E Diel, 1 Nëntor 2026

Këtë muaj nis konsultimi për planin urbanistik të Tiranës

 Bashkia ka premtuar dhe paralajmëruar se në hartimin e këtij plani do të përfshihen të gjithë aktorët dhe qytetarët.

"Zhvillimi urban ka nevojë për një klimë të re të planifikimit të territorit për t’i kthyer klimën e duhur zhvillimit ekonomik, një prioritet i Bashkisë. Kemi gjetur mirëkuptimin e njësive vendore kufitare me qytetin e Tiranës, të cilat, me përgjegjësi qytetare, i janë përgjigjur ftesës tonë për bashkëpunim", pat deklaruar kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha në mbledhjen e fundit të grupit teknik për konceptimin e Planit Territorial të Tiranës.

Grupi i punës po studion dhe vlerat arkitektonike dhe historike të Tiranës. Qytetit i ka mbetur shumë pak nga identiteti i saj. Arkitekti Flamur Kuçi, drejtuesi i grupit teknik për konceptimin e Planit Territorial të Tiranës dhe këshilltar i Kryeministrit për çështjet urbane, tha se "Tirana ka humbur shumë nga vlerat e saj historike dhe kjo jo vetëm në dy dekadat e fundit. Madje disa nga vlerat e vërteta janë humbur si rrjedhojë e urbanistikës ideologjike të regjimit totalitar. Në 20 vitet e fundit zhvillimi kaotik urban ka ndikuar në zhvlerësimin e këtyre vlerave dhe shpesh herë në zhdukjen e tyre. Sot zhvillimi urban gjendet para disa sfidave të kësaj natyre". 

Duke argumentuar vizionin e Planit të ri Urbanistik në këtë drejtim dhe mënyrën se si plani do t’i përgjigjet dëmeve urbanistike, Kuçi vuri në dukje se Tiranës i duhet një vlerësim serioz profesional mbi atë çka është realisht vlerë arkitektonike dhe historike në qytet.

 "Jemi dëshmitarë që për arsye jo profesionale i jepen vlera historike edhe objekteve që kanë shënuar momente regresive në historinë e kombit, si rasti i piramidës, apo rasti i lagjeve autoktone. Konsiderojmë që nuk është reale dhe e drejtë që lagjet autoktone, jashtë kushteve bazë të banimit, të konsiderohen 'historike' pa një bazë profesionale dhe duke privuar këto njerëz nga zhvillimi i drejtë i pronës së tyre, ndërkohë që plani urban i Tiranës duhet të parashikojë instrumente reale të mbrojtjes dhe zhvillimit të monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe historike”, tha ai. /Start/

                                                                                             2012-01-04 15:06
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›