E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka: E vërteta e diplomës sime

Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, i është përgjigjur për herë të parë akuzave që i janë bërë nga kundërshtarët e tij të përjashtuar së fundi nga kjo forcë politike, lidhur me diplomën e shkollës së mesme. 

Duke folur në një takim në qytetin e Shkodrës, ministri i Shëndetësisë tha se pikërisht në këtë qytet ka përfunduar shkollën tetëvjeçare, shkollën e mesme dhe studimet për Drejtësi. “Në respektin tuaj, të përgjegjësive ndaj anëtarëve e mbështetësve demokristianë, jam i detyruar që sot t’i përgjigjem publikisht edhe një shpifjeje banale, të bërë nga disa prej ish-bashkëpunëtorëve të mi”, theksoi Ndoka. Sipas tij, “e di se për shumë prej jush, ish-kolegët e mi të shkollës së mesme dhe të universitetit që sot ka shumë në këtë sallë, kjo duket e tepërt, por në respekt të të tjerëve dua t’ju them me krenari nga Shkodra, se ky është qyteti ku Nard Ndoka ka studiuar tetë vite, qyteti ku kam mbaruar shkollën e mesme dhe Fakultetin Juridik, jam bërë avokat dhe kam vendosur të merrem edhe me politikë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›