E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këta vjedhin dhe të vdekurit(!)…

MARTIN LEKA 

Që tragjedia e Gërdecit ishte ndër të tjera edhe një akt dhe shembull (i pashembullt) i pastër korruptiv, këtë tashmë e di dhe “bufi”. Kjo qeveri erdhi në pushtet pikërisht në sajë të kësaj fjale magjike, duke e zgjedhuar në kohë e rasa të ndryshme kundër qeverisë socialiste të drejtuar nga ish-kryeministri Nano. Propaganda dhe demagogjia e përdorur për luftën kundër korrupsionit nga të ndershmit e të përndershmit demokratë, sigurisht dhanë efektin e duhur dhe të djathtët erdhën në pushtet. Por, për çudinë e gjithë atyre që besuan (dhe jo vetëm të atyre), korrupsioni jo vetëm nuk u zvogëlua, por të dhënat që paraqiten janë skandaloze. Skandaloze në përmasa shumë më të mëdha se sa për të zhgënjyer mijëra mbështetës e fanatikë apo miliona shqiptarë!
Kështu pra, ata që na u shitën e na i prezantuan si të ndershëm, të sinqertë e të “virgjër”, na rezultuan “të palluar” nga sindromi rrezikshëm i korrupsionit. Siç e theksuam dhe më lart, rasti i Gërdecit është më tipiku. Jo thjesht pse afera korruptive me Gërdecin kap shifra miliona dollarësh, por për faktin se korrupsioni është ngjitur kaq lart dhe kaq shumë me pushtetin, sa nuk pyet as për shfrytëzimin mesjetar të punës së fëmijëve , as për rregulla e ligje, as për sigurinë kombëtare, as për tatime e taksa, madje nuk kursen për këtë shkak, pra për fitime, as jetë njerëzish, siç ndodhi në tragjedinë e Gërdecit. Për vetë përmasat që mori kjo ngjarje dhe për të respektuar sa të jetë e mundur sensibilitete të ndryshme si rrjedhojë e “kodit të fatkeqësisë”, besojmë se i është lënë koha e mjaftueshme qeverisë për ta lënë të qetë në punën e saj për stabilizimin e situatës pas tragjedisë, e për të mos u treguar cinikë. Madje, shumëkush është çuditur nga “respekti” për qeverinë i lidershipit socialist në opozitë, i cili në vend që të ndikonte fort në transparencën e përgjithshme të asaj që ndodhi dhe të situatës më pas, u dalldis në reformat e përbashkëta, reformë e cila prodhoi një produkt “qyryk”, disa amendamente kushtetuese të cilat kurrsesi nuk mund të ishin jo vetëm emergjencë, por as të nevojshme. Sigurisht, opozita nuk kishte pse ta shfrytëzonte Gërdecin thjesht si aksion të sajin politik, meqë ky rast i erdhi në dorë nga “fati”, por si shembull për të na treguar të gjithëve, qytetarëve të Republikës, se si “qeveria e shërbesave” po i shërben popullit të vet(!) Mendoj se është rast unikal për një opozitë, siç bëri dhe po bën PS-ja, kur në vend që të bëjë opozitën e vërtetë dhe të “skanojë” veprimtarinë korruptive gjer në keqbërëse të qeverisë dhe t’ua japë këtë “grafi” qytetarëve për gjykim e zyrtarëve e qeveritarëve për reflektim, nis një aksion politik për “reforma” me qeverinë, duke treguar hapur se nuk i intereson pushteti. Aq më e qartë del kjo për lidershipin e PS, po të kemi parasysh faktin se kryetari i saj vërtet mund të mos e ketë këtë ego për pushtet, duke qenë se në fakt, personalisht, këtë pushtet e ka, duke qenë kryetari i bashkisë më të madhe në vend ku menaxhohen edhe fondet më të mëdha. Madje sot nuk duket aspak e besueshme edhe ndonjë alibi, sipas të cilës, “lidershipi i PS-së nuk ka dashur të abuzojë me fatkeqësinë e ndodhur”, pasi vetë ky lidership, nxitoi të kërkonte dorëheqjen e Berishës vetëm një ditë pasi këtë e kishte kërkuar më parë Meta, një tjetër lider i së majtës. Pas kësaj panorame të zymtë të politikës post-Gërdec, ajo që doli më e fituar në gjithë këtë histori “pazari” ishte padyshim qeveria, e cila arriti të mbahej në këmbë, edhe pse me një imazh prej letre. Padyshim, sa për forcën e Berishës, sa edhe për gjoja-indiferencën e Ramës.
Por sërish Gërdeci po vë përsëri në provë qeverinë dhe opozitën. Kësaj here në skenë del përsëri një aferë korruptive dhe përsëri të përfshirë në të janë zyrtarë. Dje është bërë e ditur se janë denoncuar në prokurori ekspertët e vlerësimit të dëmit financiar në Gërdec, të cilët kanë mashtruar me vlerësimin e faturës financiare. Nënteksti është i qartë: është synuar rritja e kësaj fature, në këmbim të parave “nën dorë”, siç i thuhet ryshfetit.
Pas këtij lajmi, askush nuk mund të justifikohet. Qeveria nuk mund të justifikohet, sepse ekspertët janë zyrtarë shtetërorë. As opozita nuk mund ta lyejë me bojë të bardhë imazhin e zi të fytyrës së qeverisë. Korrupsioni i ka shtrirë kaq shumë metastazat, gjer në të papërfytyrueshmen: abuzimin edhe me viktima për hir të fitimit të paligjshëm!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›