndryshon Edi Rama nga Edi Rama. Nuk hyn në Parlament, nuk hyn në zgjedhje, nuk pyet ndërkombëtarët, ndalon deputetët të hyjnë në PS. Edi Rama nuk ka mundur dot Sali Berishën, por ka mundur Partinë Socialiste. Ne jemi këtu për të mundur Berishën. PS nuk ka arsye të trembet. Ajo duhet të kthehet në betejën politike, t’i thotë “Jo” bojkotit”, -tha më tej Blushi.

Lëvizja e re

Deputeti Malaj tha në takimin e djeshëm se ai është fillimi i një lëvizjeje në PS. Ai tha se do të vijojë më tej takimi me bazën në të gjithë vendin. “Ky nuk është thjesht vetëm një takim, por një fillim i takimeve të gjera në publik. Misioni ynë fisnik është modernizimi i Partisë Socialiste, por jo vetëm, edhe të modernizojmë vendin tonë”, - tha Malaj, duke shtuar se demokracia në PS është cenuar rëndë. “PS arrin objektivat e saj, vetëm duke qenë në Parlament. Një parti me tendenca radikalizuese bëhet e vogël, aspak demokratike dhe humbet shanset për të qenë parti fituese. PS duhet të ndalë bojkotin, një parti moderne e arrin suksesin duke marrë pjesë në institucione”, - tha Malaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›