Kur gruaja e Ahmedinexhadit dhe Nexhmije Hoxha bëjnë leksione demokracie në të njëjtën ditë
Kohët e fundit po asistojmë në një rikthimin të së keqes nën petkun e grave që kanë ose kanë pasur pushtet. Në seminarin e përvitshëm që u zhvillua në pallatin e FAO-s në Romë, organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi kumtoi se është duke u ballafaquar me vështirësi në shpërndarjen e produkteve ushqimore për vendet më të varfra, dhe se është e detyruar t’i ulë mjetet e paracaktuara për rajonet më të prekura në botë. Përgjithësisht Samiti i FAO-s denoncon “hipokrizinë” e fuqive të mëdha para dramës së urisë dhe të varfërisë në botë. Midis atyre që referuan ishte edhe zonja Azham al Farahi, gruaja e Ahmadinexhadit, kasapit të demokracisë iraniane, njeriut që e ka futur vendin dhe popullin e vet në një konflikt permanent, në një qorrsokak ndërkombëtar, për shkak të kërkesës për t’u pajisur me një armë atomike. Banaliteti i së keqes shihej në perçen e zeze të kësaj zonje, për të cilën forumet opozitare iraniane thonë, se ashtu si gratë e diktatorëve (si gruaja e diktatorit Hoxha, Nexhmija), është po aq e zezë në shpirt. Stereotipi i leksioneve në forumet ndërkombëtare nga ana femërore e tiranëve, i ka tërhequr gjithmonë intelektualët, të cilët kërkojnë të zhbirojnë personalitetin e atyre që kanë bërë mizori tek popujt e tyre. Kuptohet fare lehtë se pas atij chadori të zi, që të flet për urinë në botë, fshihet persekutimi i të drejtave të njeriut, shfaqje që bën kontrast të madh me vajzën simbol të Iranit, Neda Agha Soltan-in, e vrarë në sheshin kryesor të Teheranit nga milicitë basij në moshën 27 vjeçare. Si mund të injorosh ekzekutimet me vdekje të 349 personave në 2009-n, pa thënë pastaj se nuk dimë se sa janë varrosur pa nam e nishan, sepse - ta zëmë - kanë bërë adulter. Në forumin e FAO-s ishte edhe bashkëshortja e Mugabes, njërit prej diktatorëve më në zë të Zimbabves. Ky vend është i zhytyr në varfëri, 70 përqind e popullsisë jeton nën standardin zyrtar të vendosur nga vetë OKB-ja. 10 nga 13 veta luftojnë çdo ditë në Zimbabve për bukën e gojës, kurse gruaja e diktatorit të bën leksione sesi mundet varfëria. Në ç’kohe paradoksale jetojmë? Në të njëjtin vend, prezente ishte edhe ministra e drejtësisë së Kubës, Maria Esther Reus Gonzalez, ministrja e vendit ku disidentët politikë mbahen në burg në kushte mizore, vetëm se mendojnë ndryshe nga fosil-komunisti Fidel Kastro.
Në aneksin tonë të përditshëm/Kohët e fundit po kërkohet të bëhet një riciklim i nomenklaturës komuniste shqiptare. Nexhmije Hoxha nuk ishte në tryezën e grave të tiranëve, edhe pse para 30 vjetësh aty do ta kishte vendin, por është përditë në gazetat e përditshme të majta, teksa bën leksione historie për figurën e diktatorit Hoxha. Shekulli XX ishte plot me katakombe morale, me totalitarizma bruto, që e konsideronin njeriun mish për top. Për utopinë sakrifikohej jeta sa hap e mbyll sytë. Në shekullin XXI, përpjekja për të risjellë njëfarë totalitarizmi soft është e dukshme. Përditë, na bombardojnë me përdhunime të së vërtetës, me fotografi e histori të retushuara sipas rradakes personale. Nexhmije Hoxha, e përkufizuar më së mirë si sufleri i djallit shqiptar, ka bojë sot të dalë e të përligjë enverizmin më të shëmtuar e radikal që ka pasur bota. Ne nuk mësuam nga rumunët që nomenklaturën e lartë e qëruan pa ndonjë skrupull të dëmshëm. Elena Ceauşescu u pushkatua po me atë represion që i pat bërë dekada me radhë popullit të vet. Shqiptarët u treguan kristianë në shpirt dhe e “falën” disi diktaturën. Ndoshta edhe paskemi gabuar! Kështu thonë disa, por ne themi se nuk kemi gabuar për statujat dhe banalitetin e së keqes. Hannah Arendt do ta kishte pasur si kavie të gjallë këtë krijesë që është e shartuar më belzebunë, do të bënte çmos ta koleksiononte në muzen e fosileve ideologjike. E keqja është kudo, si një neperkë që e lëshon helmin dhe spërkat faqet e gazetave, por anti-korpi është ndërgjegja e atyre viteve të kobshme për shpirtin e lirë të njeriut. Të përndjekurit nga regjimi kanë faluar mizoritë sepse kanë treguar mëshirët e perëndisë. Por kur mëshira e djallit do ta privojë nga Nexhmedine Hoxha?
Bota nuk do të shpëtohet nga gratë e diktatorëve, por nga gratë, që janë shumë, e që kuptojnë se ç’do të thotë liri!