E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kështu, ne rrimë dhe heshtim



Danjill HARMS

Olga Forshi iu avit Aleksej Tolstoit dhe diç bëri.
Aleksej Tolstoi gjithashtu diç bëri.
Aty për aty, Kostandin Fjedin dhe Valentin Stjeniç kërcyen në oborr dhe u vunë të kërkojnë gurin e përshtatshëm. Gur ata nuk gjetën, por ama gjetën një lopatë. Me këtë lopatë Kostandin Fjodini ia mbështolli Olga Forshit në surrat.
Atëherë Aleksej Tolstoi u zhvesh çipllak dhe, me të dalë në Sheshin e Shatrivanit, nisi të hingëllijë si pelë. Njerëzia pëshpërisnin: “Këqyreni si hingëllin shkrimtari i madh bashkëkohor.”
Dhe askush s’e ngau Aleksej Tolstoin.

Pushkini dhe Gogoli

Gogoli vithiset që pas kulisave ende pa shkelur në skenë dhe qëndron shtrirë e pa bëzajtur.
PUSHKINI (del në skenë, pengohet në trupin e Gogolit dhe rrëzohet). Hej, dreq! Më ngjan se Gogoli!
GOGOLI (duke u ngritur). Hej, ç’mutsihaneje! As të pushosh s’të lënë (Ecën, pengohet në trupin e Pushkinit dhe rrëzohet.) Më bëhet se zura në thua pas Pushkinit!
PUSHKINI (duke u ngritur). Asnjë minutë s’të lënë rehat! (Ecën, zë në Gogolin dhe bie.) Hej dreq! Prapë pas Gogolit!
GOGOLI (duke u ngritur). Përjetësisht e në gjithçka – beterra. (Ecën, pengohet në Pushkinin dhe bie). Hiqmu, mutsihane! Prapë në Pushkinin!
PUSHKINI (duke u ngritur). Huliganizëm! Huliganizëm tejpërtej! (Ecën, pengohet pas Gogolit dhe bie). Të piftë dreqi! Prapë pas Gogolit!
GOGOLI (duke u ngritur). E po, kjo e gjitha është tallje e pafytyrë! (Ecën, pengohet pas Pushkinit dhe bie). Prapë pas Pushkinit!
PUSHKINI (duke u ngritur). Hej dreq! Paj, për Zotin-dreq! (Ecën, pengohet pas Gogoglit dhe bie). Pas Gogolit!
GOGOLI (duke u ngritur). O, mutsihane! (Ecën, pengohet pas Pushkinit dhe bie). Pas Pushkinit!
PUSHKINI (duke u ngritur). Dreq, të shpëlaftë! (Ecën, pengohet pas Gogolit dhe bie prapa kulisave). Pas Gogolit!
GOGOLI (duke u ngritur). Çfarë mutsihanesh! (Largohet prapa kulisave.)
Prapa skenës dëgjohet zëri i Gogolit: “Prapë pas Pushkinit!”

***
Olga Forshi iu avit Aleksej Tolstoit dhe diç bëri.
Aleksej Tolstoi gjithashtu diç bëri.
Aty për aty, Kostandin Fjedin dhe Valentin Stjeniç kërcyen në oborr dhe u vunë të kërkojnë gurin e përshtatshëm. Gur ata nuk gjetën, por ama gjetën një lopatë. Me këtë lopatë Kostandin Fjodini ia mbështolli Olga Forshit në surrat.
Atëherë Aleksej Tolstoi u zhvesh çipllak dhe, me të dalë në Sheshin e Shatrivanit, nisi të hingëllijë si pelë. Njerëzia pëshpërisnin: “Këqyreni si hingëllin shkrimtari i madh bashkëkohor.”
Dhe askush s’e ngau Aleksej Tolstoin.

