E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kështu Berluskoni ma mori të dashurën 18-vjeçare”

 

Polemikat më të mëdha në Itali, kanë prekur prej javësh jetën private të kryeministrit Silvio Berluskoni, i cili me gjithë reputacionin për gafa, kësaj radhe ka hapur një “luftë të vërtetë familjare dhe politike” me përfoljet për një lidhje me një vajzë vetëm 18 vjeçe. Dëshmitë dhe intervistat e çështjes bum të mediave në Itali, por edhe më gjerë, duket se përgënjeshtrojnë njëra tjetrën. Gazeta “La Repubblica” ka mundur të sigurojë dëshminë e të dashurit të vajzës në fjalë, Noemit, Gino Flaminio i cili garanton, se kryeministri nuk është aspak mik i familjes siç ka deklaruar i ati i vajzës, por realisht njeriu që i mori atij të dashurën. Gino, 22 vjeç punon në një fabrikë në San Giovanni dhe bën një jetë normale. Për 16 muaj (nga 28 gushti 2007 në 10 janar 2009), ai ka qenë i dashuri i Noemi Letizias, vajza me të cilën kryeministri ka festuar gjatë 18 vjetorit të saj në një restorant në di Casoria, më 26 prill. “Kur nuk flija në shtëpinë e saj në Portici, dhe kur ajo nuk flinte nga unë, ngrihesha në gjashtë të mëngjesit për t’i çuar mëngjesin në shtrat; më pas e shoqëroja në shkollë dhe e merrja me motorin tim”, nis rrëfimin Gino. “Prindërit e Noemit nuk hyjnë fare këtu. Lidhja e tij ishte pikërisht me të, mes Berluskonit dhe Noemit. Noemi nuk më ka thënë kurrë se babai i saj, Elio fliste me Berluskonin për politikën. Kurrë! Do t’ju tregoj se si nisi, sepse katër apo pesë herë i kam dëgjuar edhe unë telefonatat, do  t’iu them edhe atë që më ka treguar Noemi. Raporti mes Noemit dhe Berluskonit nisi nga mesi i tetorit 2008. Noemi më ka treguar se ka bërë disa foto për një “album” mode. Ia kishte dhënë një agjencie romane, nga ato që gjejnë punë për modele, ballerina, ato që duan të bëjnë spektakël. Noemi më tha se në atë agjenci në Romë, shkonte Emilio Fede. Në fakt, sipas asaj që i kishte treguar Noemi, Emilio Fede darkon nga Berluskoni. Ai harron fotot e Noemit mbi tryezën e Berluskonit dhe kështu ai i sheh dhe i telefonon Noemit”, tregon Gino. Sipas tij, Noemi e konsideroi një mrekulli, që katër apo pesë muaj pasi dorëzoi albumin kishte tërhequr vëmendjen e tyre. “Pra, Noemi më tha se vetë Berluskoni e kishte marrë në telefon, jo sekretaria vetë ai. Ishte ora pesë apo gjashtë e pasdites, Noemi po studionte. Berluskoni i tha se ka parë fotot e saj; i thotë se e kishte shtangur ‘fytyra e saj engjëllore’, ‘pastërtia e saj’; dhe se duhet të qëndrojë kështu ‘e patër’. Kjo ishte hera e parë. Herët e tjera, nomi për të më bindur se fliste vërtet me Berluskonin më afronte celularin në vesh dhe unë dëgjova zërin e tij. Në fillim ai nuk i kishte treguar kush ishte, i kishte bërë shumë pyetje mbi moshën, çfarë i pëlqente të bënte, me se merren e ëma dhe i ati, etj. Më pas ajo në telefon e thërriste qetësisht ‘papi’. Edhe para meje. Një natë Emilio Fede dhe Berluskoni i telefonuan së bashku Noemit. Isha pranë saj në makinë. Berluskoni kishte një sjellje prindërore, e pyeste si kaloi në shkollë e gjëra të tilla. Kjo situatë nuk më pëlqente. Më dukej vetja si kasapi i qoshes që ishte fejuar me Britney Spears. Dhe i thashë Noemit: kjo situatë nuk më pëlqen, nuk besoj se ka pastërti apo respekt”. Djali tregon se ishte ndarë nga Noemi që në dhjetor. “Ajo që nuk kapërceva dot ishin pushimet e gjata të Noemit për Vitin e ri në Sardenjë, në vilën e tij”. Noemi i kishte kërkuar të merrte një shoqe me vete. Dhe kishte marrë Robertën, vajzën tjetër në foto. “Ajo u nis më 26-27 dhjetor dhe u kthye më 4-5 janar. Berluskoni e kishte tradhtuar shumë mirë, atë dhe miket e saj. Kishin qeshur. Kishte shumë vajza. Tridhjetë apo dyzet. Tha se Berluskoni e kishte kaluar vitin e ri me to. Unë nuk e besoj. E telefonoja por ajo nuk më përgjigjej kurrë. Më pas i telefonova shoqes së saj, Robertës, dhe ajo me tha se nuk mund t’ia kalonte në telefon sepse ajo ishte andej, po ku?”, tregon Gino. Në Romë për pushimin e fundvitit, Noemin e kishin shoqëruar prindërit. Në kthim ato i kishin treguar Ginos se çfarë iu kishte ndodhur. “Ndaluam në një vilë. Kishte shumë njerëz e gazetarë. Pastaj bashkë me vajzat e tjera hipëm në avionin privat të kryeministrit...”, thoshin vajzat. “Në kthim ajo nuk ishte më Noemi që njihja dhe kështu u ndamë”, tregon në “La Repubblica” i dashuri i vajzës. Tregimi i Ginos, sipas gazetës, zbardh gënjeshtrat e kryeministrit Berluskoni në intervistat e tij, se e njeh nga prindërit...Ai kurrë nuk e ka njohur Elio Letizia, atë atin e vajzës në ambiente politike. Berluskoni ka njohur Noemin. Pas një rezymeje të së gjitha ngjarjeve të ndodhura rreth kësaj teme në lidhje me kryeministrin dhe kujtesës në kohën e njohjes së tyre vajza ka qenë minorene, vetëm 17 vjeçe, gazetarët e “la Repubblica” mbyllin artikullin me një pyetje “A është mirë kryeministri i Italisë?”.

