E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda dënojnë anëtarët e “Hakmarrjes për drejtësi”

Dy burgime të përjetshme dhe 177 vite burg për dhjetë anëtarë

Laureta Rryçi

Tiranë - Gjykata e Krimeve të Rënda shpall fajtorë të akuzuarit si anëtarë të organizatës kriminale, “Hakmarrja për drejtësi”. Kolegji penal gjykoi t’i shpallte fajtorë të akuzuarit duke u dhënë dënime të rënda të gjithëve. Lista e dënimeve nis me dy dënime me burgim të përjetshëm që u dhanë për Altin Arapin dhe Orik Shytin. Ndërsa për të tjerët janë dhënë vendime mbi 20 vite burg. Për Gentian Cakën 25 vite burg, Për Leart Shytin 24 vite, Roland Shytin 25 vite, Kreshnik Spahiun 24 vite, Dritan Haten 23 vite dhe Nikolin Novruzajn 24 vite burg.
Pretenca
Pas disa vitesh proces gjyqësor të pandërprerë, i zhvilluar javë për javë, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi vetëm pak ditë më parë dënimin me 146 vjet heqje lirie për shtatë nga të pandehurit e organizatës kriminale “Hakmarrja për drejtësi” dhe tre dënime të përjetshme për tre të pandehurit të tjerë, të konsideruar edhe si krerët të organizatës. Dy prokurorët e çështjes lexuan 135 faqe konkluzione përfundimtare, në të cilat kanë parashtruar serinë e veprave penale të ndara në 18 episode të ndryshme, në të cilat pretendohet se janë përfshirë 10 të pandehurit e kësaj çështjeje. Dy prokurorët e çështjes i kërkuan togave të zeza të kryesuara nga gjyqtarja Flora Hajredinaj shpalljen e tyre fajtorë për të gjitha veprat penale që këta të fundit akuzohen. Në konkluzionet përfundimtare, prokuroria i ka kërkuar gjykatës deklarimin fajtor dhe dënimin me “burgim të përjetshëm” për të pandehurin Orik Shyti dhe po të njëjtën masë dënimi për dy të pandehurit e tjerë, Altin Arapi dhe Gentian Caka. Për të pandehurit Leart Shtyti, Kreshnik Spahiu si dhe Dritan Hate prokuroria ka kërkuar deklarimin e tyre fajtor dhe dënimin me 22 vjet heqje lirie secili. Ndërkohë që kërkoi dënimin me 25 vjet burg për Roland Shytin dhe 8 vjet burg për të pandehurin Gëzim Gjoni, i vetmi person që ndenji për disa vite në qelitë e paraburgimit, në krahasim me pjesën tjetër të grupit që kanë përfituar statusin e azilantit politik në Belgjikë. Dhe në fund të konkluzioneve, prokurorët deklaruan fajtor dhe kërkuan dënimin me 21 vjet burg për të pandehurin tjetër të organizatës kriminale Pasho Norvruzaj.
Azil politik
Pesë të pandehurit e bandës kanë përfituar prej disa kohësh azilin politik. Orik Shtyi, Altin Arapi, Nikolin e Pasho Novruzaj si dhe i pandehuri Kreshnik Spahiu janë të strehuar politikë në Belgjikë, ku edhe mbrohen nga ky shtet. Këta të fundit, edhe pse mund të dënohen në vendin tonë do të lëvizin të qetë në këtë shtet për vite me radhë “pa u hyrë një gjemb në këmbë”. Shteti u dha statusin e azilantit politik, pasi faktuan me dokumentet që dispononin se u rrezikohej jeta në Shqipëri. Mësohet se për të përfituar këtë status ka aplikuar edhe i pandehuri tjetër, Leart Shyti.

Krimet për të cilat akuzohen

1. Vrasja e Bujar Kaloshit, 26.07.1996
2. Vrasja e Pirro Koninit, 12.04.1995
3. Vrasja e S.Jatës, 15.12.1993
4. Rrëmbimi i Erion Nushit, 30.10.1995
5. Autobomba tek VEFA në Tiranë, 26.02.1996
6. Vjedhja e arkës së kursimeve të Lagjes nr. 8, 02.06.1992
7. Arka e zhdoganimit, 09.12.1992
8. Banka e Tiranës, 29.01.1993
9. Vjedhja e pistoletës së Demir Lamit, 30.06.1993
10. Vjedhja e Swiss Air, 17.12.1993
11. Vjedhja e dytë e Swiss Air, 17.06.1994
12. Vjedhja e Malev, 29.07.1994
13. Vjedhja e Shkumbin Petrol, 16.08.1994
14. Vjedhja e IAP, 12.10.1994
15. Vjedhja e IAP, 07.12.1994
16. Vjedhja e Gjallicës Vlorë, 13.12.1994
17. Vjedhja e argjendarisë “Agron”, 14.01.1995
18. Vjedhja e Bankës së Vlorës, 20.01.1995
19. Vjedhja e INSIG, 21.02.1995
20. Vjedhja e Adria-s, 01.03.1995
21. Vjedhja e Gas Butan, 03.03.1995
22. Vjedhja e arkës së sfungjerit, 15.06.1995
23. Vjedhja e VEFA-s në Vlorë, 21.01.1996
24. Vjedhja e Bankës së Vlorës, 18.04.1996

