Ëndrra e tre bredhave
Paolo COELHO
Një legjendë e lashtë rrëfen se, në pyjet e bukura të Libanit, mbinë tre cedra. Siç e dini, cedrave u duhet shumë kohë që të rriten dhe me shekuj rrinë duke përsiatur për jetën, vdekjen, natyrën e njerëzit.
Ata panë se si aty erdhi ushtria e Izraelit e dërguar nga Solomoni; më vonë panë se toka u mbulua nga gjaku gjatë betejës me asirët. Njohën Gezabelin dhe profetin Elia, që ishin armiq për vdekje. Panë si lindi alfabeti dhe u mrekulluan, kur ajgëtuan duke kaluar vargane plot me stofra shumëngjyrëshe.
Një ditë prej ditësh, nisën të flisnin për të ardhmen.
“Pas gjithë atyre gjërave që kam parë, - tha cedri i parë, - dëshiroj të shndërrohem e të bëhem fron i njerëzve më të fuqishëm të dheut.”
“Mua do të më pëlqente të bëhesha diçka që ta shndërronte të Keqen në të Mirë”, tha i dyti.
“Unë për vete do të doja që, sa herë të më këqyrnin, të mendonin për Zotin”, u përgjigj i treti.
Nuk kaloi shumë kohë dhe erdhën disa druvarë, i prenë cedrat, i hipën në një anije dhe i çuan larg.
Secili prej tyre kishte një dëshirë, por njëmendësia nuk pyet fare për ëndrrat.
Druri i parë u bë strehë bagëtish, copat që tepruan i përdorën për të mbajtur sanën.
I dyti u bë një tryezë shumë e thjeshtë, të cilën ia shitën një tregtari orendish.
Mbasi i treti nuk gjeti blerës, e prenë dhe e futën në magazinën e një qyteti të madh.
Cedrave iu prish qejfi dhe nisën të ankohen: “Ne kishim dru të mirë, por askush nuk mendoi si ta përdorë e të ndërtojë diçka të bukur.”
I
Kaloi koha dhe, një natë plot me yje, një çift të martuarish që s’po gjente strehë ku ta kalonte natën, vendosi të rrinte te stalla e ndërtuar me drutë e pemës së parë. Gruas i erdhën të prerat dhe lindi aty birin e vet, e vuri në mes të sanës, në qoshkun, që gjithashtu ishte edhe prej druri, ku do hanin kafshët.
Atëherë cedri e kuptoi se ëndrra e tij ishte plotësuar: fëmija që lindi aty, ishte më i madhi nga gjithë mbretërit e kësaj bote.
II
Disa vite më vonë, në një shtëpi të thjehtë, shumë burra u ulën rreth tryezës së ndërtuar me drurin e cedrit të dytë. Para se të nisnin të hanin, njëri prej tyre tha disa fjalë për bukën e për verën që kishte përpara.
Dhe cedri e kuptoi se, atë çast, nuk mbante sipër vetes një potir e një copë bukë, por lidhjen në mes të njeriut dhe Hyjnores.
III
Të nesërmen, morën nga magazina dy copa druri dhe i bashkuan në trajtë kryqi. E lanë kryqin në një cep dhe, pas disa orësh, sollën një njeri të plagosur keqas dhe e kryqëzuan te kryqi. Cedri u tmerrua dhe derdhi lot për atë fat mizor, që i kishte caktuar jeta.
Mirëpo, pa kaluar tri ditë, edhe cedri i tretë e kuptoi fatin e vet: njeriu që kishin kryqëzuar te druri i tij, ishte Drita që ndriçonte gjithçka, kryqi që ishte ndërtuar me drurin e tij nuk ishte simbol torturash, po ishte shndërruar në simbol fitoreje.
* * *
Siç ndodh gjithnjë me ëndrrat, tre cedrat e Libanit kishin parë si ishin njëmendësuar dëshirat e tyre, megjithëse ndryshe nga ç’e kishin menduar ata.
Përktheu Gjergj Vlashi
12 Maj 2008