Rritet me 30% paga e punonjësve të shoqërisë ARMO, 2 rroga shpërblim për festa
Në përmbyllje të procesit të privatizimit të shoqërisë ARMO, me likuidimin e bërë nga ana e konsorciumit “ANIKA ENTERPRISES, RAFINERY OF TEXAS & MERCURIA ENERGY GROUP” në datën 27 nëntor, të shumës prej 128,7 milionë euro, zyrtarizohet rritja e pagës për punonjësit e kompanisë me 30% duke filluar nga 1 dhjetori i këtij viti. Ka qenë ky një nga premtimet që drejtori i përgjithshëm i konsorciumit, zoti Rezart Taçi, ka artikuluar në fillimet e procesit të privatizimit dhe në përmbushje të tij tashmë realizohet kjo rritje menjëherë me marrjen nga ana e tij të kësaj detyre. Realizimi i këtij detyrimi moral nga ana e konsorciumit vjen si rezultat i një filozofie të re që do të karakterizojë administrimin e kësaj kompanie, ku në themel të saj do të jetë rritja e mirëqenies si dhe kujdesi i kompanisë ndaj të gjithë punonjësve të cilët kanë dhënë kontributin e tyre dhe do të vazhdojnë të japin në rritjen e vazhdueshme të saj. Ndërkohë konsorciumi, duke njohur kontributin e punonjësve të saj gjatë këtij viti, pavarësisht kohës në të cilën u përmbyll ky proces, me rastin e festave të fundvitit u shpërndau të gjithë punonjësve të kompanisë ARMO nga dy rroga shpërblim. Me gjithë vështirësitë që karakterizon ky proces, mund të themi se ka qenë një nga privatizimet më të mëdha të aseteve shtetërore të kryera në vite. Konsorciumi në vitin në vijim do të ndërhyjë fuqimisht jo vetëm në investimet për përmirësimin e proceseve teknologjike në nivele bashkëkohore, por dhe në infrastrukturën e zonës, e cila do të ndihet drejtpërdrejt edhe në cilësinë e jetës të komunitetit të saj.