E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoxhallari: S’më vijnë më pacientë

 

zirina llambro

Zbaton çdo ditë me përpikmëri orarin zyrtar të punës, por të paktë kanë qenë pacientët që kanë trokitur në dhomën e tij të mjekut për t’u vizituar. Radhët e dikurshme prej dy javësh janë harruar. Kështu janë tashmë për të ditët e punës, në shërbimin e ORL të spitalit francez. Mjeku Xhevahir Hoxhallari, i përfolur e akuzuar për vdekjen e 17-vjeçares që operoi nga bajamet e pranon këtë fakt edhe vetë. “Kush vjen tek unë tani për t’u vizituar, kur po etiketohem si kriminel e si vrasës. Kam qenë çdo ditë në punë por kështu siç janë bërë gjërat...”, tregon ai. Nuk nguron të përsërisë se në ndërgjegje s’mban peshën për vdekjen e Matilda Petritit, por ndërkaq po pret verdiktin e hetimeve dhe ekspertizës së plotë ligjore. Pohon se në 20 vitet e punës së tij dhe në rreth 4500 operacione që ka kryer raste si të 17-vjeçares i ka hasur vetëm në literaturë. Në intervistën e tij për gazetën “Panorama”, Hoxhallari komenton rezultatet e autopsisë si dhe tymnajën e krijuar për fajësinë e tij në vdekjen e Matilda Petritit.
Z.Hoxhallari si është tani një ditë e juaja në spital, kryeni vizita me pacientët?
Unë kam ardhur çdo ditë në punë, kam zbatuar oraret, mbledhjet e konsultat me kolegët. Më kushton shumë që ta them, por kush mund të vijë të vizitohet tani tek unë kur po etiketohem si kriminel, si vrasës, kështu siç janë bërë gjërat...Nuk di ç’të them, por punën do ta vazhdoj aq sa të mundem..
Ditët e fundit është folur për një konfirmim të fajësisë suaj në vdekjen e 17-vjeçares që operuat nga bajamet. Të paktën kështu u zbardhën rezultatet e autopsisë, mund të na thoni në ç’pikë janë hetimet ndaj jush?    
Normalisht hetimet po kryhen nga organet kompetente dhe unë për këtë kam qenë i hapur që ditën kur ndodhi fatkeqësia. Por dua të sqaroj pasi është keqinterpretuar autopsia për vajzën. E ritheksoj se në rezultatet e autopsisë nuk është përcaktuar kurrkund që unë jam fajtor. Për të vendosur këtë pas autopsisë bëhet një ekspertizë e hollësishme e rastit dhe ajo nuk ka përfunduar. Ne u interesuam edhe sot pranë mjekësisë ligjore dhe përgjigjja që na u dha ishte që, ekspertiza që do të vërtetojë nëse kemi të bëjmë me një gabim mjekësor apo shkaqe të tjera, s’ka përfunduar. Prandaj mund të them se është abuzuar me këtë pikë. Unë personalisht por pres rezultatet dhe ne nuk kemi kundërshtuar asgjë, pasi ende s’ka një raport për këtë çështje.
Nga kryerja e autopsisë është konstatuar se vajzës i është dëmtuar shumë një venë gjaku, madje ajo është qepur disa herë. Sa herë keni ndërhyrë në këtë venë?
Që ka një enë gjaku të dëmtuar kjo nuk vihet aspak në diskutim. Gjatë një operacioni për heqjen e bajameve dëmtohet jo një, por disa të tilla. Por nuk bëhet fjalë për prerje të kësaj ene. Dhjetë ditë pas ndërhyrjes së Pogradecit, vajza erdhi në QSU pasi kishte pasur hemorragji. Por kur mbërriti nuk pati shenja të gjakderdhjes. Bashkë me kolegët, e futëm në sallë dhe pas dyshimeve vetëm për një vend nga ku mund të rridhte gjaku përforcuam qepjen. Por vena nuk është dëmtuar nga kjo ndërhyrje, dyshojmë se kanë qenë vetë indet e saj që nuk rigjeneroheshin.
Pra, ju thoni që riqepja e venës nuk ka ndikuar në përkeqësimin e gjendjes së vajzës?
Po. Ky nuk është vetëm mendimi im por edhe i kolegëve me të cilët kemi bërë konsulta. Ne dyshojmë se tek vajza ka ndodhur një nekrozë. Nekroza është kalbëzimi i indeve normale të organizmit. Në vend që ato të rigjenerohen, nuk mbyllen e për pasojë plaga mbetet e hapur. Tri javë është procesi i shërimit të plagës, por në rastin e vajzës nuk ndodhi. Eshtë një rast shumë i rrallë dhe ne për këtë dyshojmë. Por do të jenë ekspertët që do të thonë fjalën e fundit.
Jeni shprehur se nuk jeni përgjegjës për vdekjen e Matilda Petritit, po në rast se vërtetohet e kundërta?
E përsëris me sinqeritet dhe me moral të plotë, nuk ndjej në ndërgjegjen time asnjë gabim mjekësor për operacionin që i kam kryer vajzës. Kam reflektuar, jam konsultuar gjatë gjithë kësaj kohe, por ju betohem që nuk gjej tek vetja asnjë neglizhencë, apo trajtim të gabuar. Nuk di ç’të them për të kundërtën, është një rast vërtet shumë i rrallë që në 20 vite të punës sime e kam hasur vetëm në literaturë dhe nuk e kam menduar se mund të më ndodhte mua.
Spitali i ORL-së nuk ka as respiratorë, as aspiratorë në reanimacion, të cilat janë aparaturat bazë për të mbajtur një person në jetë, mendoni se ka ndikuar kjo gjë për rastin e 17- vjeçares?
Është e vërtetë që mungojnë aparaturat, por ja u them me përgjegjësi, gjendja e vajzës degradoi brenda pak minutash dhe vërtet ishte e pamundur të shpëtohej. Ka pasur disa mjekë mbi kokë që manipulonin për ta mbajtur në jetë. Në mënyrën si përparoi gjendja e saj them se nuk ishte e mundur të mbahej në jetë edhe me kushtet më të mira në reanimacion.

