E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas djemve të nomenklaturës...



Josif BRODSKIJ

Në ato kohëra në vendin e dentistëve
vajzat e të cilëve porosisin veshje
nga Londra, pincat e të cilëve ngjethëse
ngrenë lart drejt flamujve të hiçeve
Dhëmballën e Pjekurisë, unë, i fshehur në gojë
të rrënojave, më të pastra se Panteoni vetë,
spiun, agjent, kolonë e pestë
e një qytetërimi të përbaltur – për rrjedhojë
profesor i poetikës – unë jetoja
në kolegj, ndanë liqenit më të bukur
të Presnjas, ku nga djemtë e nomenklaturës
qeshë thirrur që dokrra t’u shpjegoja.

Gjithçka shkruaja nga ato kohëra
çonte pashmangshëm drejt pikave të heshtjes.
Unë bija, pa u zhveshur, i lodhur
mbi shtrat. Dhe nëse netëve
Yllin kërkoja të më shfaqej
ai, sipas të gjitha rregullave duke u djegur,
vraponte mbi nënkresë, përmbi faqe
më shpejt se një dëshirë të kisha gjetur.

* * *

Unë i rroka këto supe dhe pashë
atë që pas shpine shtrihej
dhe vura re si stoli i anuar
me murin e venitur shkrihej
Kish përmbi llampë të hedhur një mbulesë
që e bënte çdo mobilje më të vjetër
ndaj dhe divani kaf në qoshe shfaqej
me një lëkurë të verdhë, si i vdekur.
Tryeza ish bosh, rrënuar qe parketi
sterronte soba, në kornizën përballë
kish ngrirë peisazhi: dhe e vetme bufeja
m’u duk atëherë si e gjallë.
Por një flutuzë vërtitej nëpër dhomë
dhe vështrimin e ngrirë ma lëvizi
Nëse një fantazëm këtu banoi dikur
dhe ajo e braktisi këtë shtëpi. E braktisi.

* * *

Në vend të bishës në kafaz më futën
dënimin njoha dhe çmendurinë në barakë
pranë detit jetova, luajta bixhoz
dhe drekova dreqi e di se me kë me frak.
Nga lartësi akullnajash pashë gjysmëplanetin
tri herë u fundosa, dy herë desh më qëruan në jetë.
Braktisa vendin që mua më mendi.
Nga ata që më harruan mund të bëhet një qytet.
Unë brodha stepash që thirrje hunësh kujtojnë
u vesha me lecka që tani janë në modë
thekër mbodha, hangarëve u hodha çati
dhe s’piva kurrë ujë të ndohtë.
Ëndrrat e mia i grisi vështrimi i egër i rojave
bukën e dëbimit përtypa që thërrime mos mbesë.
Kordave vokale u dhashë liri deri në ulurima:
në përshpëritje kalova. Tani mbush dyzet.
ǒdo më thuash për jetën? Që m’u duk kaq e gjatë.
Vetëm me hidhërimin ndjehem mirë tani
Po derisa buzët toka të m’i kyçë
prej tyre do dëgjohen vetëm mirësi.

* * *

Unë prita autobusin në Irkutsk,
piva ujë të murosur, pa jetë,
diçka bajate përtypa me ngut
në restorant të aeroportit, vetëm.
Unë u përmenda nga aviongjëmimi
dhe nën tinguj radiovalsi luajta
pastaj përmes aerodromit rrëshqita
dhe me trishtim prej tokës u shkëputa.
Dhe ja tek fluturoja mbi re mëndafshi,
veten duke e ndier si më parë, pa strehë
mbi humnerën pafund i varur pohova:
vetmia e pafund mbetet problem.

Nuk ia vlen të këmbëngulësh në jetë
duke vuajtur hidhur prej zjarrit kryengritës.
Tokë e huaj me të atdheut është fqinjë,
si mungesa e rrugëdaljes që lind perspektivën.

Përktheu Korab Hoxha

12 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›