Në kulmin e dëshpërimit fillon shpëtimi
Çdo popull, të cilit i është ngarkuar një mision, lëshon thirrjen e vet... Kur jam në Greqi, shoh poshtërsitë, intrigat, marrëzitë, mangësitë e drejtuesve dhe mjerimin e popullit. Por nga larg shëmtia nuk shikohet kaq qartë dhe ke më shumë liri për të krijuar një pamje të atdheut të denjë për një dashuri të plotë. Ja pse punoj më mirë dhe e dua më mirë Greqinë, kur ndodhem jashtë saj. Larg saj arrij ta kap më mirë thelbin e saj, misionin e saj në botë e, si rrjedhim, misionin tim të përulur.
Grekëve, që jetojnë jashtë atdheut, u ndodh diçka e veçantë. Ata bëhen më të mirë. Ata janë krenarë për racën e tyre, ndiejnë se duke qenë grekë, kanë përgjegjësinë e të qenit të denjë për stërgjyshërit e tyre. Bindja e tyre se rrjedhin nga Platoni apo Perikliu mund të jetë një iluzion, një autosugjestion mijëvjeçar, por ky autosugjestion, duke u kthyer në besim, ushtron një ndikim të thellë në shpirtin neogrek. Grekët kanë mbijetuar në sajë të këtij iluzioni. Jo, jo, nuk bëhet fjalë për shovinizëm.
Nikos KAZANZAQIS
Populli im është një popull martir. Nevoja për liri është po aq e domosdoshme për atë, sa edhe buka. Ai ka një ndjeshmëri të lindur, çka e bën të prekshëm nga çdo cënim i lirisë së tij, por edhe i lirisë së çdo populli. Po ju jap një shembull. Kur Hitleri kërcënonte të pushtonte Norvegjinë, unë isha në ekskursion në Kretë. Po kaloja nëpër një grykë mali, kur nga sipër dëgjova një zë buçitës që po më thërriste: “Ndalu, biri im, ndalu pak!” U ndala, ngrita sytë dhe pashë një bari plak që po kërcente nëpër shkëmbinj.
“ǒthotë Norvegjia, biri im?”, thirri duke dihatur.
“Më mirë, xhaxho, më mirë.”
“Zoti qoftë lëvduar!”, tha dhe bëri shenjën e kryqit.
“A do një cigare, xhaxho?”
“Nuk dua asgjë, përderisa Norvegjia është më mirë, nuk dua asgjë.”
Ja kush janë grekët. Ky bari plak me siguri që nuk e dinte se ku ndodhej Norvegjia. Ndoshta nuk dinte as nëse ishte një vend apo një grua, por ai dinte se ç’është liria.
Mrekullia e vërtetë greke nuk e ka emrin bukuri. Ajo quhet liri. Çdo popull, të cilit i është ngarkuar një mision, lëshon thirrjen e vet. Çifutët thërrasin Zotin, hindutë përpiqen që përtej fenomeneve të natyrës të nxjerrin kuptimin, egjiptianët nga fundi i varreve të tyre thërrasin, lusin pavdekësinë. Grekëve u është ngarkuar misioni i shndërrimit të skllavërisë në liri. Si mundet, pra, që një shkrimtar grek të mos i vërë të gjitha forcat e veta në shërbim të lirisë? Si mundet që unë të sodis me gjakftohtësi botën?
Jo, romani im “Liri a vdekje” (me këtë titull është bërë botimi i parë në shqip – shën. i red.) nuk është një rrëfenjë legjendare. Ai është një realitet i përgjithshëm. Heroi i librit ka ekzistuar vërtet. Në Kretë gjithnjë ka ekzistuar një seri e tillë heronjsh, të cilët kanë luftuar gjatë shekujve dhe kanë vdekur për lirinë. Kapedan Mihali, heroi i romanit, është përqendrim i gjithë aspiratave të racës së tij. Një hero që përfaqëson popullin grek. Ai nuk lëkundet aspak për të zgjedhur mes lirisë e vdekjes. Sepse ai e di, më saktë e ndien mbyturazi, se jeta nuk është pasuria më e madhe. Po, kapedan Mihali ka dhuntinë t’i elektrizojë njerëzit.
Por kjo ndodh sepse këta njerëz janë përcjellës të mirë të këtij elektriciteti. Kapedan Mihali është modeli, të cilit ata përpiqen t’i ngjajnë.
Nuk ka asnjë legjendë: këtu miti dhe realiteti janë një. Nuk kam sajuar asgjë në romanin tim. Thjesht, kam shpalosur kujtime të fëmijërisë sime. Luftëtari plak që pata njohur, im atë, gjyshi, kryengritja, masakrat, lotët e nënës sime. Rijetoja dhimbjet e atdheut tim dhe shpesh, e pohoj, qaja duke shkruar.
Natyrisht, lexuesve që nuk kanë jetuar kurrë peripeci të tilla kaq të përgjakshme, këto ngjarje të një epoke tjetër u duken legjendare. Për ne të tjerët janë gjëra të jetuara.
