E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muça, viktimë e aksit të nivelit të lartë

Dash Frashëri

Kur në kryeqytet qarkulloi dhe më pas u zyrtarizua dorëheqja e Shkëlqim Muçës nga detyra e sekretarit të Klubit të Futbollit, shumë njerëz të lidhur me botën e futbollit shqiptar ngritën një pyetje: Përse Muça dha dorëheqjen? Mori një vendim personal, apo u largua si pasojë e një presioni të papërballueshëm për të?
Trajneri tri herë kampion i Tiranës, Shkëlqim Muça, e ka drejtuar për shumë kohë nga pikëpamja administrative klubin e dytë më të vjetër në Shqipëri, pas atij të Vllaznisë.
Aleanca “PD-PS”?
Ilir Meta, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, u largua nga koalicioni “Bashkë për të ardhmen” pasi, sipas tij, Edi Rama kishte krijuar një aleancë të fshehtë me Sali Berishën, kryetarin e një partie “armike” për të eliminuar gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009 partitë e vogla. Sekretari i klubit të futbollit “Tirana” emërohet me një vendim të Këshillit Bashkiak të Tiranës, ashtu si gjithë punonjësit e tjerë në këtë klub, nga drejtuesi më i lartë e deri te punëtori i fushës. Për ta shkarkuar atë (në rast se sekretari nuk jep dorëheqjen apo për ndonjë arsye tjetër) duhet një vendim i atij Këshilli. Intriga bëhet më joshëse, boll të shikosh listën e anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe do të dallosh dy emra: Shkëlqim Muçën, anëtar përfaqësues i listës së Partisë Socialiste, si dhe Sulejman Memën (trajneri aktual), që përfaqëson Partinë Demokratike. Atëherë pse e ka dhënë dorëheqjen një anëtar me të drejtë vote në Këshillin Bashkiak? Nëse dikush kalimthi i ka pohuar Muçës se duhet të japë dorëheqjen, nga kush mund ta ketë marrë urdhrin? Enigmat dhe emrat janë të shumtë. Gjithsesi, janë ndër njerëzit më të fuqishëm në Shqipëri...
ENGJËLLI MUÇA
Tirana është konsideruar gjithmonë si një klub që ha koka trajnerësh edhe kur ata kanë qenë në krye. Sa për ilustrim, gjatë këtij sezoni drejtohet nga tekniku i tretë, Starova (i shkarkuar javën e tretë), Hafizi (i shkarkuar javën e 17-të) dhe tani në drejtim është Sul Mema. Por, gjithmonë ka ekzistuar te kampi bardheblu një trajner hije, apo trajneri i emergjencës. Ky nuk është askush tjetër përveç Shkëlqim Muçës. Me një qetësi engjëlli, Muça (i aftë) përballoi për disa vite furinë e zemërimin e ish-presidentit egjiptian të Tiranës, El-Sajed.
Largimi i bosit të ndërtimeve me kosto dhe çmim të lirë dhe afrimi i katërshes së donatorëve Refik Halili, Avni Nuri, Shefikat Ngjela e Agron Papuli (ky i fundit, baxhanak i Muçës) i dha përmasa të jashtëzakonshme staturës në klubin rekordmen të një prej sportistëve më të mirë shqiptarë, por edhe katër herë kampion me Tiranën si lojtar e tri herë si trajner.
FATI I PRESIDENTËVE
Largimi befasues i El Sajedit përmes Asamblesë së Zakonshme, ku “katriada” - Halili, Nuri, Ngjela, Papuli, - ofruan një “zarf” më të “trashë” sesa ofronte egjiptiani, (7 tituj të tij kampion nga 1995-2003) solli në krye të klubit bardheblu një president honorifik, Fatmir Frashërin (të dorëhequr pa bujë), por dhe një katërshe ambicioze, produkt i një skeme të pastër. Pak kohë më pas, president i Tiranës u zgjodh Bamir Topi, një tifoz i hershëm i saj dhe nënkryetar i Partisë Demokratike. Zgjedhja e Topit në krye të shtetit shqiptar solli detyrimisht edhe heqjen dorë nga statusi honorifik i presidentit të klubit bardheblu, edhe pse kreu i shtetit e ndjek shpesh “live” skuadrën e zemrës. Edhe sot e kësaj dite, Tirana është i vetmi klub në Superligë pa president.
DONATORËT
Të ndarë në dy kampe diametralisht të kundërta: dy me bindje të djathta (pranë PD-së) dhe dy me bindje të majta (pranë PS-së), katërshja e donatorëve përveç tre viteve të para në harmoni të plotë (2 kampionate, një Kupë të Shqipërisë dhe dy Superkupa të Shqipërisë), dukshëm duken të përçarë në vitin e fundit para zhvillimit të Asamblesë së re (pritet të zhvillohet në muajin korrik-gusht 2008). Në vitin e katërt të tyre në drejtim të Tiranës, secili prej të katërtëve kanë dhënë nga 1 milion dollarë (sipas asaj që ofrohet nga klubi). Tani qarkullon edhe emri i një biznesmeni (Samir Mane, bosi i supermarketeve “Euromax”) për të cilin mediat kanë pohuar se ka synim të investojë 2.5 milionë euro në vit, pra 2.5 herë më shumë se katërshja aktuale e donatorëve dhe aq më tepër kur koha deri në Asamblenë e radhës së klubit të futbollit “Tirana” shkurtohet çdo ditë.
El-Sajed u “eliminua” në Asamble pasi “katriada” - Halili, Nuri, Ngjela e Papuli - ofruan më shumë para, por tani që Mane ofron (i vetëm) më shumë se të katërt...

AKUZAT

Marrëdhëniet e ndera të sekretarit Muça me katërshen e donatorëve nisën të bëhen publike menjëherë pas shkarkimit të trajnerit Astrit Hafizi, pas barazimit me Elbasanin 2-2. I akuzuar për strategji të gabuar në merkato - largimin e katër lojtarëve titullarë që fituan titullin kampion (Allmuça, Abraham, Pisha, Sinani) dhe rekrutimin e lojtarëve që nuk arritën të përshtateshin me grupin - Muça nuk ka mundur t’i bëjë ballë presionit për dorëheqje të parevokueshme.

DËSHTIMET

Pas përjashtimit të Eldorado Merkoçit, Oriand Abazajt, por dhe transferimeve jashtë të Isli Hidit, Nevil Dedes, Tirana humbi boshtin e saj, duke marrë parasysh edhe dëmtimin e gjatë të Devi Mukës. Sulmuesi Daniel Xhafaj zhgënjeu totalisht, ndërkohë që Indrit Fortuzi nuk mund të bëjë më shumë.

E SËMURË

Edhe pse kreu dy faza përgatitore të kushtueshme në Maqedoni dhe në Turqi dhe sidomos me rekrutimet e fundit - francezit Mohelebi, maqedonasit Sasho Gjoreksi, kosovarit Hyseni, shqiptaro-kroatit Kcira, Tirana nuk ka mundur të bindë asnjëherë këtë sezon. “Tirana është sëmurë me kancer”, - tha gazetari i njohur sportiv Dritan Lundra në “Fokus Sport” (TV Koha). “Tirana është një ekip pa identitet”, - tha për “Alsat” presidenti Topi.

4 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›