E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur e keqja të troket



Kujtim DASHI

1
Urgjenca e kryeqytetit, mbi tarracën e së cilës hijëzonin katër-pesë fiq të egër shtatshkurtër si shkurre, prej kohësh ishte bërë vetë për urgjencë: ajo dukej si një pacient tek i cili mjekët kanë bjerrë çdo shpresë shpëtimi dhe presin t'i vijnë të afërmit për ta marrë me vete, që shpirtin ta japë në shtëpi. Meqë shpresa thonë se vdes e fundit, urgjenca ende e mbante portën hapur. Në oborrin e ndërtesës gjatë ditës mund të shihje dy-tre autoambulanca, por në fakt vetëm njëra qe në punë, e shumta dy. Kur dilte në punë edhe e treta, duhej të përmbysje diçka, të mos e merrje msysh. Si të parën, po i themi edhe autoambulancën e dytë, e ruanin vetëm për natën. Përndryshe kjo urgjencë mund të quhej edhe "e natës", e natës së verbër, shurdhane, dergjëse. Se dita ka sy e veshë dhe njeriu e gjen dermanin; merr një taksi, në mos të ndodhen fëmijët, i nxjerr dorën dikujt dhe, meqë ende s'është zhdukur gjinsi i mirëbërësve, qëllon dikush për të të çuar deri në spital a para portës së ndonjë klinike private. Ose edhe tek urgjenca, që vazhdon të shënohet në çdo guidë të kryeqytetit, madje, bashkë me oraret e trenave, avionëve, thonë se e titrojnë vendndodhjen e saj herëpashere edhe disa televizione private, si një gabim ortografik i bartur nga njëri botim te tjetri. E fshehur mes ndërtimeve të hershme e të reja, vendndodhjen e saj mund ta dinë saktësisht banorët autoktonë, pa dyshim pleqtë.
Plot katër vjet e katër muaj kishte Fatos Vojushi, i cili kishte ardhur të punonte e banonte në kryeqytet në një moshë, që s'para provon kush të bëjë aventura të tilla, sidomos duke u mbështetur vetëm në “djersën e ballit” dhe në kredira. Ai s'e kishte vrarë fort mendjen se si funksiononte urgjenca e kryeqytetit. S'kishte patur nevojë, por edhe kur rastiste ta qaste afër mendjes (ndjente ndonjë dhimbje ai apo e shoqja), e përjetonte obobujshëm si një tmerr, i dukej vetja si ndonjë robinson që s'do t'i vinte vesh askush. I qenë larguar ca nga ca dhe disa “miq për fiq”, që s’i kish njohur si të tillë. Të gjorët, kishin pandehur se ai do të bëhej ndonjë ministër, zëvendësministër a drejtor drejtorie dhe do të piqnin rehat gështenjat e tyre në tangarin e tij, se në të vërtetë e kishin ndjekur dhe ia njihnin përkushtimin idealist, dhe aq çuditeshin me thjeshtësinë e tij, sa ndonjëri syresh e merrte edhe për leshko, si një njeri që s’është as për vete, pa lë për të tjerët! Por s’e kishin njohur tamam e deri në fund. Fatos Vojushi, principial dhe i papajtueshëm më mënyrën se si po qeverisnin kolegët e tij, ose të majtët e djathtë, zgjodhi rrugë tjetër, natyrisht nuk e quante më të mirën; për të patur ndërgjegjën e qetë, iu shmang pak nga pak vendimmarrjes dhe, pabujshëm, u dorëzua specialist në një dikaster për t’u marrë, derisa të vinte një kohë më e virtytshme, me veprën e tij, për të shpëtuar nga stresi dorëshkrimor, të cilin s’ia dëshironte askujt. Sidoqoftë, të pakthyeshme e quante kohën kur jetonte në qytetin N. E kujtonte me nostalgji e njëfarë pendimi se ç’i kishte bërë vetes me atë mbartje në kryeqytet duke u joshur nga premtimet e kolegëve, të cilët, si t’ua kishin lënë trashëgim brez pas brezi pushtetin të parët e tyre, i kishin thënë “zgjidh e merr, ku të duash ti të shkosh!”. Mjaftonte një herë t'i thërriste ndonjërit prej mjekëve, kur ia behnin dy-tre njëherësh, bashkëmoshatarë të tij ose jo. Atë kohë asqë pretendonte ta jetonte më edhe në kryeqytet, por gjithsesi i dukej se, sapo të bëhej për mjek, do t'i lipsej të përballej me një qerre problemesh, si të nxirrje nga rikuperoja dhe të vije në punë në alarm një mekanizëm të ndryshkur. Ndoshta kjo mbresë i ishte krijuar ngaqë asnjëherë s'kishte patur ndonjë mendim të mirë për mjekët e infermierët e urgjencave, të cilët i quante si "të fundit e klasës", ose “të mëshiruarit”. Asgjë s'kishte bërë që ta mësonte se si funksiononte urgjenca. Madje, as kur mbeten vetëm kuk plak e plakë në shtëpi e hodhi ca adresa dhe numra telefonash në një bllok për çdo eventualitet, siç ia sugjeroi djali i madh ditën, kur u nis të punonte kamerier në një ishull të Greqisë, pas diplomimit në fakultetin e veterinarisë. Ftesës që i bënë atij (edhe si djali i Fatos Vojushit) për të marrë pjesë në një veprimtari tamtamse, të cilin e kishin titulluar “Ti Shqipëri më jep nder”, në e-mailin që ua kishte nisur organizatorëve të takimit e që u botua në një gazetë të përditshme, pasi i falenderonte për ftesën, u sugjeronte që të shtonin në logon e tamtames, e cila kushtonte disa milionë lekë, edhe fjalinë e mëposhtme “Më jep rrogë për të jetuar si njeri!”. Pra e kishte zvarritur gjetjen e mënyrës së funksionimit të urgjencës dhe e kishte lënë, kur t'i trokiste në derë e keqja. Qenë plakëruar shpejt. Fatosi pesëdhjetekatërvjeçar dhe "plaka" e tij pesëdhjetë vjeçe. Pas një jete të gjatë prej ateistësh të shtrënguar, tani i luteshin Zotit që të mos u çonte ndonjë provë që të sëmureshin papritur, sidomos natën.

