Stina e heronjve të rremë
Shqipëria ka nevojë për qytetarë, jo për heronj të shtirë. Këto tipa janë një, por shfaqen në dy kohë të ndryshme dhe në ngjyra të ndryshme. Kur njëri është hero, sivëllai i tij i ngjyrës tjetër nuk është kurrësesi qytetar, por dordolec pa ngjyrë. Sapo heronjtë e parë dalin nga moda, dordolecët pësojnë një metamorfozë të hatashme. Ata shfaqen si heronj e qëndrestarë dhe kërkojnë lavdinë e mohuar. Dhe kjo farsë përsëritet përherë, si rregull çdo katër vjet. Disa heronj i vunë flakën gjithë qytetit para ca viteve, për të treguar në sy të popullit të dehur se sa trima dhe heronj qenë. Më pas, për merita të veçanta, kapën kreun e institucioneve, ndonëse si heronj që qenë, nuk kishin patur as rastin e as kohën për të kryer ndonjë shkollë.
Kanë fare pak të përbashkëta këto soj heronjsh me ëndërrimtarin dhe fisnikun e marrë Don Kishoti. Ky luftonte vërtet, pavarësisht se me mullinjtë e erës. Por ama rropatej për të tjerët, asnjëherë për vete dhe për fisin si bashkësi primitive. Armët i kishte shumë pak më të rrezikshme sesa heronjtë tanë, ca shpata të ndryshkura e aq. Ndërsa ky shtinjaki i sotëm ka edhe ca armë të padukshme, fort të sofistikuara, si thika të mprehta me helm, e këto janë shpifja, intriga, kërcënimi etj. Me heronjtë mbi shpinë, qytetarët shqiptarë meditojnë: Këta soj heronjsh, që ia kanë futur Shqipërisë, ka gjasa t’ia fusin edhe historisë.
Yzedin HIMA
Trualli ynë ka shumë heronj dhe pak qytetarë. Për nga sjellja, heronjtë e shtirë prej dallohen së largu. Ata flasin gjithmonë me zë të lartë dhe nuk dëgjojnë kurrë. Heronjtë e rremëjanë aq seriozë, sa të fusin datën. Kur kalon heroi në shëtitoren e vetme të qytetit, për nga serioziteti dhe vjetërsia të kujton gazin 69 të sigurimit famëkeq të diktaturës. Madje, pikërisht nga kjo ngjashmëri ka lindur krahasimi “serioz si gazi i degës”. Heroi nuk e njeh sjelljen qytetare as në elementët fillestarë të saj. Bie fjala, heroi nuk troket kurrë në derën e zyrave të shtetit. Ai hyn vrullshëm dhe, para se të paraqesë hallin apo problemin që ka, flet për bëmat e tij, për disidencën përballë diktaturës komuniste ose për luftën e madhe për të mbrojtur bustin dhe emrin e komandantit legjendar, për qëndresën përballë arbitraritetit të pushtetarëve socialistë a demokratë. Heroi nuk pret ta ftosh të ulet as në kafene, as në zyrë. Ai shkon dhe ulet drejt e në qoshe. Nëse zyrtari a qytetari i kërkon ndjesë, se është ca i zënë me punë apo edhe thjesht i duhet të meditojë pakëz e më vonë do të gjejë kohën për të dëgjuar bëmat e tij, heroi mërzitet shumë dhe nis të bërtasë sa ia lejon gërmazi: Ja, kështu më kanë pritur edhe komunistët mua! apo: Edhe demokratët kështu më përcillnin!
Heronjtë janë një, por shfaqen në dy kohë të ndryshme dhe në ngjyra të ndryshme. Kur njëri është hero, sivëllai i tij i ngjyrës tjetër nuk është kurrësesi qytetar, por dordolec pa ngjyrë. Sapo heronjtë e parë dalin nga moda, dordolecët pësojnë një metamorfozë të hatashme. Ata shfaqen si heronj e qëndrestarë dhe kërkojnë lavdinë e mohuar. Dhe kjo farsë përsëritet përherë, si rregull çdo katër vjet. Disa heronj i vunë flakën gjithë qytetit para ca viteve, për të treguar në sy të popullit të dehur se sa trima dhe heronj qenë. Më pas, për merita të veçanta, kapën kreun e institucioneve, ndonëse si heronj që qenë, nuk kishin patur as rastin e as kohën për të kryer ndonjë shkollë.