Kur isha fëmijë, legjenda dhe realiteti ishin një trup i vetëm.
* * *.
Unë nuk e shoh Kretën si diçka piktoreske apo të qeshur. Peizazhi i saj është i ashpër. I gërryer nga lufta dhe nga dhimbja. Ky ishull i pozicionuar ndërmjet Europës, Azisë dhe Afrikës, ishte i paracaktuar nga vetë pozicioni gjeografik të bëhej një urë e këtyre kontinenteve.
Ja pse Kreta ishte toka e parë në Europë, që pa dritën e qytetërimit të ardhur nga Lindja. Dy mijë vjet para mrekullisë greke, në Kretë lulëzonte ky qytetërim misterioz, i mbiquajtur egjeas, ende i heshtur, plot jetë, i dehur nga ngjyrat me një finesë dhe shije që të ngjallin habi dhe admirim.
Është e kotë t’u rezistojmë gjurmëve të së kaluarës.
Unë besoj se ekziston një rrezatim, një rrezatim magjik që ndriçon tokat antike që kanë luftuar dhe vuajtur shumë. Si diçka që mbetet pas zhdukjes së popujve që kanë luftuar, qarë e dashuruar në një rrip toke. Ky rrezatim i kohëve të shkuara ishte veçanërisht i ngjeshur në Kretë. Ai të përshkon sapo të shkelësh tokën kretase.
Më pas të kap një tjetër emocion, më konkret. Ai që njeh historinë tragjike të shekujve të fundit të këtij ishulli, habitet për luftën e ashpër që është bërë mbi këtë tokë mes njeriut që lufton për lirinë e vet dhe tiranit që përpiqet ta shtypë. Kretasit janë kaq të familjarizuar me vdekjen, sa nuk i tremben më asaj. Kanë vuajtur kaq shumë gjatë shekujve, kaq herë kanë parë se as vdekja nuk mund t’i mposhtë, sa kanë arritur në përfundimin se vdekja është e domosdoshme për triumfin e idealit të tyre dhe se, në kulmin e dëshpërimit, fillon shpëtimi. Por realiteti është i vështirë për t’u përtypur. E megjithatë, të regjur në luftë, të pangopur me jetë, kretasit e gëlltisin atë si një gotë me ujë të ftohtë.
“Si të është dukur jeta, gjysh?”, pyeta një plak kretas njëqind vjeçar, të verbër e mbuluar me plagë të vjetra.
Po ngrohej në diell, ulur galiç në prag të barakës së tij. Kishte një vesh krenar, siç i themi ne në Kretë. Nuk dëgjonte mirë. Ia përsërita pyetjen:
“Si të është dukur jeta jote e gjatë njëqind vjeçare, gjysh?”
“Si një gotë me ujë të ftohtë”, m’u përgjigj.
“Dhe ke ende etje?”
Ai ngriti vrullshëm krahun:
“Mallkuar qoftë ai që nuk ka më etje!”, bërtiti.
Ja kush janë kretasit. E si të mos i bësh simbole?!
* * *
Sa më larg atdheut të ndodhesh, aq më shumë mendon për atdheun dhe aq më shumë e do atë.
Kur jam në Greqi, shoh poshtërsitë, intrigat, marrëzitë, mangësitë e drejtuesve dhe mjerimin e popullit.
Por nga larg shëmtia nuk shikohet kaq qartë dhe ke më shumë liri për të krijuar një pamje të atdheut të denjë për një dashuri të plotë. Ja pse punoj më mirë dhe e dua më mirë Greqinë, kur ndodhem jashtë saj.
Larg saj arrij ta kap më mirë thelbin e saj, misionin e saj në botë e, si rrjedhim, misionin tim të përulur.
* * *
Grekëve, që jetojnë jashtë atdheut, u ndodh diçka e veçantë. Ata bëhen më të mirë. Ata janë krenarë për racën e tyre, ndiejnë se duke qenë grekë, kanë përgjegjësinë e të qenit të denjë për stërgjyshërit e tyre. Bindja e tyre se rrjedhin nga Platoni apo Perikliu mund të jetë një iluzion, një autosugjestion mijëvjeçar, por ky autosugjestion, duke u kthyer në besim, ushtron një ndikim të thellë në shpirtin neogrek.
Grekët kanë mbijetuar në sajë të këtij iluzioni.
Pas shumë shekujsh pushtimesh, masakrash e urie, ata duhej të ishin zhdukur. Por iluzioni i shndërruar në besim nuk i lë të vdesin. Greqia, nëse mbijeton ende, besoj se mbijeton në sajë të mrekullive.
Jo, jo, nuk bëhet fjalë për shovinizëm. Duke e dashuruar, duke i thurur lavde Greqisë, grekët dashurojnë dhe i thurin lavde një ideje gjithënjerëzore. Cilës ide? Idesë së lirisë, e cila për grekët është një me Greqinë.
Përktheu Artan Babaramo
12 Maj 2008