2
Por erdhi një natë dhjetori, kur lutjet e tij dhe të së shoqes s'i dëgjoi më askush, as vetë Zoti, te i cili qenë kthyer ca si vonë dhe, mbase, tani nuk i njihte më. Pa mbërritur mesnata, të shoqen e zunë krizat e veshkave. Ajo i duroi sa i duroi me shpirt ndër dhëmbë, duke thënë "Hë, se do të më kalojë". Lutjes së Fatos Vojushit për të thirrur autoambulancën, gruaja e gjorë u detyrua t'i përgjigjej: "Aman, më bëj derman se mbarova!" Pendimi i tij për të lënë gjithçka kur t’i vinte e keqja në derë, tashmë s’kishte më kurrëfarë vlere. Qëkurse kishin mbetur vetëm, e kishte humbur qetësinë dhe dhe qe lidhur aq shumë me "mama gruan", sa herë-herë i thoshte me të qeshur: “Më duket se jemi binjakë, pop se s’kemi një datëlindje, çudi!". Eh, sikur të ishte njëri prej djemëve! mendoi i dëshpëruar. Ose edhe vajza. Dhëndri do t'i kishte ardhur saora. E vuante edhe të qënurit jabanxhi, derë më derë fqinji dhe nuk të të thotë "Mirëmëngjes!". Mërzitej, pasi arsyetonte se kishte lënë atë qytet të shtrenjtë, me një afenitet të papërsëritshëm, ku fqinjët ia linin çelësin e shtëpisë njëri-tjetrit. As vizitën e kortezisë, të mirëseardhjes në atë pallat, edhe pse kishin kaluar aq muaj, s'ia kishte bërë askush.
Mori bllokun me adresa dhe zuri të kërkojë me ngut numrin e telefonit të urgjencës. Gjëkundi s'e gjeti. Fundja, vetë e kishte fajin: e kishte lënë, kur t'i trokiste në derë e keqja, duhet ta kisha shkruar me të madhe si parrullë e ta vija diku në mur, qortoi veten i penduar. Sikur të ishte ca më mirë e shoqja, me siguri nuk do të ngurronte ta thumbonte siç dinte ajo, ti mor burrë s'je për gjë tjetër, veçse për libra. S'ishte kohë të trazonte kënd a të priste puna t'i telefononte baxhanakut të vet, i cili banonte në skajin tjetër të kryeqytetit. U kujtua t'i binte numrit të telefonit të zjarrfikësve. Mund të hiqej sikur kishte ngatërruar numrin. Matanë qëlloi një njeri i mirë dhe ia dha numrin e urgjencës. "Zotëri, për katër-pesë minuta autoambulancën me mjekun i keni poshtë pallatit tuaj", i tha mjeku i urgjencës, me një zë të butë e të ngrohtë, begenisës dhe qetësues, pasi e kishte pyetur për simptomat e të sëmurës. Fatos Vojushi, që e kishte përfytyruar si një tmerr thirrjen dhe ardhjen e urgjencës, nazet e njohura të ekipeve të urgjencës, kujtoi se dezhuri në anën tjetër të telit po engledisej ngeshëm e pamëshirshëm me të dhe, për t'u siguruar, ia dha edhe njëherë adresën e lagjes e të pallatit, duke shtuar alarmueshëm: “Aman, se po më ikën gruaja!” Në një kohë tjetër, natyrisht më të qetë, nuk do të mund të rrinte pa bërë shaka: “Se, për besë, nuk kam tjetër!” "Zotëri, autoambulanca rastësisht a për fatin tuaj, ndodhet në atë lagje. Sapo e njoftova, dilni për ta pritur poshtë pallatit", përsëdyti mjeku.
Vetëm kur pa dritën e fenerëve të ndriçonin pallatin e tij, të ndalonte para hyrjes autoambulanca dhe prej saj të dilnin dy burra të veshur me bluza të bardha, iu davarit ai mosbesim që e kishte kapluar dhe iu rrit shpresa. I qetësuar se tashmë nuk ishte kuk vetëm në sëmundjen e së shoqes, mendoi se sa e thjeshtë paskësh qenë gjithçka dhe e pa veten veten si një i paditur, i rëndomtë e hutaq, që i vështirëson vetë kotsëkoti gjërat.

