E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lulëzon “tregu i zi” i aboneve në kryeqytet

Emanuela Sako

Çmimi për blerjen e aboneve ka pësuar rritje të larta si pasojë e lulëzimit të “tregut të zi”. Një abone në treg ka nisur të shitet me 1000 lekë. Ndërsa abonetë për studentët pothuajse nuk janë fare në qarkullim. Kjo po ndodh jo se nuk ka prerje të aboneve të studentit, por sepse çmimi i tyre është më i ulët dhe janë tepër të kërkuara nga të gjithë udhëtarët. Pritet që ato të shiten në ditët në vijim me një çmim më të lartë se vlera reale. Në pikat e shpërndarjes së aboneve ka pasur dyndje të mëdha njerëzish, të cilët kanë qëndruar në radhë për orë të tëra për blerjen e prerjes së re të aboneve. Shpërndarja e tyre ka nisur ditën e djeshme, ashtu siç ishte urdhëruar nga Bashkia e Tiranës. Por këtë herë, autoritetet vendore nuk kanë ndërhyrë për të normalizuar situatën dhe për të vendosur një ekuilibër për shitjen e tyre dhe për kërkesat e Shoqatës Kombëtare të Transporteve. Ndërkohë, gjendja ngelet e vështirë dhe e njëjta situatë si disa muaj më parë kur ka nisur që çështja e aboneve dhe rritja e çmimit të biletës të bëhen tepër problematike.
Dyndja
Qytetarët janë dyndur përpara pikave të shpërndarjes së aboneve në qendër të Tiranës. Shkak për këtë është bërë numri i paktë i aboneve që janë hedhur në treg dhe detyrimisht çmimi i tyre është rritur për t’u shitur me një vlerë më të madhe. Qytetarët janë të detyruar ta blejnë pasi udhëtimi i përditshëm u kushton më tepër sesa blerja e tyre me një vlerë më të lartë. Abonetë janë shitur edhe në linjat urbane me vlerë më të lartë se 800 lekë, sa është aboneja e përgjithshme. Ditën e parë të hedhjes në qarkullim të aboneve, shitësit nxjerrin në treg një numër tepër të ulët për t’i shitur në ditët në vijim me një çmim më të lartë. Duket se protestat e vazhdueshme të qytetarëve nuk kanë pasur asnjë efekt tek autoritetet përkatëse për normalizimin e situatës.
Bashkia
Tri ditë më parë, Bashkia e Tiranës ka biseduar me krerët e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ku u vendos hedhja në treg e prerjes së re të aboneve. Nënkryetari i Bashkisë, Eduard Shalsi, iu drejtua qytetarëve se duhet të kenë kujdes për abonetë që blejnë për shkak të falsifikimit të tyre. Kështu, të gjithë qytetarët që duan të pajisen me abone për linjat brenda qytetit të Tiranës nuk duhet të blejnë asnjë abone të tillë të prerë, ku nuk dallohet qartë pjesa ku shkruhet Bashkia e Tiranës. Në rast të kundërt, nëse nuk dallohet qartë pjesa e shkruar dhe vihet re ndryshimi i ngjyrave, atëherë aboneja është false.

4 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›