E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Këto zgjedhje mund të themi se do t’i japin fund tranzicionit politik"

18/05/2005  Presidenti Moisiu thekson rëndësinë e tre korrikut në integrimin e vendit

Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, tha dje, gjatë fjalës së tij, në seancën e tretë plenare të Këshillit të Evropës, që po zhvillohet në Poloni, se zgjedhjet e 3 korrikut janë sfida më e rëndësishme politike që prej fillimit të viteve '90. Presidenti Moisiu është shprehur optimist se këto zgjedhje do t’i japin fund tranzicionit të stërzgjatur shqiptar. “Vëmendja jonë tani është përqëndruar se si të realizojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme, të çliruara nga problemet e vëna re në të kaluarën dhe të pranuara e konform standardeve e vlerave evropiane, sepse ato janë themeli i demokracisë së vërtetë dhe reale. Këto zgjedhje mund të themi se do t’i japin fund tranzicionit politik dhe të bëjmë një hap thelbësor përpara në forcimin e demokracisë dhe në rrugën tonë euroatlantike. Në tërësi, procesi elektoral po shkon mirë. Nënshkrimi ditët e fundit nga të gjitha partitë parlamentare i Kodit të Sjelljes ishte një arritje pozitive. Ne presim një fushatë elektorale të qytetëruar, ku të konkurrojnë programet dhe alternativat dhe të fitojë vullneti i popullit”, tha Mosiu. Me rastin e afrimit të 10-vjetorit të pranimit të Shqipërisë në KE, Presidenti tha se këto 10 vjet kanë qenë vite të angazhimeve, por edhe të dëshmisë se Shqipëria i përket vlerave evropiane. “Ne vijmë nga një diktaturë ekstreme dhe si e tillë te ne nevojat për ndryshim nuk shfaqen vetëm në sistemin ekonomik, shtetin ligjor dhe ndërtimin e institucioneve demokratike, por edhe në krijimin e një mentaliteti të ri dhe më besoni kjo është më e vështira. Ky është një proces kompleks që kërkon mund, energji dhe kurajo”, tha Mosiu. Sipas tij, pjesë aktive e bashkëpunimit të Shqipërisë me KE-në është forcimi i cilësisë së procesit legjislativ, i pavarësisë reale nga politika, trajnimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, edukimi ligjor, trajnimi mbi ligjin administrativ, reforma e sistemit të burgjeve, bashkëpunimi i frytshëm i institucioneve shqiptare me Komisionin e Venecias, thellimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke zbatuar edhe konventën e KE-së për zbardhjen, kapjen dhe konfiskimin e pronësive të përfituara nga krimi dhe mbi financimin e terrorizmit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›