3
Fatos Vojushi iu hoqi udhën mjekut e infermierit dhe i shpuri në dhomën, ku ishte shtrirë gruaja. Ata po ecnin aq përtueshëm, sa atij iu duk se ishin si ato lodrat që kurdisen me çelës, të cilat në çdo shesh pushimi të katit duhej t’i rikurdisje për të marrë vrullin për katin më lart. Në kohën kur mjeku zuri ta vizitonte "plakën" e tij, ai vajti në kuzhinë, nga u kthye me shishen e rakisë.
“Aa, të lutem, jemi në punë”, bëri sikur kundërshtoi infermieri me të
njëjtën përtaci torturuese. Dukej i lodhur dhe kishte të ngjarë që në urgjencat e deriatëhershme të kishte ndodhur i njëjti ritual. Sytë, si të përgjumur, indiferentë dhe të pandjeshëm, megjithatë i mbetën te shishja. Kurse mjeku sapo i dha fund shikimit shqyrtues të dhomës ku qe shtrirë pacientja, e cila ishte bërë palmuç nga dhimbjet, çka i krijoi mundësinë për të nxjerrë një përfundim të përafërt për jetën e atij çifti intelektualësh. Dhoma ishte e akullt. Me gjasë, ishte çelur enkas atë mesnatë për aq kohë sa do të zgjaste vizita mjekësore. Një krevat tek, dollapi i rrobave, një bibliotekë e pasur në shqip e në gjuhë të huaja që zinte një faqe muri, dy faqet e tjera të mbushura me piktura dhe foto të zmadhuara të fëmijëve, ja ky ishte inventari i asaj dhome. Veç pacientes dhe të shoqit, në shtëpi s'kish njeri të gjallë. Edhe ata dukej se ndjeheshin si të huaj në atë dhomë, thjesht bujtës. As dhe një portë e fqinjëve s'qe hapur.
- Sikur ta dija, - i tha infermieri mjekut.
- Të thashë unë, - ia bëri mjeku.
Dhe iu drejtua Fatos Vojushit, si për t'i qarë hallin:
- Edhe ju jashtë i keni fëmijët?!.. Pra, me celular te veshi, duke pyetur e
ripyetur njëri-tjetrin deri në telefonatën tjetër: “Çfarë të tha? Po ty?”
- Jashtë, - psherëtiu thellë Fatos Vojushi, me sy e veshë te e shoqja.
- Hë pra, të thashë?! Atëherë bastin e fitova unë. Paskësh qenë nata e
pacientëve fëmijëjashtë, - i tha mjeku infermierit, duke i tokur gotat e rakisë.
Sytë e tij ndrisnin hareshëm, si të kishte fituar një dorë të mirë në bixhoz.

12 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›