E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sheshi pranë Stacionit të Trenit merr emrin e baronit Franz Nopcsa

Sheshi përballë Stacionit të Trenit merr emrin e albanologut të shquar hungarez, baronit Franz Nopcsa. Me vendim të Këshillit Bashkiak dhe me propozim të kryebashkiakut Edi Rama, sheshi do të marrë emrin e albanologut të njohur hungarez. Pllakata në nderim të këtij personaliteti u zbulua nga nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Albana Dhimitri dhe kryetari i Bashkisë së Budapestit, Gabor Demszky. Albanologu i shquar, baroni Franz Nopcsa, në fillim të shekullit të kaluar ka bërë një sërë studimesh të thella mbi Shqipërinë, veçanërisht atë të Veriut. Të gjitha këto studime kanë lënë një vlerë të patjetërsueshme në historinë e vendit tonë dhe kanë luajtur një rol të madh për të ruajtur të drejtat e shqiptarëve në kohën e ekspansionit të Serbisë dhe Malit të Zi, apo edhe në kohën e Luftës së Parë Botërore. “Të premten, Këshilli Bashkiak i Tiranës mori vendimin për emërtimin e këtij sheshi, vendim që po e jetësojmë sot, në kuadër edhe të vizitës së kryetarit të Bashkisë së Budapestit”, - theksoi Dhimitri.

4 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›