KfW, 1.5 milionë euro për ujësjellësit ruralë
Qytetarët përfituese; Dibër, Kukës dhe Shkodër,
Kredia e dhënë me terma të butë për 20 vjet
Tab
Kredia është me terma të butë:
-Shuma 1.500 000 euro
-Maturimi 30 vjet
-Periudha pa Pagesë Principali 10 vjet
-Interesi 2% në vit.
Zonat rurale në qytetet e Dibrës, Kukësit dhe Shkodrës do të kenë ujësjellës të rinj, falë një investimi që do të kryejë me financimin të KfW-së. Ministri i Financave, Ridvan Bode, nënshkroi dje në emër të qeverisë shqiptare marrëveshjen e kredisë prej 1.5 milionë euro për financimin e projektit “Programi Rural i Furnizimit me Ujë të Zonave Rurale - Faza 2”, financuar nga KfW. Ky projekt, i cili do të zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ka për objektiv sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm sasior dhe cilësor me ujë të pijshëm të popullsisë së qarqeve Dibër, Kukës dhe Shkodër. Ministri falënderoi përfaqësuesit e KfW për ndihmën e vazhdueshme që i ka dhënë qeverisë shqiptare për realizimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore. Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se kredia është me terma të butë në shumën e 1.500 000 eurove, maturimi është për 30 vjet, periudha pa pagesë principali është 10 vjet dhe interesi 2% në vit. Kostoja e parashikuar e projektit është 1.785 milionë euro, ku 1.5 milionë euro financohen nëpërmjet kësaj kredie dhe pjesa tjetër janë kontribut vendor prej 285 mijë eurosh. Fondi Shqiptar i Zhvillimit me mbështetjen e një konsulenti ndërkombëtar të specializuar për Ujësjellësit Ruralë, do të aplikojë kriteret sociale, teknike dhe financiare të këtij programi për identifikimin dhe seleksionimin e komunave / fshatrave, do të menaxhojë anën financiare, duke përfshirë edhe kontributet fillestare të përfituesve dhe komunave respektive, si dhe do të monitorojë prokurimin, projektimin, zbatimin, operimin dhe mirëmbajtjen e skemave të financuara të ujësjellësve në zonat e përzgjedhura. Sipas të njëjtit burim, fondet do të transferohen në FSHZH në formën e grantit nëpërmjet një marrëveshjeje transferimi që do të lidhet për këtë qëllim midis Ministrisë së Financave dhe FSHZH-së.