E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e biznesmenit, nga qitës i paguar

Një vrasje me pagesë. Policia e Shkodrës ka nxjerrë këtë konkluzion për ekzekutimin e biznesmenit me origjinë nga Tropoja, Esat Valbona. 

SHKODER/ RITVAN DIBRA

 Sipas saj, plumbi i vetëm ka dalë nga një armë sportive, përdoruesit e së cilës janë tepër profesionistë.
Shkalla e precizonit në vrasjen e tij dhe misteri që ka mbuluar provat dhe autorët ka bërë që policia të mendojë se krimi është kryer nga një person i shpërblyer për kokën e 47-vjeçarit. Pasditen e djeshme është kryer ceremonia mortore e tij, ku qindra të njohur kanë përcjellë drejt banesës së fundit njeriun e tyre, mbushur me mister mbi shkakun dhe autorin e fatkeqësisë në familjen Valbona.
Viktima u qëllua me armë sportive
I vetmi fakt i zbardhur është ai i saktësimit të kalibrit të plumbit të vetëm të mbetur në trupin e Esat Valbonës. Sipas ekspertëve të policisë, viktima është qëlluar me një plumb të kalibrit 5.6 mm, i cili mund të qëllohet vetëm nga një armë sportive, (pushkë dhjetëshe ose pistoletë) që përdoret në sportin e qitjes. Kjo përcakton dyshimin se 47-vjeçari është vrarë nga persona vërtet profesionistë, të cilët jo vetëm që kanë ditur të përdorin një armë të tillë, por kanë pasur edhe saktësi në qëllimin e tyre. Për policinë vazhdon dyshimi se autori mund të ketë gjuajtur nga një makinë, e cila ka qëndruar jashtë lokalit ku ishte viktima mbrëmje e së enjtes. Për vrasjen e biznesmenit të inerteve, policia e Shkodrës ka ngritur një grup pune të veçantë për të bërë të mundur zbardhjen e saj. Ditën e djeshme, në ndihmë të hetuesve të Shkodrës kanë shkuar dhe ekspertë të kriminalistikës nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, pasi një ekzekutim i tillë nuk është kryer më parë në këtë qytet. Burime nga policia bëjnë të ditur se ende nuk ka një pistë të saktë hetimi, por për momentin po hetohet në lidhje me ndonjë hakmarrje të mundshme nga vendi i tij i origjinës, Tropoja ose ndonjë konflikt së fundi në Shkodër. Policia e Shkodrës konfirmon se ka nisur bashkëpunimin në shkëmbimin e informacioneve dhe verifikimin e dyshimeve nga ana e policisë së Tropojës. Zyrtarisht, në Shkodër pohohet se viktima nuk kishte precedent penalë. Pas marrjes në pyetje të personave që kanë qenë në lokal është mësuar se viktima për momentin nuk e ka kuptuar se është qëlluar pasi nuk është dëgjuar zhurmë arme, por ai vetëm sa ka vënë dorën në gjoks, ka parë gjakun që i ka dalë prej andej dhe më pas ka rënë në tokë i pajetë.
Përcillet në banesën e fundit
Me qindra vetë i kanë dhënë lamtumirën e fundit Esat Valbonës rreth orës 18:00 të ditës së djeshme. Shkaku i një orari të tillë ka qenë për t’iu dhënë mundësinë njerëzve të familjes dhe të afërmve të tyre të jenë të pranishëm në një ceremoni të tillë. Mes pjesëmarrësve shprehej habia se cila mund të ketë qenë arsyeja dhe kush mund të kenë qenë personat që e kanë bërë një gjë të tillë. Nga të afërmit e familjes Valbona thuhej se nuk e mendonin që dikush të kishte motiv për të vrarë Esatin. Ata tregojnë se ai ishte i apasionuar pas makinave dhe i pëlqente të udhëtonte. “Esati vazhdimisht ishte në lëvizje, sa në Shkodër, Tiranë apo në rrethe të tjera, gjithnjë i përkushtuar për biznesin e materialeve të ndërtimit. Ndaj dhe po të kishte pasur ndonjë ngatërresë me ndonjë person ai nuk do të kishte lëvizur fare nga Shkodra, por do të ishte ruajtur”, thonë ata. Miqtë e tij thonë se kurrë ai nuk kishte mbajtur armë me vete, as në vitet e trazirave. Ata janë ende të tronditur nga humbja e papritur e Esatit, me të cilin takoheshin çdo pasdite, si në momentin kur pak momente para krimit ishin mbledhur në një nga baret e lagjes “Xhabije”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›