Babai i Noemit
“Po ju them një herë e përgjithmonë, se vajza ime është e pastër. Kujtojeni gjithmonë këtë fjalë: e pastër. Dhe unë jam krenar për të. Pjesa tjetër, janë të gjitha shpifje që vazhdojnë të ofendojnë familjen time”, deklaroi Benedetto (Elio) Letizia, babai i Noemit. Ai akuzon gazetat se kanë thënë çdo shpifje të mundshme. “Ju gazetarët keni thënë lloj-lloj shpifjesh dhe e dini si mund t’ju përgjigjem? Nëse doni, mundet ende të bëhet testi i ADN-së”, tha ai.

Fëmijët
Për herë të parë që pasi bashkëshortja e Kryeministrit italian,   Veronika Lario, 52 vjeçe ka njoftuar divorcin me Silvio Berluskonin, 72 vjeç, ai ka takuar pesë fëmijët e tij. Ka ndodhur dje, në Vilën San Martino, 22 ditë pas grindjes mes Kryeministrit dhe së shoqes. Berluskoni ka marrë garancinë nga fëmijët e tij se do të shikojnë divorcin e prindërve me shumë rezervim.

Berluskoni: Shpjegimet e mia, bumerang për akuzuesit
“Kush më ka akuzuar mua do të ndjejë goditjen t’i kthehet nga vetja”, tha Kryeministri Silvio Berluskoni, gjatë një interviste me CNN mbi çështjen e Noemi Letizias dhe Veronika Larios. “Nuk ka asgjë të keqe, Noemi është vetëm mike. E kam sqaruar dhe do të sqaroj çdo gjë. Tani më akuzojnë se kam gënjyer në deklaratat e mia në media, përballë kësaj akuze do të reagoj, do të shpjegoj situatën një herë e mirë dhe kur ta bëj do të jetë bumerang për ata që më kanë akuzuar mua”, tha Kryeministri italian në intervistë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›