Të mos sillemi si gjumashë shembullorë me Kosovën
Është e vërtetë se diplomacia kosovare është"newborn", është diplomaci bebe, por abc-ja e diplomacisë, duhet të ishte përvetësuar përsosmërisht deri tani. Askush nuk po e kritikon diplomacinë bebe kosovare pse nuk po këndon mirë e si duhet! Si bebe që është, ajo duhet të dijë, të paktën të qajë mirë e siç duhet.... Ndryshe duhet pickuar pak e kritikuar shumë.
Është urgjente që të krijohet një grup pune, një komision apo një këshill me kokat me të mençura e me pendat më të mira, me akademikët e me historianët, me profesorët më të mirë të së Drejtës Ndërkombëtare nga Kosova, nga Shqipëria, por edhe më gjerë për hartimin dhe botimin e dosjes së krimit serb në Kosovë.
Nuk bëhet fjalë për të bërë asnjë enciklopedi e asnjë histori shqiptare 2000- 3000 faqëshe. Bëhet fjalë për një dosje, jo më shumë se 100 faqe, përfshi fotografi, CD, DVD, dëshmi të gjalla të krimit e terrorit shtetëror serb në Kosovë. Nuk ka argument e provë më të fortë ligjore e historike, juridike e politike, shtetërore e diplomatike, se kallëzimi i krimit serb në Kosovë.
Të mos i lëmë gjërat për në momentet e fundit, siç e kemi zakon ne shqiptarët... 19 prilli 2009, është afati i fundit për Hagën, por jo për Prishtinën e Tiranën. Si do të mbronin e si do të mbrohet e drejta historike e shqiptarëve, kundër mjeteve serbe në Kosovë, pa një dosje të tillë model?!
Serbia dhe diplomacia e Beogradit, e bleu Kosovën me qese floriri nën dorë, e me prostituta serbe në krevatet e perandorive evropiane, e aneksuan Kosovën me ndihmën e diplomacisë ruse dhe evropiane të kohë.Sot është koha të mbrojmë të drejtën historike e juridike të Kosovës, për të qenë shtet i pavarur e sovran!