Mikel Anxhelo

Piktori Mikel Anxhelo ulet në një grumbull qerpiçësh dhe, duke zënë kokën me duar, nis të mendojë. Dhe ja tek përskaj tij kalon një kaposh, që ia ka qepur ata sytë e rrumbullt e të artë piktorit Mikel Anxhelo. E kundron dhe nuk i pulit. Atëherë piktori Mikel Anxhelo ngre kokën e dallon kaposhin. Kokoshi nuk i shqit sytë, nuk i pulit dhe nuk e tund bishtin. Piktori Mikel Anxhelo i pjerr sytë dhe vë re se në sy diç e ngacmon. Piktori Mikel Anxhelo fërkon sytë. Ndërsa kokoshi nuk qëndron më para tij, nuk qëndron por ikën, ikën, ikën prapa sarajeve, prapa sarajeve në pulari, në pulari te pulat e tij.
Dhe piktori Mikel Anxhelo ngrihet nga pirgu i qerpiçëve, shkund nga pantallonat pluhurin e kuq të tullave, e hedh mënjanë rrypin dhe shkon tek gruaja e tij.
Po gruaja e piktorit Mikel Anxhelo është e gjatë-e-gjatë, me gjatësinë e dy dhomave bashkë.
Rrugës piktori Mikel Anxhelo takon Komarovin, e zë atë nga duart dhe i bërtet: “Shih!”
Komarovi sheh e dallon një balonë.
“Çfarë është kjo?”, pëshpërin Komarovi.
Ndërsa nga qielli oshëtin: “Është balonë.”
“Çfarë balone na qenka?”, pëshpërin Komarovi.
Nga qielli lëshohet oshëtima: “Balonë cipëlëmuar!”
Komarovi e piktori Mikel Anxhelo ulen në bar dhe në bar qëndrojnë, mu si kërpudha. Ata mbajnë njëri-tjetrin përdore dhe kundrojnë qiellin. Ndërkaq, në qiell ravijëzohet një lugë gjigande. Çfarë të jetë kjo? Askush nuk e di. Njerëzit turravrap nxitojnë të mbyllen nëpër shtëpitë e tyre. I mbyllin edhe dyert, edhe dritaret. Por a bën derman kjo? ǒderman zeza! S’të ndihmon dot.
Mbaj mend se si në vitin 1884 u duk në qiell një kometë e zakonshme me madhësinë e një anijeje. Ishte shumë e tmerrshme. Ndërsa tani luga! E ç’është kometa para këtij llahtari.
Të mbyllen dritare e dyer! Po a do të na ndihmojë kjo, vallë? Kundër punëve qiellore s’ke si mbrohesh me një copë dërrasë. Ndërsa në pallatin tonë banon Nikollaj Ivanoviç Stupin. Ai ka një teori, sipas së cilës gjithçka është tym. Kurse sipas meje, jo gjithçka është tym. Ndofta, s’është çudi që tymi të mos ekzistojë fare. Ndofta nuk ekziston fare asgjë. Ka vetëm se një ndarje. Po ndofta, madje, asfarë ndarjeje nuk ekziston. E vështirë ta thuash.
Thonë se një piktor i njohur ka parë njëherë një kaposh. E këqyri dhe e këqyri, dhe mbërriti në bindjen se kaposhi nuk ekziston. Këtë piktori ia tha një mikut të vet, ndërsa ky miku – qesh të qeshim. Si qenka kjo kështu, nuk ekziston, kur atë e ke para këmbëve, dhe ti, thotë, the se e dalloje qartë. Ndërsa piktori i madh kërrusi kokën atëherë dhe, siç qe, ashtu u ul mbi një grumbull qerpiçësh. Kaq

Katër ilustrime...

ISHKRIMTARI: Unë jam shkrimtar.
LEXUESI: Për mua ti je një mut muti!

Shkrimtari, disa minuta i tronditur nga kjo ide e re, bie ‘dekë në tokë.

II

PIKTORI: Unë jam piktor.
PUNËTORI: Për mua, ti je një mut muti!

Piktori bëhet qefin në fytyrë,
Fërfëllon si një kallam,
Për gazep ai jep shpirt,
Në vig atë e shpjenë.

III

KOMPOZITORI: Unë jam kompozitor.
VANJA RUBLJOV: Për mua ti je një mutsihane.
Kompozitori shembet duke marrë frymë me zor. Papritur atë e mbartin.

KIMISTI: Unë jam kimist.
FIZIKANI: Kurse për mua, ti je një mutsihane.
Kimisti nuk arriti të thotë asnjë fjalë, por vithiset rëndëshëm në dysheme.

