Këtu sikur kemi të bëjmë me monarki dhe jo me shtet demokratik
Parlamenti votoi me unanimitet të plotë kandidaturën e kryetares së Gjykatës së Lartë. Nuk ka ndonjë gjë që, një kandidaturë, të votohet në mënyrë unanime, por këtu ia vlen të ndalemi. I njëjti parlament rrëzoi kandidaturat për antarë të Gjykatës së Lartë, përfshi edhe gjyqtarin Kristaq Traja, që kishte punuar në Stasburg. Votimi në mënyrë unanime, kur vetëm pak muaj më parë u kthyen shumë kandidatura dinjitoze, lë shteg për dyshime.
Mos na ngjajë si në fabulën e lopës me kaun. Një herë, një bujk, nuk kishte pasur pendën e qeve për të lëruar tokën dhe ishte detyruar që, krahas kaut, të vendoste lopën. Një tjetër lopë i afrohet shoqes së saj që tërhiqte parmendën dhe e pyet nëse e dinte hullinë. “Unë hollinë po e di boll mirë, por nuk kam takat të tërheq parmendën”, - i ishte përgjigjur lopa.
Më vjen shumë keq që Shqipëria, po bën gati 20 vjet demokraci, dhe nuk u gjet asnjë person që të ketë mbaruar studimet jashtë shtetit, të ketë mbaruar masterin dhe të ketë mbrojtur doktoraturën, që të vendoset në krye të këtyre institucioneve shtetërore.
Kur do të ikë njëherë e mirë kjo elitë që vjen nga e kaluara e hidhur dhe ta marrin në dorë të rinjtë? Edhe fakti që këtyre posteve drejtuese u jepet e drejta të funskionojnë për vite me radhë, siç është rasti në fjalë, për 9 vjet, është shumë shqetësues, se një person, pavarësisht nga aftësitë dhe meritat që ka, të jetë në krye të vendit derisa gati të dalë në pension, këtu sikur kemi të bëjmë me monarki dhe jo me shtet demokratik.