Këto Krishtlindje të jenë të mbara, për të sjellë më shumë fat dhe solidaritet për banorët e Shkodrës
Zv/kryeministri Ilir Meta, për Krishtlindje vizitë te Mali i Jushit
Numri 2 i qeverisë shqiptare dhe njëherazi ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Ilir Meta, priti vigjiljen e Krishtlindjeve në komunën Bushat të Shkodrës.
I shoqëruar nga Ministri i shëndetësisë Petrit Vasili, Prefekti Maxhid Cungu dhe nga deputetët e Shkodrës Gjok Uldedaj dhe Gëzim Dibra, ka zhvilluar një vizitë në familjen e Prek Sukaj në Malin e Jushit. Duke i uruar kryefamiljarit Prek Sukaj festën e Krishtlindjeve, zv/kryeministri Meta u shpreh se “nëpërmjet jush dua të uroj gjithë qytetarëve e Shkodrës dhe NënShkodrës gëzuar Krishtlindjet”. Në mënyrë të veçantë z. Meta, e ka drejtuar urimin e tij për të gjithë ato familje të cilat u prekën nga kjo fatkeqësi natyrore, duke shpresuar që këto Krishtlindje të jenë të mbara për të sjellë më shumë fat, mbarësi dhe solidaritet për të gjithë banorët e Shkodrës dhe që të dalin sa më shpejtë nga pasojat e kësaj fatkeqësie natyrore. Gjatë bisedës të zhvilluar me kryefamiljarin Prek Sukaj, Meta u njoh me fatkeqësinë e tyre familjare e cila nga përmbytjet e vitit 1963 z. Sukaj kishte humbur vëllain e tij. Më tej, zv/kryeministri shprehu besimin se me organizimin dhe përkushtimin që po tregohet situata do të vijë drejt përmirësimit dhe rehabilitimit të pasojave. Megjithatë, sipas z. Meta, e rëndësishme është që nuk ka humbje në jetë njerëzore. “Unë kam besim se me këtë organizim dhe me këtë përkushtim situata do të vijë drejt përmirësimit, do të vijë drejt normalizimit dhe drejt rehabilitimit të këtyre pasojave. Gjithashtu zv/kryeministri dhe ministri i METE i shoqëruar nga anëtar të tjerë të Komitetin Ndërministror të Emergjencave dhe nga kryetari i Komunës Zef Hila, ka uruar banorët e komunës së Bushatit për Krishtlindje.