E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krishtlindjet - meshë edhe në katedralet e Shkodrës dhe të Korçës

26-12-2010 / Gazeta 55

Lindja e Krishtit, festohet madhërishëm në Tiranë, Shkodër, Korçë, Elbasan, Gjirokastër dhe Vlorë

Është festuar ditën e djeshme nga të gjithë besimtarët e krishterë, katolikë dhe ortodoksë 25 dhjetori, dita e shënuar e lindjes së Jezu Krishtit, e cila që kremtohet në gjithë botën si dita e shpresës, paqes dhe dashurisë njerëzore. Në Shqipëri kremtimi i 25 dhjetorit filloi të festohej mbas viteve ’90 atëherë edhe kur u lejua besimi fetar, i cili krijoi traditën e saj duke u festuar çdo vit si datë e shënuar në kalendarin vjetor. Krishtlindja, ndryshe edhe “Kërshëndellat” apo shkurt “Kshnellat” është një festë fetare e krishterë por që në Shqipëri festohet nga të gjithë shqiptarët pasi Shqipëria është ndër të vetmet vende në botë ku mbizotëron një harmoni fetare. Lindja e Jezu Krishtit e cila u kremtua ditën e djeshme u festua nga besimtarët e krishtere edhe nëpër qytete të tjera të Shqipërisë. Kjo feste është festuar në të gjitha kishat e Shqipërisë por gjithashtu edhe nëpër locale dhe pika turistike. Krishtlindja është një ndër festat që sjell gjithmonë gëzim dhe në këtë ditë të shënuar përcillen mesazhe urimi nga të gjithë për mirësi, dashuri dhe tolerancë. Besimtarët që festuan lindjen e Krishtit nëpër kisha mbanin në duar lule dhe qirinjë, simbol i paqes dhe dashurisë për Jezu Krishtin. Ceremonia kryesore është zhvilluar ne Katedralen e Shën Palit në Tiranë, ku kanë qenë të pranishëm krahas qytetarëve të shumtë dhe politikanë. Imzot Rrok Mirdita drejtoi meshën duke u uruar besimtarëve shume dashuri dhe paqe. Mesha nisi me këndimin e liturgjive, pjesë nga Bibla. Imzot Rrok Mirdita u bëri thirrje besimtareve të udhëhiqen nga mirësia dhe drejtësia. Imzot Rrok Mirdita theksoi se “në Botë mungon paqja, por udha e paqes është udha e dashurisë. Në marrëdhëniet me të tjerët gjejmë veten”- tha Imzot Rrok Mirdita. Dita e Krishtlindjeve, tha kreu i Konferencës Ipeshkvnore, Rrok Mirdita, “na kujton të gjithëve se sa të nevojshme janë falja, pajtimi dhe mëshira”. Me qirinj ndër, duar duke u lutur për paqe dhe gëzim, qetësi dhe dashuri, besimtarët e krishterë kanë kryer ritet fetare rreth mesnatës në një atmosferë festive. Ndërsa në orët e para të mëngjesit të sotëm, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Hirësia e Tij Anastas, në meshën e mbajtur iu drejtua besimtarëve me urimin për të qenë më të dashur me njëri-tjetrin si dhe të respektojmë çdo formë njerëzore. Përgjatë ditës së djeshme, pritet gjithashtu që të ketë të tjera ceremoni festive, ndërsa krerët e shtetit shqiptar të zhvillojnë vizita ne katedralen e Shën Palit dhe në Kishën Ortodokse në Tiranë, për të përcjelle urimet e tyre për besimtaret katolikë dhe ata ortodoksë. 25 dhjetori, dita e shënuar e lindjes së Jezu Krishtit, që kremtohet në gjithë botën si dita e shpresës, paqes dhe dashurisë njerëzore, edhe në Shqipëri, mbas viteve ’90 kur u lejua besimi fetar, krijoi traditën e saj duke u shënuar krahas festave të tjera tradicionale në kalendarin e vitit.

