E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plaku i moçëm

Në fshat një i metë nga mendtë hipën majë pemës dhe qëndron aty për dy ditë pa lëvizur fare. U mblodhën të gjithë, i madh e i vogël, për t’i folur dhe për t’ia mbushur mendjen budallait, por ai, siç duket, ishte i vendosur që të mos zbriste prej andej. Pasi diskutuan mirë e shtruar se si ta zgjidhnin këtë problem, fshatarët panë që çdo zgjidhje dukej e dështuar. Atë moment dikush thotë:
-Po sikur të thërrasim plakun më të vjetër të fshatit që të na tregojë me mençurinë e tij si të dalim nga ky problem?
Të tjerët miratojnë me kokë dhe dikush shkon e lajmëron plakun. Pas 20 minutash duket plaku i thinjur, me mjekër e me mustaqe të bardha dhe me bastun.
-Si është puna që më keni kërkuar, djema?
-Xhaxha, ka hipur ai budalli në pemë dhe kemi dy ditë nuk e zbresim dot. Po e premë pemën do të vdesë, po qëndroi aty edhe pak, prapë do të vdesë. Si t’ia bëjmë?
- E thjeshtë fare, djema. Hidhini një litar dhe lidheni mirë, pastaj tërhiqeni me forcë.
Fshatarët e lidhin me litar dhe e tërheqin. Budallai bie poshtë dhe vdes.
-Po ç’na bëre kështu, more xhaxho? – i thotë ata plakut.
-More djema, unë mbaj mend në ’44-n... kur ra njëri në pus, kështu e nxorëm.

4 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›