E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Basha dhe anëtarë të kabinetit “Berisha”, urojnë Krishtlindjen nga qyteti veri-perëndimor

26-12-2010 / Gazeta 55

Basha në Shkodër: Urimi im është për kapërcimin e shpejtë të pasojave nga përmbytjet

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, pikërisht në ditën e Krishtlindjeve, nuk mund të mungonte në Shkodër dhe Dajç, aty ku ka qenë gjithë këtë kohë prej momentit kur përmbytjet përfshinë këtë qark të Shqipërisë. Së pari, zoti Basha shkoi në Arqipeshkvinë e Shkodrës, ku falenderoi Arqipeshkvin Angelo Masafra dhe në përgjithësi kishën katolike, e cila në këtë fatkeqësi natyrore që përfshiu Shkodrën, iu është gjendur pranë familjeve të përmbytura. Ministri Basha u shpreh optimist për kapërcimin e shpejtë të pasojave të përmbytjeve që përfshinë rrethin e Shkodrës në fillim të muajit dhjetor.
“Kam një urim të veçantë, që t’i kalojmë sa më shpejt pasojat e kësaj përmbytje, pasojat jo vetëm në kuptimin fizik, por edhe shpirtëror, me besimin tek Zoti, me besimin tek shpresa e rilindur që kjo festë përfaqëson, me solidaritetin e plotë dhe mbështetjen tek njëri tjetri”- tha Basha. Më pas, ministri Basha, mori pjesë në meshën e Krishtlindjeve në Kishën e Dajcit. I ngarkuar nga Komiteti Ndërministror i Emergjencës Civile për të drejtuar shtabin e emergjencës në komunën problematike të Dajçit, ministri i Brendshëm u bëri të ditur drejtuesve të kishës katolike të Shkodrës se po vinte direkt nga kjo komunë, ku së bashku me drejtues ushtarakë kishte asistuar në punimet që po kryhen për përforcimin e argjinaturave mbrojtëse, të dëmtuara në disa fshatra.
Po ashtu, edhe përfaqësues të tjerë të kabinetit të kryeministrit “Berisha”, zgjodhën të kalonin Krishtlindjet në Shkodër, e cila prej javësh është e prekur nga përmbytjet. Zv/kryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ilir Meta i shoqëruar dhe nga Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili, zgjodhi të kalonte vigjiljen e Krishtlindjeve në Malin e Jushit, më konkretisht pranë familjes Sukaj. Meta zgjodhi të uronte nga tryeza e kësaj familjeje, të gjithë qytetarët e Shkodrës dhe Nënshkodrës të cilët u prekën nga përmbytjet.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›