* * *
Trualli ynë gëlon nga heronjtë.
Ata janë njerëzit më të sukseshëm në njëfarë mënyre. I gjen kudo në krye të vendit. Ja, hap librin e leximit, cit me heronj, nga klasa e parë dhe deri në dispencat e akademisë. Le të mos flasim pastaj për historinë tonë të shkruar, më shumë heronj sesa fjalë.
Para pytjes naive të një shkollari, nip i Zenelit të Migjenit, çdo mësues do të ndihej keq: “Zotni mësues, kemi kaq shumë heronj dhe kaq pak rrugë të mira, kaq shumë heronj dhe kaq pak trotuare të pastërta, kaq shumë heronj dhe kaq shumë varfëri?!”. Dhe mësuesit i troket fort në tëmtha: Ca qytetarë shqiptarë që quhen Buzuku, Budi, Bardhi , Bogdani, etj. mezi dallohen në relievin fantazmagorik shqiptar të heronjve.
Heronjtë kanë pushtuar jo vetëm këngët, përrallat dhe legjendat shqiptare, jo vetëm historinë dhe letërsinë, pikturën dhe skulpturën, leksikun e gjuhës shqipe, jo vetëm sheshet publike në qëndër të qyteteve, muzetë, parqet, varrezat, lapidarët, por para së gjithash mendjet e shqiptarëve.
* * *
Gjasmeheroi i ditëve tona është më pak romantik se kurrë. Ai është një hero pragmatik. Hidhni një sy njerëzve më të suksesshëm. Si biznesmen, si shkrimtar, si qëndrestar, si kryetar bashkie, heroi është i parë. Ai gjendet me shumicë në sallën e parlamentit, në zyrat e partisë. Noli pozon para Parlamentit herë si mendimtar, herë si hero.
Tani është stina e heronjve. Heronjtë e shtirë nuk pjerdhin për shtetin dhe ligjin, ndaj edhe sfida e shtetit të sotëm është sfida ndaj heroit që ka mbërthyer ose pret ta mbërthejë doganën, komisariatin, drejtorinë, ministrinë.
Kur ata shfaqen, qytetarët e paktë hutohen përballë heroizmit dhe madhështisë së tyre prej heroi. Një zyrtar, që i dëgjon për herë të parë, ndihet ngusht para një heroi. I lind menjëherë kompleksi i inferioritetit: “Po unë ku dreqin kam qënë, kur heroi ka kryer tërë këto vepra të mëdha?!”
Heroi e nxjerr nga situata, duke e ngritur tonin dhe duke i kërkuar atë që i takon, një post, një favor për vete, për gruan, për vëllanë, kushëririn, krushkun, dhëndrin etj. Zyrtari, qenie normale dhe vdektar i thjeshtë, bëlbëzon: “Po unë ç’dreqin dua këtu? Pa asnjë meritë heroi, pa asnjë bëmë heroike individuale dhe fisnore…”
* * *
Kanë fare pak të përbashkëta heronjtë tanë me ëndërrimtarin dhe fisnikun e marrë Don Kishoti. Ky luftonte vërtet, pavarësisht se me mullinjtë e erës. Por ama rropatej për të tjerët, asnjëherë për vete dhe për fisin si bashkësi primitive. Armët i kishte shumë pak më të rrezikshme sesa heronjtë tanë, ca shpata të ndryshkura e aq. Ndërsa ky shtinjaki i sotëm ka edhe ca armë të padukshme, fort të sofistikuara, si thika të mprehta me helm, e këto janë shpifja, intriga, kërcënimi etj.
Me heronjtë mbi shpinë, qytetarët shqiptarë meditojnë: Këta soj heronjsh, që ia kanë futur Shqipërisë, ka gjasa t’ia fusin edhe historisë.
12 Maj 2008