E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lorenco dominon provat, "pole" në Estoril

Horge Lorenco fiton duelin me Valentino Rosin, duke marrë "pole position" në garën e Estorilit. Piloti spanjoll i Jamahas ishte më i shpejti në asfaltin e Portugalisë, duke e ndalur kronometrin në kohën 1‘36"214. Përkrah Lorencos në vijën e parë të nisjes u renditën shoku i skuadrës, Valentino Rosi, i distancuar vetëm me 260 të mijtat dhe i rikthyeri Keisi Stoner, që më Dukatin e tij ishte tre të dhjetat më i ngadaltë. Vetëm vend i katërt për Dani Pedrozën me Hondan zyrtare, ndërsa pas tij u renditën Kolin Eduards (Jamaha Tech 3), Rendi de Puniet (LCR Honda), Loris Kapirosi (Rizla Suzuki) dhe Andrea Doviciozo (Honda). Pasi dominoi në të dyja provat e lira, Lorenco u konfirmua si piloti më i shpejtë edhe në provat zyrtare, pavarësisht një problemi muskulor në shpinë, që përhapi frikë në radhët e Jamahas. Gjithsesi, kjo nuk e ka ndaluar ish-kampionin e 250 cc që të garonte me ritme të jashtëzakonshme, deri në fund të provave. Një arsye më shumë për të shqetësuar Rosin, i cili tregoi mjaft probleme për të gjetur ritmin e duhur. Për t‘u përshtatur sa më mirë, "Doktori" bëri shumë ndërhyrje në amortizatorët e motorit M1, ndërsa rezultatet e dëshiruara erdhën vetëm në pjesën e fundit të kualifikueseve. Parashikohet që gara e sotme të jetë mjaft problematike për pilotin italian, i cili do të ketë një kundërshtar më shumë në pistë. Kjo sepse Stoner është kthyer dhe duket në formë mjaft të mirë: australiani luftoi deri në fund për vendin e parë, por trafiku dhe problemet me gomën e butë nuk e lejuan që të regjistronte kohën më të shpejtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›