Në Shkodër
Në Shkodër, një nga qendrat e rëndësishme të katolicizmit shqiptar është mbajtur mesha e shenjtë e Krishtlindjeve në kishën katedrale të Shën Pjetrit. Besimtarët janë mbledhur në këtë katedrale në ceremonitë tradicionale dhe meshën e mbajtur nga arkipeshkvi metropolitan në Shkodër, Anxhelo Masafra. Kleriku i njohur i ka bërë thirrje besimtarëve për mirëkuptim, bashkëpunim, paqe dhe besim te zoti dhe te shpëtimtari Jezu Krisht. Edhe besimtarët ortodoksë në Korçë kanë festuar Krishtlindjet duke ndjekur ceremoninë fetare në kishën e katedrales “Ngjallja e Krishtit”. Liturgjia dhe mesha e kësaj dite të shenjtë të lindjes së Krishtit ka mbledhur mijëra besimtarë për këtë festë fetare të këtij komuniteti. Mesha është drejtuar nga mitropoliti i Korçës Hirësia e tij Imzot Johani që ka uruar besimtarët për më shume paqe dhe vëllazërim harmoni dhe begati. Dita e lindjes së Krishtit, një nga ditët e shenjta të kalendarit ortodoks dhe më të rëndësishmet ka vijuar me urimet mes besimtarëve dhe ndarjen e meshës së shenjtë dhe kungatave për më shumë shëndet dhe paqe mes njerëzve. Mesazhet për këtë ditë feste kanë qenë ato për lumturi dhe mirëqenie.

Në Korçë
Besimtarët e krishterë në Korçë u mblodhën në katedralen “Ringjallja e Krishtit”, ku u kryen shërbesat e rastit. Mitropoliti i Korçës, hirësia e tij, Johani, gjatë meshës së krishtlindjeve theksoi se “krishtlindja na sjell gjithmonë lajmin e gëzuar qiellor se lindi shpëtimtari i krijimit dhe i gjithësisë dhe na bën thirrje që të meditojmë rreth këtij lajmi”.
Pas meshës, hirësia e tij, Johani priti vizita në Mitropolinë e Korçës. Festa e Krishtlindjeve po festohet dhe nëpër lokale dhe pikat turistike të Voskopojës dhe Dardhës.

Elbasan
Pas orës 00:00, besimtarët katolikë mbushën kishën Shën Piu i X - të, ku famulltari Emilio Valente drejtoi meshën. Edhe në kishën Ortodokse “Shën Maria”, brenda kalasë së qytetit të Elbasanit, famulltari At Nikolla Marku, mbajti meshën e rastit duke përcjellë mesazhe për mirësi, dashuri dhe tolerancë”. Urime në këtë ditë përcollën dhe përfaqësues të pushtetit lokal.

Gjirokastër
Krishtlindja mbodhi në Kishën e Shën Mëhillit në lagjen Varosh, si dhe në Kishën Shën Sotiri, në lagjen “Pazari i Vjetër”, mijëra besimtarë ortodoksë që mbanin në duart lule dhe qirinjë, simbol i paqes dhe dashurisë për Jezu Krishtin. At Theodhori Nikolla, udhëheqësi i meshës në Kishën e Shën Mëhillit, lexoi mesazhin e urimit të Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse-Autoqefale, Hirësia e Tij, Anastasios Janullatos. Edhe në kishat e rrethit të Përmetit, Tepelenës, Sarandës, Delvinës, besimtarët ortodoksë dhe katolikë festuan lindjen e Krishtit.

Vlorë
Qindra besimtarë të krishterë, por edhe të besimeve të tjera, morën pjesë në meshat e organizuara gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit, në Kishën Katolike të këtij qyteti dhe në Kishën Ortodokse të Shën Theodhorit. Natën e Krishtlindjeve në Kishën Ortodokse të Shën Theodhorit u zhvillua Mbrëmësorja e Madhe e Krishtlindjeve dhe Mesha Hyjnore me praninë e dhjetëra besimtarëve, që u drejtua nga At Konstandin Prifti. Në orët e mëngjesit dhe paradites u zhvillua Shërbesa e Mëngjesores dhe Mesha Hyjnore, që u drejtuan nga Mitropoliti i Shenjtë i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë, Ignat Triandis. Duke folur përpara besimtarëve ai tha se në këtë ditë solidariteti mes njerëzve është më i dukshëm dhe jeta merr dimensione të tjera. Atmosfera më Kishën Katolike dhe atë Ortodokse të Shën Theodhorit, ishte po aq festive edhe gjatë orëve të paradites.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›