Vendimi
Orik Shyti, burgim i përjetshëm
Altin Arapi, burgim i përjetshëm
Gentian Caka, 25 vite burg
Nikolin Novruzaj, 24 vjet heqje lirie
Roland Shyti, 25 vjet heqje lirie
Leart Shyti, 24 vjet heqje lirie
Kreshnik Spahiu, 24 vjet heqje lirie
Dritan Hate, 23 vjet heqje lirie
Pasho Novruzaj, 22 vjet heqje lirie
Gëzim Gjoni, 10 vjet heqje lirie

Ndalohet turku, vodhi nga firma “Gintash” 1,5 milionë euro

TIRANË - Specialistët e Seksionit Kundër Krimit Ekonomik-Financiar në Tiranë arrestuan dy ditë më parë një shtetas turk për veprat penale të mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve. Husnu Kemal Vatansever, 51 vjeç, lindur në Tetovë dhe banues në Tiranë, u vu në pranga pas një denoncimi për mashtrim e vjedhje kryer ne kompaninë “Gintash Alb Konstruksion”, bëri të ditur dje zyra e shtypit e Policisë së Tiranës. Vatansever ka realizuar përmes mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve vjedhjen e shumës 1 milion 500 mijë euro nga kjo firmë. Materialet për veprime të mëtejshme procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale të konsumuara prej këtij personi.

Gjenerali Bahja për Gërdecin: “Zbatova urdhrat”

Tiranë – Gjenerali Zija Bahja, ish-komandant i Komandës Mbështetëse, i shkarkuar pak kohë më parë, i kërkon gjykatës ta kthejë me detyrë në Forcat e Armatosura, pasi ka zbatuar vetëm urdhrat e ish-ministrit Mediu dhe struktura që ai drejtonte nuk ka lidhje me tragjedinë e Gërdecit. Gjenerali pohon se pasi ka lënë detyrën e diplomatit, ai drejtonte prej 10 muajsh Komandën Mbështetëse, e cila merrej edhe me transportin e municioneve drejt Gërdecit. Gjatë kësaj kohe drejt punishtes së Gërdecit, sipas Bahjas, janë transportuar më shumë se 100 tonë municione në ditë. Bahja shton se disa herë ka raportuar për fluksin e ngarkesave, naftën që shpenzohej për llogari të komandës dhe efektivat shtesë që i kërkoheshin për t’u angazhuar në këtë proces.

Aksidentoi me makinë 74-vjeçarin, policia e dërgon në qeli

Tiranë – Një i ri është arrestuar në flagrancë nga specialistët e hetimit të aksidenteve rrugore, pas aksidentimit të një 74-vjeçari. Burimet thanë se Elio Trebina, 21 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë në kryqëzimin e rrugës “Ali Demi” duke drejtuar automjetin tip “Volkswagen”, me targë TR. 7701 J, është përplasur me çiklomotorin pa targa të drejtuar nga shtetasi Kurt Tota, i vitlindjes 1934. Nga përplasja ka mbetur i plagosur drejtuesi i çiklomotorit, i cili është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. U kryen veprimet procedurale, materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, parashikuar nga neni 290/1 i Kodit Penal.

Kthehet tek i zoti në Norvegji makina e sekuestruar në Tiranë

Tiranë - Specialistët e Seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme, pranë Policisë së kryeqytetit, bazuar në urdhrin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kanë realizuar kthimin tek autoritet Norvegjeze, të automjetit tip “Mercedez Benz” me targë DJ 79395.
Ky automjet rezulton se është i vjedhur në Norvegji dhe është sekuestruar rreth disa muaj më parë nga policia. Strukturat e Policisë së Tiranës, duke bashkëpunuar me Prokurorinë e Tiranës, me autoritetet policore franceze, nëpërmjet përfaqësuesve të Ambasadës Franceze të atashuar në Tiranë, kanë realizuar kthimin tek i dëmtuari të mjetit me të dhënat e mësipërme. Ndërkohë, falë një marrëveshje të bërë përmes autoriteteve, nga specialistë të seksionit Kundër Trafiqeve në bashkëpunim me Prokurorinë, do të mbahen kontakteve të vazhdueshme me autoritet policore si dhe me përfaqësuesit e Ambasadave Gjermane dhe Italiane në atashuara në Tiranë, me qëllim kthimin tek pronarët e tyre, mjetet e vjedhura në shtetet e sipërcituara.

2 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›