E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këtë javë miratohet lista e barnave me rimbursim

Pritet që këtë javë të miratohet lista e barnave të rimbursueshme. Komisioni teknik për barnat e rimbursueshme është gati të miratojë futjen e barnave të reja me rimbursim dhe për mënyrën se si do të procedohet me dy listat alternative të propozuara nga ISKSH-ja. Nuk dihet ende se sa barna të reja do të futen në tregun e të rimbursueshmeve këtë vit, pasi buxheti i vendosur për këto barna është i pamjaftueshëm. Brenda këtij fondi, Ministria e Shëndetësisë do të vendosë se sa do të kalojë për barnat me rimbursim të plotë dhe sa do të përgjysmohen në bazë të listës së dytë të barnave, ku pacienti do të paguajë bashkë me ISKSH-në. Por, ISKSH-ja duket skeptike ndaj futjes së barnave të reja me rimbursim për shkak të fondit të pamjaftueshëm. Ndërkohë, Komisioni do të diskutojë edhe për propozimin e ISKSH-së, të listës alternative. Në mbledhjen e Komisionit të Hartimit të Listës së Barnave me Rimbursim, ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, parashtroi kërkesën e tij për një rishikim të plotë të listës. ISKSH-ja ka menduar përfshirjen e dy listave të reja për barnat e rimbursueshme. Propozimi i bërë nga ISKSH-ja, pak ditë më parë në analizën vjetore, parashikon që këtë vit të ketë një listë barnash bazë, e cila do të mbulohet 100 për qind nga ISKSH-ja, që do të shërbejë për shtresat në nevojë. Ndërsa do të ketë dhe një listë të dytë alternative, e cila do të jetë me bashkëpagesë mes ISKSH-së dhe pacientit. Sipas ISKSH-së, në këtë mënyrë do të mundësohet një kontroll më i mirë i skemës, pasi supozohet të ulen abuzimet. Në sajë të bashkëpagesës do të krijohet mundësia për futjen e më shumë barnave të reja dhe cilësore në listë. Drejtoresha e ISKSH-së deklaroi se drafti ka përfunduar dhe pritet që të diskutohet në mbledhjen e radhës të Komisionit të Listës së Barnave të Rimbursueshme, ku ISKSH-ja do të propozojë projektin për të pasur më shumë se një listë barnash të rimbursuara.

4 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›