Karriera

Kjo ka bërë vaki para revolucionit.
Një shitëse gogësiu dhe brenda në gojë iu rras flatrimthi një kukuvajkë. Burri i saj, gjithashtu shitës, ngarendi për tek e shoqja dhe, me t’i rënë më të qysh qe puna, veproi në mënyrën më mendjemprehtë. Që atëherë ai u bë i njohur për gjithë banorët e qytetit dhe e zgjodhën në senat.
Pa mbushur as katër vjet në senat, i ziu burrë sesi gogësiu njëherë në mbrëmje dhe brenda në gojë iu rras fluturimthi kukuvajka.
Në ndihmë të burrit të saj ngarendi shitësja dhe veproi në mënyrën më mendjemprehtë. Fama e gjetjes së saj u përhap mbarë gubernës, dhe shitësen e shpunë në kryeqytet t’ia tregonin mitropolitit.
Me të dëgjuar rrëfimin e gjatë të shitëses, mitropoliti gogësiu dhe brenda në gojë iu rras fluturimthi kukuvajka. Në britmën për ndihmë të mitropolitit ngarendi Ivan Jakovljeviç Grigorievi dhe veproi në mënyrën më mendjemprehtë. Si shpërblim, Ivan Jakovljeviç Grigorievin e quajtën Ivan Jakovljeviç Antonov dhe ia paraqitën carit.
Dhe tanimë bëhet e qartë se në çfarë mënyre ia doli Ivan Jakovljeviç Antonovi të bënte karrierë.

Passakalija nr.1

Uji llokoçitej paqësor në këmbët e mia. Unë kundroja ujin e errët dhe shquaja qiellin. Pikërisht, mu në këtë vend, Ligudini do më thotë formulën e konstruktimit të sendeve të paqena. Unë do ta pres gjer në orën pesë dhe, nëse Ligudini gjatë kësaj kohe nuk do të bëjë ballë nën hijen e atyre pemëve, unë do largohem. Pritja ime po më hip kacabunjtë. Ja, tash dy orë që pres këtu, dhe uji i paqtuar llokoçitet në këmbët e mia.
Unë fus në ujë shkopin dhe, befas, dikush përposh ujit kapet pas shkopit tim e më tërheq. E lëshova shkopin nga dora dhe ai humbi nën ujëra me të tillë shpejtësi, saqë fishkëlleu. I çoroditur e i trembur, qëndrova ndanë ujërave.

* * *
Ligidini erdhi në pesë fiks. Erdhi fiks në pesë, sepse në bregun përkarshi vizëlloi treni: përditë në orën pesë ai rend ndanë asaj shtëpize atje. Ligudini më pyeti, përse isha aq i zbehtë. Unë i tregova. Kaluan katër minuta, gjatë të cilave Ligudini këqyri ujërat e errëta. Pastaj ai tha: “Kësaj nuk i gjendet formula. Me gjëra të tilla mund të trembësh kalamajtë, porse neve nuk na bëjnë përshtypje. Ne nuk jemi mbledhës të subjekteve fantastike. Për zemërn tonë janë të dashura vetëm veprimet e pakuptimta. Krijimtaria popullore dhe Hofmani janë të neveritshëm për ne. Gardhiqet ne na ndajnë dhe në raste të tilla enigmatike.” Ligudini solli kokën nga të gjitha anët dhe, duke bërë kryq, doli nga fusha e pamjes sime.

* * *
- A ka vallë mbi dhé diç të tillë, që të ketë rëndësi dhe madje të mund të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve jo vetëm mbi tokë, por edhe në botërat e tjera? - e pyeta mësuesin tim.
- Ka, - m’u përgjigj mësuesi im.
- Çfarë është kjo gjë, pra? - e pyeta.
- Ajo është... - ia nisi mësuesi im dhe papritmas heshti.
Unë rrija dhe prisja i tendosur përgjigjen e tij. Kurse ai heshtte. Dhe unë rrija dhe heshtja. Dhe ai heshtte. Ne të dy rrimë dhe heshtim. Ho-la-la. Ne të dy rrimë dhe heshtim. Ho- le-le. Po, po, ne të dy rrimë dhe heshtim.

Përktheu Agron Tufa

12 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›