Zbardhet autopsia: Matilda Petriti vdiq prej humbjes së gjakut nga vena
TIRANE – Matilda Petriti ka vdekur si pasojë e humbjes së madhe të gjakut që ka rrjedhur nga vena e dëmtuar gjatë operacionit në bajame. Autopsia e Institutit të Mjekësisë Ligjore për shkakun e vdekjes së 17-vjeçares nga Korça, Matilda Petriti, ka mbërritur në Prokurorinë e Tiranës prej disa ditësh. Materiali shkresor i është dorëzuar grupit hetimor që po verifikon mundësinë që adoleshentja të jetë operuar dhe më pas mjekuar në mënyrë të gabuar nga mjekët gjatë ndërhyrjes kirurgjikale në bajame. Burime zyrtare të Prokurorisë së Tiranës janë shprehur dje për gazetën “Panorama”, se në autopsi thuhet shprehimisht: Shtetasja Matilda Petriti, 17 vjeçe, banuese në Maliq të Korçës, ka vdekur si pasojë e humbjes së një sasie të madhe gjaku, e cila ka rrjedhur si pasojë e dëmtimit të venës në zonën e qafës. Pacientja ka pasur hemorragji të vazhdueshme gjaku që në momentin kur i është nënshtruar operimit në bajame. Rrjedhja e gjakut ka vazhduar pas disa ndërhyrjeve të bëra nga mjekët, me qëllim qepjen e enës së gjakut që ishte dëmtuar gjatë operacionit. Nga verifikimi dhe ekspertimi i bërë është provuar se Matilda Petriti nuk ka pasur asnjë dëmtim tjetër në organizëm apo organet jetësore, që mund t’i ketë shkaktuar vdekjen. Ky është përshkrimi që mjekët ligjorë i kanë bërë mekanizmit dhe shkakut të vdekjes së 17-vjeçares Matilda Petriti, e cila është operuar në bajame në klinikën private të mjekut Xhevahir Hoxhallari në Pogradec. Prokuroria tha se mjeku Hoxhallari është person në hetim. Për saktësimin e pozicionit të tij, Prokuroria ka kërkuar gjithë kartelat dhe dokumentet mjekësore që hedhin dritë mbi procedurën e ndjekur, që nga operimi i vajzës në Pogradec deri te shtrimi në QSUT në Tiranë, ku adoleshentja gjeti vdekjen. “Dëshmitarët e ngjarjes dhe të afërmit e vajzës është vendosur të rimerren në pyetje”, thanë dje burimet nga Prokuroria e Tiranës. Sipas tyre, pas mbledhjes së të gjitha këtyre provave, një komision ekspertësh do të përcaktojë përgjegjësinë për vdekjen e Matilda Petritit.               tr.so

Francezi, mungojnë aparaturat e urgjencës
“Jo vetëm që s’ka aspiratorë e respiratorë në reanimacion, por as në urgjencë nuk kemi aparatura të tilla. Jemi ankuar disa herë në drejtori dhe na është thënë se ORL nuk ka shërbim urgjence. Por në fakt ne bëjmë roje, presim raste urgjente. Marrim respiratorë me vrap nga sallat e operacioneve dhe i sjellim në urgjencë. Nuk është normale”, ky është reagimi i mjekëve të ORL. Ata theksojnë se, për këtë situatë përgjegjësia nuk është e tyre. “Ka që kur është bërë spitali që është ngritur ky problem. Për kushtet e spitalit nuk jemi ne kompetentët, por ama përgjegjësinë kur i ndodh gjë pacientit e mbajmë mbi supe”, theksojnë mjekët. Nga drejtoria e QSU nuk ka asnjë reagim as për reanimacionin i cili s’ka as aparaturat më minimale, por as për urgjencën. Spitali francez është rikonstruktuar vetëm 3 vjet më parë dhe ka kushtuar rreth 2 milionë euro. Por mesa duket edhe pse kjo shumë nuk është e vogël, nuk është parë aspak e udhës që spitali të furnizohet me aparaturat e domosdoshme. Në çdo vend të botës asnjë dhomë spitali nuk mund të quhet reanimacion në rast se nuk ka monitorët, respiratorët e aspiratorët që janë aparaturat bazë të këtij shërbimi, që mundëson terapi intensive për të sëmurët rëndë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›